Dhjetë vëllime me rrëfime të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

13 qershor 2025 | 15:18

Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot do t’i dorëzojë Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe dhjetë vëllimet e librit që dokumentojnë rrëfimet autentike të të mbijetuarve të kësaj tragjedie.

Këto botime përmbajnë dëshmi të gjalla dhe rrëfime personale nga të mbijetuarit e masakrës të vitit 1999, një nga krimet më të rënda të kryera nga policia serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Kompleti prej dhjetë vëllimesh, me titull “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, do t’u dorëzohet familjarëve të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve.

Projekti, i udhëhequr nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe profesorët e Institutit të Antropologjisë, Arsim Canolli, Tahir Latifi dhe Shemsi Krasniqi, dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfshiu mbledhjen, dokumentimin dhe publikimin e mbi 200 intervistave të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të librave do të mbahet sot në Muzeun e Krushës së Madhe, me fillim nga ora 18:00, dhe organizohet nga komuna e Rahovecit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe Mbretëria e Belgjikës…