Dhjetëra kompani ofertojnë për të blerë IPKO-n, s’dihen blerësit potencialë
Dhjetëra kompani kanë ofertuar për blerjen e kompanisë mobile IPKO nga Telekomi i Sllovenisë, por që emrat e blerësve potencialë nuk i ka ende Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Për ofertën e Telekomit të Serbisë dhe të një kompanie tjetër vendore që ka vepruar në tregun e telefonisë mobile, që përveç “Valës” dhe IPKO-s është edhe kompania “Z-Mobile”, është diskutuar të martën në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi.
Anëtari i Bordit të ARKEP-it, Shqipërim Pula, ka thënë se në mesin e muajit nëntor do të njoftohen me emrat e blerësve potencialë. Ai ka folur rreth mundësisë që në tregun e Kosovës të hyjë Telekomi i Serbisë. “Nuk vjen në konsideratë që ata të hyjnë në Kosovë derisa jam unë, nuk e them për patriotizëm”, ka thënë Pula.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se atij i intereson nëse do të ketë garanci për shfrytëzimin e aseteve të IPKO-s.
Anëtarët e Bordit të ARKEP-it janë pyetur edhe për ofertën e një kompanie vendore që vepron në tregun e telekomunikacionit për blerjen e IPKO-s. Përveç IPKO-s dhe “Valës”, vepron edhe Kompania “Z-Mobile”, e cila ka fituar procesin e Arbitrazhit ndaj Telekomit, duke përfituar 32 milionë euro si dëmshpërblim, raporton “Koha”.
Por, për këtë anëtari i Bordit të ARKEP-it ka thënë se nuk komenton emra pa pasur informata zyrtare.
Ai ka bërë të ditur se ARKEP-i do të kërkojë hetim nga Inteligjenca Financiare dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) për prejardhjen e parave dhe të kaluarën e blerësve potencialë.
Telekom Slovenije e ka nxjerrë në shitje IPKO-n në mesin e korrikut të vitit të kaluar. Ai këshillohet nga “Erste Group”, me bazë në Austri, në procesin e shitjes së aksioneve, si pjesë e strategjisë së përgjithshme të operatorit për t’u larguar nga tregu i Kosovës deri në 2023.



