Deri ku mund të shkojë ushtria ruse në Ukrainë?

06 korrik 11:52

Nga David R.Marples “E-International Relations”

Sulmi ushtarak rus ndaj Ukrainës vazhdon pa asnjë ndjenjë keqardhje, ndërsa qytetet në Donbas po i nënshtrohen gradualisht forcave pushtuese. Sot Severedonetk dhe Lysychansk, nesër Sloviansk. Por çfarë mund të ndodhë më tej? A ka ndonjë përfundim logjik në këtë luftë të gjatë? Modeli i kësaj luftës është më se i dukshëm.

Ai nisi me llogaritjet e gabuara të Moskës për pushtimin e shpejtë të kryeqytetit ukrainas Kiev dhe ndryshimin e qeverisë atje. Rezultati ishin humbjet e mëdha të ushtrisë ruse, masakrat e saj ndaj civilëve në Bucha dhe vendbanime të tjera, dhe një tërheqje poshtëruese në kufirin bjellorus për t’u rigrupuar.

Në jug, forcat ruse pushtuan rajonin Kherson, përfshirë qytetin e tij kryesor, dhe përparuan në Zaporizhzhia, duke pushtuar termocentralin më të madh bërthamor të Evropës. Ndonëse popullata vendase ishte e paarmatosur, ajo tregoi shenja të rezistencës civile nëpërmjet protestave paqësore, raporton abcnews.al.

Ashtu si në rajonin verior të Kievit, ishte e qartë se pushtuesit rusë nuk do të kishin mbështetjen e popullatës vendase. Faza e dytë e luftës nisi në të vetmen zonë që meritonte vëmendjen, dhe konkretisht në Donbas, ku dy regjime separatiste kanë mbetur në kontrollin e rajoneve të tij lindore që nga pranvera e vitit 2014.

Megjithëse disa ndjenja pro-ruse ekzistonin që para fillimit të luftë aktuale, ato nuk ishin në asnjë rast dominuese, dhe regjimet kanë mbetur gati gjithnjë në pushtet nëpërmjet një kombinimi të forcës, frikësimit dhe mbështetjes ruse.

Në fushatën aktuale, më i madhi nga dy regjimet, e ashtuquajtura Republika Popullore e Donetsk, ka pësuar një humbje në një shkallë prej mbi 50 për qind, pasi rekrutët e rinj u dërguan në betejë pa asnjë stërvitje apo përgatitjen e duhur.

Objektivi tjetër për Rusinë është qyteti Sloviansk, që deri pak kohë më parë ishte qendra e forcave separatiste dhe e liderit të tyre rus Igor Girkin në verën e vitit 2014. Ripushtimi i tij ishte suksesi më i dukshëm i Operacionit Anti-Terrorist të Ukrainës i nisur nga presidenti në detyrë Oleksandr Turchynov.

Prandaj Rusia do të jetë e kënaqur me ripushtimin e saj. Por çështja kryesore është se deri ku do të shkojë Rusia më pas? A do të vazhdojë të përparojë drejt qyteteve të mëdha si Zaporizhzhia, Kharkiv dhe Dnipro? Apo do të kënaqet me pushtimin e të gjithë Donbasit, një nga synimet fillestare të deklaruara të Vladimir Putin?

Putin do të tundohet vazhdojë përparimin. Por sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më e rrezikshme do të bëhet situata për ushtrinë ruse. Pasi Ukraina po vazhdon të marrë si ndihmë pajisje të avancuara ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, si dhe po e ruan mbështetjen e saj ndërkombëtare.

Një analogji që Putin duhet të marrë në konsideratë, është shteti i Izraelit në luftërat e tij me shtetet arabe, që pasuan themelimin e tij në vitin 1948. Sa herë që Egjipti, Siria, Jordania dhe shtete të tjera sulmonin Izraelin, ato përballeshin me armatim më të avancuar.

