
Deputeti gjerman: Kjo javë është vendimtare për ardhmen e Kosovës
Deputeti i Bundestagut gjerman, Christian Schmidt, ka thënë se kjo javë është vendimtare për të ardhmen e Kosovës.
“Unë dhe kolegu im Peter Bayer nuk jemi për herë të parë në Kosovë. Megjithatë, koha të cilën e kemi zgjedhur që ta vizitojmë Kosovën mendojmë se është shumë e rëndësishme”.
“Pas zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur në Kosovë, ne mendojmë se kjo është javë vendimtare për vendin tuaj sepse periudha të cilën po e nisim tani është e rëndësishme edhe për krijimin e qeverisë”, ka thënë ai në një konferencë për medie.
Ai ka thënë se Qeveria e Gjermanisë është e interesuar për zhvillimin e Kosovës.
“Prandaj, është jashtëzakonisht në interes tonin që ta bëjmë të qartë që për Qeverinë Federale të Gjermanisë zhvillimi në Kosovë është me rëndësi të madhe”.
“Së dyti, mendojmë perspektiva e Kosovës për integrimin evropian është po ashtu me rëndësi”, ka thënë Schmidt,
Më tutje, ai ka folur edhe për bisedimet lidhur me krijimin e koalicionit qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Ai ka thënë se krijimi i këtij koalicioni nuk duhet të shihet si “lidhje dashurie”, por ka rëndësi që palët të kenë besim të ndërsjellë.
“Sa i përket bisedimeve për formimin e qeverisë, unë duke qenë se kam udhëhequr katër palë bisedime për formimin e koalicionit qeverisës në Gjermani mund të them që jam realist”.
“Në këtë rast nuk është e thënë që të krijohet një ‘martesë me dashuri’. Për ta ilustruar këtë që e thashë, njëri nga presidentët federalë të Gjermanisë kur është pyetur se a e do vendin e tij, ai ka thënë ‘e dua gruan time’”, ka thënë ai.
Deputetët gjermanë gjatë vizitës në Kosovë janë takuar me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.