DHEMBJA INDIVIDUALE, E PËRBOTSHME

25 qershor 11:20

RESMIJE KRYEZIU

Gjatë jetës ballafaqohemi me gëzime dhe hidhërime. Nëse gëzimet na përsëriten mësohemi me to dhe nuk dimë ta çmojmë vlerën që ka një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një përkëdheli. Dhembja e përsëritur na topitë dhe nga tretja e ngopur nuk mund ta përballojmë atë dhe e bindim veten ta harrojmë, ta fshijmë nga kujtesa atë që na ka lënduar dhe, atëherë, fatkeqësisht, dhembjet na ripërsëriten.

Me romanin Lodrimi i madh i vdekjes Kristaq F. Shabani arrin që, duke e personalizuar dhembjen me personazhe reale, këtë dhembje ta bëjë të përbotshme.

Këta njerëz që janë bartës të dhembjes së tyre reale, kështu si janë paraqitur në këtë vepër, ata nuk janë më personazhe, por duke qenë pjesë e dhembjes, dhembje që nuk është më vetëm e tyre, shndërrohen në bartës të dhembjes, ndër njerëzit, kohët dhe meridianët duke e shndërruar dhembjen e tyre në dhembje të të gjithëve.

Kjo formë e të shkruarit sado që i zgjeron horizontet e përjetimit letrar, duke ua veshur petkat e bashkëkohësisë dhe të kohëve që do të vijnë, faktin jetësor e shndërron në artefakt letrar dhe për ne që e njohim këtë realitet, i besojmë asaj që lexojmë, ndërsa ata që janë jashtë këtij qarku të cilit ne i takojmë, këto fakte, edhe pa ditur që janë realitet, si realitet do t’i pranojmë. Dokumentet historike që janë dëshmi e ravijëzimit të shtigjeve të krijimit neve na përkujtojnë se ajo çka ka ndodhur me shqiptarët e Kosovës në fundshekullin e njëzet s’është rastësi, apo çmenduri e një individi, por platformë vrastare e politikave sa antishqiptare aq edhe antinjerëzore. Se kush tha se Hegeli kishte thënë: “Nëse nuk pajtohemi me fakte – vaj halli për faktet”. Autori Kristaq F. Shabani na përkujton me një ftohtësi se vetëm duke i vlerësuar faktet nga e kaluara duhet të nxjerrim mësime për të sotmen dhe për të ardhmen.

Lodrimi i madh i vdekjes është roman që është realizuar mbi përvojën e romanit modern dhe postmodern, që është menduar, para së gjithash, si mjeshtri e kombinuar, si një lloj i veçantë që bashkon strukturat letrare dhe joletrare në një shprehje artistike gjuhësore, të bazuar në mundësitë e pakufishme të kombinimeve të elementeve të ndryshme, reales dhe joreales, faktit dhe materialit të stisur.

Stili i tij letrar nuk është një gjerdan i zbukuruar, por gjuhë që, në vend se të na kënaqë, na detyron të mendojmë. Kjo vepër mund të cilësohet si vepër postmoderne, në shtratin e së cilës rrjedhin në mënyrë të barabartë format e ekstremit stilistik pluralist, ku pa ngurrim luhet me zhanre, duke i ndërlidhur shenjat e ndryshme semiotike në tërësinë letrare. Ky përkufizim stilistik nuk e pengon lexuesin dhe nuk kërkon nga ai që për ta lexuar dhe kuptuar këtë vepër që të jetë njohës i shtigjeve bashkëkohore të letërsisë – përkundrazi, pikërisht kjo formë e të shkruarit atë e bën bashkëpjesëtar, dëshmitar të fakteve të pakontestueshme që u kanë ndodhur të tjerëve, pavarësisht a janë ata bashkëkohës të personazheve që janë subjekte të vërtetë të atyre fakteve apo lexues të panjohur dhe të painformuar për ato fakte që janë objekt i kësaj vepre. Kjo mënyrë e të shkruarit i fshin kufijtë e kohës dhe hapësirës duke u bërë pjesë e gjithë njerëzimit dhe përmbajtje e ndërgjegjes njerëzore, pavarësisht ku gjenden ata.

