DHJETË VITE LËVIZJE PËR LËVIZJEN
(10 – vjetori i krijimit të Shoqërisë LËVIZJA)
Nga Xhevat Xhini
Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Shoqërisë LËVIZJA, të dashur përfaqësues të Organizatës së Dëshmorëve, të ftuar të nderuar, miq dhe bashkëveprimtarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe Mërgata!
Është një privilegj dhe nder i veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tubim jubilar, ku shënojmë 10-vjetorin e themelimit të Shoqërisë LËVIZJA, një organizatë që në këto dhjetë vite ka dëshmuar jo vetëm qëndrueshmëri institucionale, por edhe maturi intelektuale, seriozitet shkencor dhe angazhim të pandërprerë në shërbim të kujtesës historike dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Shoqëria LËVIZJA u themelua me dëshirën që të jetë adresa dhe vendtakimi ynë në kohën kur shumë shokë, veprimtarë, luftëtarë e drejtues të Lëvizjes e të Luftës sonë Çlirimtare ishin angazhuar në parti të ndryshme politike.
Ky përvjetor merr një domethënie të veçantë, pasi kremtohet në muajin e Nëntorit të Lavdishëm, muaj të cilin tradita, historia dhe vetë identiteti ynë kombëtar e kanë shndërruar në simbol të lirisë, pavarësisë, qëndresës dhe fitoreve historike të idealeve shqiptare. Është muaji i Flamurit dhe i Pavarësisë së Shqipërisë, muaji i Alfabetit dhe i Gjuhës sonë letrare, muaji i Çlirimit të shtetit tonë AMË nga nazifashizmi, muaji i themelimit të UÇK – së dhe i Komandantit Legjendar Adem Jasharit, muaji i sakrificës dhe i vetëdijes kombëtare, muaji ku çdo shqiptar e ndien veten më pranë rrënjëve të tij.
Në këtë atmosferë të solemnitetit kombëtar, me nderim të veçantë presim dhe përshëndesim ardhjen e përfaqësuesve të Organizatës së Dëshmorëve të Shqipërisë — z. Namik Dokle, një figurë e njohur e jetës publike e shtetërore shqiptare dhe autor i shumë librave, si dhe z. Enver Reçi, Sekretar i Organizatës, i shoqëruar nga zonja e tij. Prania juaj mes nesh nuk është vetëm respekt protokollar, por është një shenjë e qartë e bashkëpunimit që ndërton ura ndërmjet institucioneve, organizatave dhe shoqërive që i shërbejnë të njëjtit mision: nderimit të Dëshmorëve të Atdheut dhe mbrojtjes së vlerave themelore të identitetit tonë historik.
Shoqëria LËVIZJA, e themeluar një dekadë më parë, lindi si një nevojë objektive dhe e natyrshme për të institucionalizuar përvojën, idealet dhe kontributet e veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare, të intelektualëve të angazhuar dhe të luftëtarëve për liri e bashkim kombëtar. Ajo u krijua me bindjen se kujtesa historike kërkon ruajtës të përkushtuar, dëshmitarë të ndërgjegjshëm dhe organizim të strukturuar. Në rrjedhën e këtyre dhjetë viteve, LËVIZJA ka treguar se është jo vetëm një Shoqëri, por edhe një institucion i kujtesës aktive, një hapësirë dialogu, promovimi, studimi, reflektimi dhe afirmimi të vlerave kombëtare.
Në këtë dekadë veprimtarie, Shoqëria LËVIZJA ka arritur: Të vendos standarde të reja në trajtimin e kujtesës historike, përmes aktiviteteve kulturore, akademike dhe përkujtimore. Të përforcojë lidhjet horizontale dhe vertikale me institucionet kombëtare, me shoqatat homologe dhe me institutet tona shkencore në gjithë gjeografinë shqiptare, si dhe me Mërgatën tonë. Të kontribuojë në kujtimin dhe ndriçimin e ngjarjeve dhe figurave historike, duke ruajtur objektivitetin shkencor dhe integritetin moral. Të krijojë një platformë ndërbrezore, ku brezi i dëshmitarëve dhe i veprimtarëve të historisë kombëtare bashkëbisedon me brezat e rinj, duke transmetuar vlera, ideale dhe dije të rralla. Të mbrojë vlerat dhe dinjitetin e Veteranëve të Lëvizjes dhe të Luftës sonë Çlirimtare, duke artikuluar publikisht nevojën e trajtimit dhe vlerësimit institucional, moral dhe shoqëror të kontributit të tyre. Të forcojë ndërgjegjen kolektive, duke kultivuar rrëfimin e drejtë të historisë sonë, duke e mbështetur me publikime, studime dhe debate të rëndësishme shkencore. Në planin akademik, LËVIZJA ka dëshmuar se është e aftë të mbajë gjallë kulturën e analizës kritike, të promovojë debatin e argumentuar dhe të kontribuojë në ndriçimin e periudhave historike të cilat shpesh janë keqkuptuar, keqinterpretuar ose neglizhuar.
Në një kohë kur relativizimi historik dhe dezinformimi përbëjnë sfida serioze, roli i organizatave si LËVIZJA bëhet edhe më i domosdoshëm.
Ky 10-vjetor është një moment i rëndësishëm reflektimi. Ai na fton të shikojmë me përgjegjësi jo vetëm atë që kemi bërë, por edhe atë që na pret përpara. Sepse detyra jonë nuk mbaron me përkujtim; ajo vazhdon me studim, me edukim, me ndërgjegjësim shoqëror dhe me promovimin e vlerave që kanë mbajtur gjallë identitetin tonë ndër shekuj. E ardhmja na kërkon përgatitje, vizion dhe bashkim. Dhe LËVIZJA, bashkë me organizatat tjera autoktone, është shembull se si ndërtohet një traditë e institucionalizuar bashkëpunimi që i reziston kohës.
Prandaj, sot, në këtë ditë jubile, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për:
-anëtarët themelues, që vunë themelet e shëndosha të kësaj Shoqërie,
-veprimtarët e palodhur, të cilët me kontributin e tyre vullnetar dhe profesional e kanë mbajtur LËVIZJEN aktive dhe të respektuar,
-të rinjtë, që me energjinë e tyre i japin organizatës dimensionin e vazhdimësisë,
-miqtë dhe bashkëveprimtarët e bashkëpunëtorët, që e kanë mbështetur në çdo hap.
Le të vazhdojmë punën tonë me qetësi, me profesionalizëm dhe me përkushtim atdhetar. Le të ruajmë integritetin e kujtesës historike dhe ta mbrojmë atë nga keqpërdorimet. Le të forcojmë bashkëpunimin ndërshqiptar dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një kulture kombëtare që bazohet në mirëkuptim, dinjitet, drejtësi dhe vlerë.
Ju faleminderit për praninë, për kontributin dhe për mbështetjen tuaj në këtë udhëtim dhjetëvjeçar! Sot e përgjithmonë përulemi me nderim të thellë para Dëshmorëve dhe para gjithë atyre që u përpoqën e luftuan me penë e me pushkë për liri e bashkim kombëtar!
Urime 10-vjetorin e Shoqërisë LËVIZJA! Gëzuar Festat e Nëntorit dhe qofshim gjithënjë në shërbim të vlerave më të larta kombëtare! Gjithmonë gëzime e përparime për Shqipërinë tonë dhe për shqiptarët kudo që janë!
GËZUAR!
Prishtinë, më 23 Nëntor 2025
https://www.facebook.com/share/p/17TK6f16uo/?mibextid=wwXIfr



