Dëshmi të një kohe…

09 qershor 2021 | 22:28

Dr. Sadik Mehmeti

Në Kosovë, sikurse dihet, për gjatë shekujve veprimtarinë e tyre ekonomike e kanë ushtruar një numër i madh i zejeve të ndryshme, të cilat, dikur, ishin edhe bartëset krye­sore të zhvi­llimit ekonomik të vendit.

Edhe Prishtina, si një ndër kasabatë dhe qytetet më të mëdha të Kosovës, e cila, për një kohë, ishte edhe qendër e Vilajetit të Kosovës dhe më vonë edhe kryeqendër e Ko­sovës, ka njohur një numër të madh të zejeve tradicionale që kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre për dekada e shekuj të tërë.

Mirëpo, disa nga këto zeje të dikurshme, për të mos thënë shumica e tyre, tashmë janë zhdukur ose rrezikojnë të zhdukën. Për disa prej tyre, fatkeqësisht, dimë vetëm për­mes të dhënave që hasen nëpër dokumente të shkruara dhe, më vonë, tek-tuk, edhe nëpër ndonjë fotografi, që dëshmojnë se dikur në Prishtinë ka ekzistuar një zeje që ka zhvilluar veprimtarinë e saj dhe që ka qenë më se e domosdoshme për zhvillimin e jetës ekonomike të këtij qyteti.

Kësisoj, zhdukja e këtyre zejeve dhe tendenca gjithnjë në rritje për harresën e tyre, është një shtysë e domosdoshme dhe një imperativ kohor jo vetëm për ruajtjen e atyre zejeve që sot paraqesin ekzemplarët e fundit në Prishtinë, por edhe për vjeljen e doku­menteve, fotografive dhe materialeve arkivore e muzeore që ruajnë të dhëna për këto zeje.

Për këtë arsye, ideja dhe projekti i studiuesit dhe punonjësit shkencor të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Mr. Sc. Valon Shkodrës për hartimin dhe botimin e një Ka­talogu për zejet e Prishtinës, ku do të përfshiheshin të dhëna dokumentare e faktografike për zejet e këtij qyteti, na duket shumë me vend, i nevojshëm dhe mëse i qëlluar.

Ky katalog, përveç tjerash, jo vetëm se dëshmon për zejet që kanë vepruar dikur në Prishtinë, por ai shërben, edhe si një urëlidhëse mes gjeneratave dhe brezave në kohë të ndryshme; midis atyre që dikur i kanë ushtruar këto zeje ose kanë përfituar nga shërbimet e tyre dhe të brezit të sotshëm që këto zeje nuk i kanë mbërri dhe as nuk ka se si t’i njohin ndryshe përveç se përmes të dhënave të përmbledhura, si fjala vjen, në një katalog të fotografive si ky që është hartuar e përgatitur nga autori Valon Shkodra.

Fundja, zejet e Prishtinës dhe veprimtaria e tyre, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e historisë së Prishtinës dhe banorëve së saj, andaj mosnjohja e tyre nënkupton boshllëk në njohjen e plotë të historisë së qytetit të Prishtinës. Kjo për sa i takon së kaluares, kurse për të tashmen, riaktualizimi i këtyre zejeve, përveç të tjerash, do të ishte një ndihmesë e mirë për turizmin dhe do të paraqiste atraksion me rëndësi për kryeqendrën tonë.

Këtë qëllim dhe këtë mision ka edhe ky Katalog përfaqësues e reprezentativ për zejet e Prishtinës i hartuar dhe i realizuar në mënyrë shkencore dhe me shumë përgjegjësi nga punonjësi shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Valon Shkodra, i cili, me këtë i ka bërë një shërbim të mirë jo vetëm të kaluarës së Prishtinës, por edhe të tashmes dhe të ardhmes së këtij qyteti.

 

Prishtinë, 2021

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se…