Në fillimet e këtij romani që s’është roman, tregimi që s’është tregim, vepër shkencore që nuk është vepër shkencore, e që prapë ngjason të jetë me karakteristika të të gjitha atyre që u thanë se nuk u takon, çuditërisht në vete ka shumëçka që i përkufizon kufijtë dhe logjikën apo jologjiken e ekzistencës njerëzore; ballafaqohemi me reflektime që secili veç e veç dhe të gjithë bashkërisht na ndërgjegjësojnë për huqet dhe sukseset e shtegtimit të njeriut nga stadet më të ulëta të civilizimit deri te paroksizmi i politikës, nebulozat e filozofisë. Në të gjithë këtë tentativë të zbërthimit të kuptimeve të dritëhijeve të ekzistencës njerëzore qëndron etaloni themeltar i gjakimit për harmoni. Kjo harmoni që niset nga shtatërrokëshi muzikor që nis e përfundon me bazën e pentagramit, sikur lypset që në këtë thjeshtësi përmbajtjesore, e në të njëjtën kohë qetësi universi, të kërkohet vendi për rriten dhe ruajtjen e gjenit tonë kombëtar që u bëri ballë vorbullave historike gjithmonë duke e pasur parasysh pyetjen, ku ishim, a ishim vërtet pjesë e këtij amalgame njerëzore që ndër shekuj ndërroi ngjyrë duke u përzierë me kultura që si lumenj na vërshuan. Ku nisi dhe ku u tret dhe prapë u ngjall ai fill i humbur në mugëtira të kohëve në kërkim të vendit të merituar në agimet e civilizimeve. Sa plagoma apo shekuj drite u larguam nga shtegu fillestar – janë dilema që drithërojnë në faqet e këtij libri të çuditshëm të autorit Kristaq F. Shabani.

Të gjitha këto pyetje së bashku nuk japin shpjegime, por na qëllojnë si flakë rrufesh duke na detyruar të mendojmë se: kush ishim, ku ishim, kush jemi dhe kah po shkojmë. A mos kemi humbur? A mos e kemi gjetur vetveten në një vend të njëjtë e prapë ndryshe? Të gjitha këto janë pyetje që nuk ofrojnë përgjigje, tundime që na detyrojnë të reflektojmë për veten tonë nëse nuk dëshirojmë të humbim ndër rrudha, hone të harresës së historisë. Këto valë shqetësimi, që si oqean i tërbuar i mbamendjes njerëzore e rrahin autorin, duke e përplasur, por duke mos e vrarë, sikur kanë qëllim që ai shqetësim të bartet te lexuesi dhe, siç thotë filozofi spanjoll Miguel de Unamuno: “Populli im, të dua aq shumë sa, me kënaqësinë më të madhe, do të ta hapja zemrën dhe në të do të të fusja kripë që kurrë të mos jesh i qetë”. Kripa e veprës së Kristaq F. Shabanit faqe pas faqe na i përplas para syve të vërtetat që sa të lëndojnë aq të detyrojnë t’i hapësh sytë në kërkim të së vërtetës. Krijuesi nuk jep përgjigje, ai shpalos tema të cilat ngrehin pyetje që secili nga ne duhet ta gjejë përgjigjen e vet.

Kjo materie edhe emërtimin e ka të çuditshëm, Lodrimi i madh i vdekjes, neoroman dramë. Pikërisht ky emërtim është udhërrëfyes drejt shpalosjes së mistereve të ekzistencës njerëzore në përgjithësi dhe kombëtares në veçanti. Kjo formë e shprehjes sikur lë mundësi që pa humbur nga kuptimi, romani të lexohet qoftë nga gjysma, qoftë nga fillimi, për arsye se ashtu si përsëritet shtatë notesi muzikor, përsëritet edhe jeta e njeriut që modifikohet me pak, e ajo “pakës” në jetën e njeriut mund të prodhojë sa shumësi qoftë të mira qoftë të këqija. Kjo formë e të shkruarit nuk kërkon pëlqim apo nuk ka synim pëlqimin. Kjo vepër synon të na shqetësojë dhe nga ky shqetësim intelektual, të na shtyjë në aventurën e zbulimit të së vërtetës, sa për qenien njerëzore aq edhe për vetën tonë.

Emrat që përdoren në këtë vepër kanë rastisur të jenë të vërtetë. Emrat e atyre që kanë pësuar në këtë rrugëtim të golgotës shqiptare, i dinë familjarët e njerëzve të përmendur, qofshin ata të gjallë apo që kanë pësuar. Për lexuesit që nuk i njohin këta emra nuk kanë ndonjë kuptim të madh, por përjetimet e tyre e bartin emrin ee tyre. Dhe, siç thotë Zhak Derrida në studimin e vet, nga “Levi Strosi deri te Rusoi”: “Emri shëmbëllen shenjën për njohje. Gjatë identifikimit të të tjerëve, gjegjësisht duke i klasifikuar ata, ne e bëjmë edhe klasifikimin dhe identifikimin e vetes sonë”. Në këtë vepër, emrat e përveçëm, qofshin ata burra apo gra, dallojnë; e përbashkëta e të gjithë atyre është dhembja, flijimi apo qëndresa. Pse autori i përmend emrat? Sado që këta emra janë të vërtetë për ata që e njohin ngjarjen dhe mjedisin ku ajo ngjarje ka ndodhur, për lexuesit që njihen për herë të parë me këtë ngjarje, emri është edhe një vulë në përforcimin e faktit për të cilin bën fjalë ngjarja. Edhe kjo mënyrë e shprehjes të së vërtetës është e mirëqenë në kuadër të formës së përzgjedhur të trajtimit të kësaj materie letrare. Përdorimi i emrave të vërtetë të njerëzve përputhet me metodën e postmodernizmit, ku pjesë dhe ngjarje nga historia trupëzohen në vepër si pjesë të romanit.

