Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e përfundon vitin me plotë lëndë të pakryera

18 dhjetor 11:30

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DhPGjS) edhe gjatë vitit 2017 është përballur me ngarkesë të madhe me lëndë dhe me një mori problemesh që e kanë vështirësuar punën në këtë gjykatë.

Sipas komunikatës së Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në fillim të vitit 2017 kanë mbetur pa u kryer nga vitet paraprake 20 828 lëndë në shkallën e parë dhe 769 në shkallën e dytë, gjithsej 21 597 lëndë të gjitha natyrave.

“Prej 3 janar 2017 e deri 15 dhjetor 2017, janë pranuar edhe 1 161 lëndë në shkallën e parë dhe 719 lëndë të reja në shkallën e dytë, gjithsej 1 880 lëndë. Gjatë kësaj periudhe 3 janar 2017 – 15 dhjetor 2017 janë zgjidhur 2 070 lëndë në shkallën e parë dhe 395 lëndë në shkallën e dytë, gjithsej 2 465 lëndë. Me datën 15 dhjetor 2017 kanë mbetur të pakryera edhe 19 921 lëndë në shkallën e parë dhe 1 091 lëndë në shkallën e dytë, gjithsej të pakryera 21 012 lëndë në të dy shkallët”, është thënë në këtë komunikatë.

Më tej në këtë komunikatë bëhet me dije se gjykata në dy vitet e fundit të punës i ka 20 gjyqtarë, aq sa lejon ligji aktual i Dhomës së Posaçme, mirëpo nuk është numri i mjaftuar i gjyqtarëve për ta përballuar këtë ngarkesë kaq të madhe të lëndëve. “Gjykata që nga fillimi, e posaçërisht pas kompletimit të gjyqtarëve vendorë ka ndjerë mungesën edhe të këshilltarëve ligjor, të përkthyesve dhe të sekretareve juridike, gjegjësisht zyrtarëve ligjor”, është thënë në komunikatën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Gjithashtu DhPGjS-ja përballet edhe me mungesën e hapësirës së nevojshme për punë. “Aktualisht DhPGjS-ja është vendosur në katin e IV-të të Objektit A, të Pallatit të Drejtësisë dhe dy zyre i shfrytëzon të katit të III-të. Kjo hapësirë pune të cilën e shfrytëzon DhPGjS-ja nuk është e mjaftueshme.

DhPGjS-ja ka nevojë që në vitin 2018 por edhe në vitet vijuese të mbështetet si në aspektin kadrovik ashtu edhe në aspektin material- financiar, por gjithashtu ka nevojë t’i sigurohet hapësirë e mjaftueshme për punë normale të stafit ekzistues dhe të atij që pritet që do të vijë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një mori ambasadorësh arabë i kanë kërkuar Indisë ta sqarojë…