Dëshmia e Irfan Lipovicës për rezervat shtetërore
Ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Irfan Lipovica pranoi para Policisë veprimet inkriminuese në procesin e blerjeve të rezervave, por më pas heshti para Prokurorisë.
Sipas aktakuzës që ka siguruar Paparaci, gjatë marrjes në pyetje në Polici më 18 gusht 2023, Lipovica ka pranuar pjesërisht veprimet e inkriminuara, duke pohuar se ai vetë i ishte drejtuar Qeverisë së Kosovës me kërkesën për ta liruar MINT-in nga procedurat e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Ai ka konfirmuar se Qeveria kishte aprovuar kërkesën, duke klasifikuar rastin si “sekret”, dhe ka pranuar se asnjë nga zyrtarët e ministries, as vetë ai, as ministrja Rozeta Hajdari nuk kishin certifikata sigurie, ndonëse kishin trajtuar dosje të klasifikuara.
Në dëshminë e tij, Lipovica ka thënë se kishte themeluar Komisionin për Negocim me tre zyrtarë të Departamentit të Rezervave Shtetërore, dhe se kontratat ishin hartuar nga ky komision e më pas nënshkruara nga ministrja Hajdari.
Por, sipas Prokurorisë, këto pretendime bien ndesh me provat materiale, pasi komisioni nuk kishte marrë pjesë në negociata dhe ishte anashkaluar qëllimisht nga Lipovica, Hajdari dhe drejtori Hafiz Gara.
Hetimet zbuluan se negociatat reale ishin zhvilluar nga Ridvan Muharemi, person jozyrtar dhe as përfaqësues i operatorëve ekonomik me të cilët ishte bërë marrëveshja.
Parapagesa 100% për mallrat që nuk mbërritën kurrë
Lipovica ka pranuar gjithashtu se janë bërë pagesa të plota në avancë (100%) për grurë, vaj dhe sheqer, edhe pse kjo është e ndaluar me ligj, përveç rasteve me qëllim mbrojtjeje apo sigurie ushtarake.
Ai ka konfirmuar se kompania turke “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” ka sjellë vetëm 52 tonë nga 10 mijë tonë grurë, ndërsa kompania polake “Xanto SP. ZO.O.” nuk ka dorëzuar asnjë sasi vaji apo sheqeri.
Në deklarim, Lipovica ka pranuar se kishte kontakte direkte me Ridvan Muharemin, i cili e kishte njoftuar për transportin e grurit dhe kishte hyrë në zyrën e ministres Hajdari për të diskutuar në emër të kompanive të huaja.
“I pandehuri, ka pohuar faktin se e njeh personin Ridvan Muharremi, tani i pandehur. Lidhur me mënyrën se si e njeh të njëjtit, ka deklaruar se i njëjti e kishte thirrë në telefonin e tij zyrtar dhe personal, ku ishte interesuar për pagesat e tij, se a i janë bërë pagesat nga MINT. Gjithashtu pohon edhe faktin se gjatë procesit të furnizimit apo të ardhjes së grurit, i njëjti e kishte kontaktuar për ta informuar se malli (gruri) ishte nisur dhe ishte rrugës për në portin e Durrësit. Përveç tjerash i pandehuri e pohon edhe faktin se Ridvan Muharremin, e kishte njohur edhe kur i njëjti kishte shkuar ne zyrën e ministres, Rozeta Hajdari, për të biseduar për OE “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”. Në raport me personin Ridvan Muharemi, i pandehuri pohon faktin se i njëjti nuk ishte person zyrtar, por e mohon faktin se i njëjti është ftuar nga ai për të negociuar në emër të kompanisë turke, dhe se nga kush është ftuar deklaron se nuk e din”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Paparaci.
Heshtje para prokurorëve, “sekreti” përsëritet si arsyetim
Pas këtyre deklarimeve në polici, Lipovica është thirrur nga Prokuroria më 15 tetor 2024 dhe më 31 korrik 2025, por në të dy rastet ka refuzuar të japë deklaratë, duke u thirrur në të njëjtën arsye si Rozeta Hajdari se dosja është “sekret shtetëror”.
Prokuroria ka theksuar se arsyetimi për “sekret” është i paligjshëm, pasi vendimi i Qeverisë për klasifikim është nxjerrë në bazë të një ligji që nuk ishte në fuqi dhe nuk mund të prodhojë pasoja juridike.
Prokuroria vlerësoi se pretendimet e Lipovicës janë të pabazuara në ligj dhe fakte, duke i cilësuar si përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë penale dhe për të penguar zhvillimin e procedurës.