Ngjashëm, Ukraina mund të mburret së shpejti se do të ketë një nga ushtritë më të mirë-pajisura në botë, e aftë jo vetëm të ndalë sulmet e reja ruse, por edhe për të rimarrë territoret e saj të humbura në Donbas dhe në jug.

Anasjelltas, është e vështirë të kuptohet se si Rusia mund të mbajë në terren trupat e saj për një kohë të pacaktuar, duke pasur parasysh përdorimin e saj të nxituar të raketave dhe fuqisë njerëzore, si dhe mungesën e mbështetjes nga jashtë, raporton abcnews.al.

Sanksionet perëndimore dhe humbja e të ardhurave nga energjia, do ta ngadalësojnë ndjeshëm ekonominë e saj. Por qëllimet e mëtejshme të luftës nga ana e Rusisë janë pak më shumë sesa pushtimi dhe zhdukja e kombit ukrainas, i mbështetur nga propaganda që i bën jehonë ish-perandorisë dhe udhëheqësve të dikurshëm.

Udhëheqësit rusë duket se janë të fiksuar pas realiteteve historike të shtrembëruara. Ata e harrojnë faktin se shembja e Bashkimit Sovjetik, solli aspirata të reja kombëtare për shtete si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia. Por duhet të jemi të kujdesshëm kur e cilësojmë Ukrainën si një shtet model përpara shpërthimit të luftës.

Periudha e saj e pavarësisë ishte e stuhishme, me dy kryengritje të mëdha kombëtare, një korrupsion të shfrenuar, rivalitete klanore në qytetet e mëdha, dhe 4 vite qeverisje kaotike të udhëhequr nga Donbasi midis viteve 2010-2014. Ai nuk ishte një vend i sigurt për gazetarët dhe parlamenti i saj kontrollohej nga oligarkët.

Grupet e ekstremit të djathtë, edhe pse më të pakta në numër se ato në Rusi, ishin një realitet i njohur. Ato marshonin në formacione të armatosura nëpër qytete, duke shkatërruar kampet e romëve apo duke sulmuar paradat LGBT. Ndarjet rajonale ishin gjithashtu të vështira për t’u menaxhuar, teksa zgjedhjet e njëpasnjëshme e ndanë vendin afërsisht në linjat Perëndim/Qendër dhe Lindje/Jug.

Megjithatë, duke pasur parasysh zgjedhjen midis sundimit nga oligarkët vendas dhe një pushtuesi të huaj, i pari preferohej nga një shumicë e madhe e qytetarëve. Dhe në vitin 2019, kandidati i ri presidencial Volodymyr Zelensky, pati mbështetje nga të gjitha pjesët e vendit. Presidenca e tij e shkurtër e paraluftës nuk ishte një sukses i madh, por sapo Rusia sulmoi vendin, ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme për të bashkuar vendin dhe për të sfiduar Kremlinin.

Pra Ukraina mund të dalë nga lufta më e fortë, më e bashkuar dhe e lidhur në mënyrë të pakthyeshme me Perëndimin sesa me Rusinë. Anëtarësimi në BE dhe NATO, do të bëhej më i realizueshëm. Kjo gjë mund të lajmërojë një fillim të ri për shtetin, sidomos me mbështetjen perëndimore dhe me territoret e tij të siguruara.

Me fjalë të tjera, është në interesin më të mirë të Ukrainës të vazhdojë të luftojë dhe të refuzojë të lëshojë territore, duke ditur se vala e luftës do të ndryshojë në fund në favorin e saj. Pas pushtimit të Donbasit, do të kishte kuptim që Rusia e Putinit të përpiqej të arrinte një armëpushim, ndoshta të ndërmjetësuar nga Turqia, Gjermania, Franca apo edhe Kina.

Por nuk dihet nëse një logjikë e tillë dominon në Këshillin rus të Sigurimit. Rusia duket e verbuar nga propaganda e saj, dhe e inkurajuar nga përfitimet e saj territoriale në Ukrainë, edhe pse janë tepër të kushtueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani është shprehur i bindur…