Gjatë leximit të veprës Lodrimi i madh i vdekjes na përkujtohet ndjeshmëria që lindet nga leximi i veprave të antikes greko-romake. Ngjarjet që në të kaluarën e historisë së njerëzimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori dhe kujtesën e njerëzimit ngjasojnë me ngjarjet që janë subjekt i kësaj vepre. Luljeta Sharani është një Hekubë e kohës sonë dhe jo vetëm aq, por shumë më e fuqishme se Hekuba e Trojës, gruaja e Prijamit, nëna e Hektorit të vrarë. Vaji i saj që në letërsinë botërore çmohet si një artikulim sublim i dhembjes së nënës për të birin e vrarë në luftë është më pak i fuqishëm se dhembja e Luljeta Sharanit. Hektori kishte mundësi të luftojë për jetën e tij. Të bijtë dhe bashkëshorti i Luljeta Sharanit nuk e patën atë mundësi dhe pikërisht ekzekutimi i tyre rëndon shumë më tepër se vdekja e një luftëtari në fushëbetejë. Ne nuk i kemi njohur këta personazhe pikërisht pse ishin njerëz të rëndomtë që e kishin vetëm një faj – fajin se janë shqiptarë dhe se janë të gjallë. Ballafaqimi me një faj të këtillë, për sa mund të jetë faj të jetosh dhe të jesh ai që je, e spikatë egërsinë e vrasësve që e kishin humbur njerëzoren. Për ata, që nuk i kanë njohur këta njerëz, viktima të pafajshme, tmerri se pafajësia e tyre u ka sjellë vdekjen, është tmerr i pafund. Pikërisht kjo ngjarje e përkufizuar në këtë mënyrë dhe këtë formë, synon dhe ia arrin që t’i tejkalojë caqet e hapësirës fizike ku ka ndodhur kjo, duke u bërë lament për viktimat e pafajshme dhe klithmë e fuqishme në mbrojtje të njerëzores dhe akuzë e pashlyeshme për të gjithë ata që, ndonëse e kanë humbur njerëzoren, pretendojnë të qeverisin me të tjerët, pavarësisht se në ç’vend, pavarësisht se në ç’kohë. Duke i stigmatizuar vrasësit autori nuk e mbron vetëm familjen Sharani, po të gjithë ata që kanë qenë viktima vetëm e vetëm se kanë qenë gjallë dhe shqiptarë, i mbron edhe të gjitha viktimat që janë apo mund të jenë në botë ku mizoria e jonjerëzores e lufton njerëzoren.

Në këtë vepër, që është një vepër që i shqyen kufijtë e romanit tradicional, idenë e tij, përkushtimin për mbrojtje të njerëzores e mbështesin qoftë fjalimet e Klintonit dhe të Blerit, që u paraprijnë shpëtimtarëve lidhur me luftën e Kosovës, qoftë shkrimet e Naxhije Doçit, Aristidh P. Kolja të gazetarit Kristos Telidhis, apo kolonelit Hajro Limaj e shumë dokumente të tjera që janë pjesë përbërëse e këtij libri ngaqë, në këtë luftë për mbrojtje të njerëzores, nuk është vetëm autori i këtij libri, por janë të gjithë ata që në veprat e tyre, qofshin ato të vogla apo të mëdha, pulson ideja e mbrojtjes së njerëzores.

Nëna Terezë thotë: “Për ta mbrojtur oqeanin duhet ta shpëtojmë pikën e ujit”, apo si e nis Hemingueji romanin e vet Për kë bien kambanat: “Nëse një njeri vdes, njerëzimi është më pak për një njeri e, duke qenë ti pjesë e njerëzimit, me atë njeri vdes një pjesë jotja, prandaj mos pyet për kë bien kambanat”, mos pyet për kë këndohen sallat nga minaret e xhamive. Ato kambana dhe ato salla bien për ty dhe këndohen për ty njeri.

Nëse duam të jemi njeri, nëse duam jetën ta bëjmë më njerëzore, të mundohemi që të ketë sa më pak kambana të vdekjes.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 400 shkolla në rajonin Johor të Malajzisë u mbyllën,…