Deputetët u paguan mbi 530 mijë euro për seanca pa rezultat

06 gusht 2025 | 10:51

Mbi 530 mijë euro janë paguar për tre muaj, për deputetët e legjislaturës së nëntë, që janë mbledhur për pak minuta në 54 seanca ku kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin. Përveç kësaj, vetëm për muajin qershor, shteti ka paguar rreth 77 mijë euro për asistentët e tyre. Monitorues të punës së Kuvendit kanë thënë se edhe pse e ligjshme kjo nuk ishte aspak etike.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka vënë masë ndalese deri me 8 gusht çdo vendimi e veprimi të deputetëve, ata vazhdojnë të paguhen sipas Ligjit të Pagave. Për 54 tentimet për konstituim ata kanë marrë paga të plota që i ka kushtuar kuletës së shtetit më shumë se gjysmë milioni euro.

Përveç kësaj vetëm për një muaj asistentët e këtyre deputetëve janë paguar 77 mijë euro.

Administrata e Kuvendit i ka konfirmuar “Radio Kosovës” se pagesat e korrikut dhe javës së parë të gushtit nuk janë përfshirë në shpenzimet për paga e asistentëve dhe të deputetëve.

Sipas të dhënave të siguruara për pagat e 120 ligjvënësit që dolën nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për muajin prill janë ndarë 95 mijë e 633.93 euro, për maj 234 mijë e 998.98 euro, ndërsa për qershor 199 mijë e 907.67 euro.

Megjithatë Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës, ka treguar se “deputetët nuk kanë përfituar benefite të tjera dhe asnjë prej tyre nuk ka hequr dorë nga paga”.

Për këto pagesa  të bazuar në Ligjin për Pagat në sektorin publik, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, një organizatë që monitoron punën e Kuvendit, ka thënë se nuk janë meritore.

“Këto paga nuk kanë ndonjë rëndesë ekonomike, përkundër gjendjes socio-ekonomike. Në kuptimin etik, po, është e padrejtë që të marrësh pagë pa punuar”, ka thënë Jakaj.

Megjithatë, Jakaj ka thënë se ata po arsyetohen me faktin se partia e parë nuk po e bënë pushtetin që i takon. “Rrjedhimisht thonë se jemi duke i ushtruar të drejtat duke marrë pjesë në çdo seancë”, tha ai.

Megjithatë në këtë periudhë të stërzgjatur të konstituimit të Kuvendit, jo të gjithë 120 deputetët zgjodhën asistentë. Sipas Administratës së Kuvendit në listën e pagave janë 87 asistentë të deputetëve që vetëm për maj e qershor morën të paktën 136 mijë e 802 euro.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Enver Bajraktari, i cili u gjet i pajetë dhe i…