
Dëshmitari Covey thotë se UNMIK-u nuk e ka trajtuar Thaçin si komandant
Dëshmitari Jock Covey ka deklaruar të martën në Hagë se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i njohur si UNMIK, nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant.
“Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, ka thënë ai.
Fillimisht, dëshmitarit i është prezantuar një dokument që thuhet se Thaçi ia ka dërguar Bernard Kouchnerit në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së.
Sipas kësaj letre, avokati Luka Mishetiq, ka thënë se u kërkohej disa personave të UÇK-së që të mbajnë armë. Por, Covet ka thënë se ata nuk i janë përgjigjur kësaj letre.
Dëshmitari është pyetur se gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë, kur mendon se ka përfunduar konflikti në mes UÇK-së dhe forcave serbe.
“Sipas nesh, konflikti përfundoi me marrëveshjen që serbët të tërhiqen që më duket së është nënshkruar me datën 20 qershor. Nuk më kujtohet thjesht, por ekziston dokumenti. Zbatimi i këtij dokumenti i dha formë zyrtare përfundimit të këtij konflikti”, ka thënë Covey, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka mohuar se pas kësaj date kanë pasur dijeni për ndonjë përleshje të armatosur mes palëve. Covey ka thënë se nuk ka qenë në dijeni as për ndonjë fshat apo qytet në Kosovë të ishte rrethuar nga forcat serbe.