Dhuna e tmerrshme ndaj refugjatëve të ndarë nga familjet e tyre

16 prill 2021 | 23:08

Shkruan: Lulzim Sahiti

Në mbrëmjen 25 marsit të vitit 1999, forcat serbe në shenjë hakmarrje për shkak të bombardimeve të NATO-s, kishin mësyrë Bashkësinë e Parë të Shtimes, përkatësisht shtëpitë përgjatë rrugës “Adem Jashari” e cila të çon në Prishtinë.

Rreth orës 20:00 të mbrëmjes me automjete të blinduara luftarake kishin insure gjuajtjen me armë të llojeve të ndryshme në këtë lagje. Krahas gjuajtjeve të pakontrolluara në drejtim të shtëpive të shqiptarëve kishin djegur disa shtëpi. Me këtë rast, për të shpëtuar kokën shumë banorë të kësaj lagjeje kishin braktisur shtëpitë e tyre duke ikur në drejtim të fshatrave fqinje.

Në mesin e shumë familjeve që atë natë kishin lëshuar shtëpitë ishte edhe familja e Skender Isa Dautit, i cili bashkë me gruan dhe dy fëmijë, babanë, nënën, vëllaun dhe kunatën kishin shkuar te familja e Bajram Aziz Qorrollit në fshatin Rashincë. Të nesërmen, kjo familje kishte ndërruar vendbanimin duke shkuar në Vojnovc te dhëndri i tyre, Shefqet Mehmeti.

Mirëpo, sa më shumë që zgjatej fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe aq më shumë vinte duke u ngushtuar rrethi për popullsinë civile kudo në Kosovë. Çdo natë e bënin me ankth duke pritur barbarët serbë kur po ndërhyjnë. Në atë kohë, më rëndësi ishte ta shpëtoje kokën sepse ka qënë vështirë ta prisje vdekjen në këmbë pa pasur mundësi që të mbrohësh!

Nga mesi i prillit, mijëra banorë të komunës së Shtimes u gjendën të strehuar në kampe në Maqedoni, ndërsa një pjesë më e vogël u nxor me dhunë për në Shqipëri. Linja hekurudhore në qytetin e Ferizajt ishte shndërruar në një pikë të rëndësishme tranziti për deportimin e shqiptarëve nga Kosova e Jugut për në Maqedoni.

Ditë pas dite, për të shpëtuar kthetrave të regjimit serb të Milosheviqit, familja Dauti e Shtimes si shumë familje tjera kosovare kishte vendosur që më 30 prill të vitit 1999 të shpërngulet në Maqedoni. Në ora 12 e 50 minuta, në Ferizaj kishin hipur në tren. Vagonët ishin mbushur përplotë shqiptarë që detyroheshin dhunshëm të braktisin vendin e tyre. Me të mbërritur treni në zonën kufitare në Han të Elezit aty ndalet dhe refugjatët e shumtë fillojnë të zbresin një nga një.

Ngjashëm veproi edhe familja Dauti. Policia serbe ishin në pritje. Nga turma e madhe e njerëzve, policia nisi të ndalonte sipas tekeve të tyre. Pra, i ndante meshkujt nga familjet e tyre. Një “fat” të tillë e pati edhe Skender Dauti që asokohe ishte vetëm 34-vjeçar si dhe një djalosh i ri (Gazmend Latifi) nga Belinci që ishte vetëm 16 vjeçar.

Astriti 5-vjeçar nuk ndahej nga babai i tij, Skenderi. Mirëpo barbarët e paftyrë e shtyjnë me kondak të pushkës. Aty, nja një orë i mbajnë përjashta. Për çështje sigurie, Skenderi e kishte pyetur Gazmendin mos ke ndonjë gjë në xhepa. Djaloshi i ri i kishte treguar se e ka një brisk të vogël në xhep por nuk guxonte që ta nxirrte për ta gjuajtur ndokund.

Atëherë, Skenderi vjedhurazi ia kishte tërhequr briskun nga xhepi duke ia hedhur në një vend me lule që ishin pranë tyre. Ndërkohë, forcat serbe ua lidhin duart dhe i dërgojnë në një shtëpi private të Hanit të Elezit. Një polic na futi në një dhomë dhe e la derën hapur, ku në pjesën tjetër shiheshin edhe policë tjerë. Ky polic për rreth një orë na ka rrahur me një dru bjsbolli. Britma jonë dëgjohej në kupë të qiellit saqë ndërhyri komandanti i tij duke i bërtitur: “Dosta više!” (Mjaft më).

Mandej, nga këtu gjithnjë me duar të lidhura na kanë dërguar në Stacion të Policisë në Kaçanik. Aty na kanë rrahur mbi dhjetë veta, që ishin të veshur me uniformë të policisë, por ka pasur edhe paramilitarë. Këtu na kanë rrahur edhe më shumë, me shufra metalike të karrigave.

Gazmendin kanë qenë duke e mbytur krejt. Kur e kam parë se po dojnë me mbytur, kam reaguar instiktivisht dhe ju kam bërtitur serbisht “Dosta više!” (Mjaft më). Për fat u ndalën. Mirëpo më pastaj filluan gjahun ndaj meje. Më kanë rrahur aq shumë saqë e humbja nganjëherë vetëdijen nga goditjet që më bënin në të gjitha pjesët e trupit. Herëpashere më hedhnin ujë për t’u këndellur. Dikur njëri nga policët tha zgjidhnja duart se nuk mund të ikin. Përderisa isha brenda stacionit, kam dëgjuar përjashta rafalet e UÇK-së që bënte luftë me forcat armike.

Zemra më bëhej mal nga gëzimi. Me fjalë nuk mund të përshkruhet kjo ndjenjë. Këtu na kanë mbajtur rreth dy orë. Pastaj, na kanë hipur në një veturë civile “Golf-2”, sërish të lidhur me pranga dhe asnjë fjalë nuk kemi bërë deri në Ferizaj, ku na dërguan në kafenenë “Pranvera” në bodrum. Të pranishëm kishin qenë 15 veta, me neve u bënë 17 të burgosur shqiptarë. Aty e gjeta Nashet Jakupin e Reçakut dhe Xhavit Metushin e Koshares. Të tjerët nuk i njihja. Nga të rrahurat që kisha pësuar, këmba dhe dora e djathtë nuk më funksiononin fare. Kokën e kam pasur krejtësisht të përgjakur.

Bodrumi kishte qenë i mbuluar me pak ujë dhe tërë natën e kalova zgjuar. Dikund kah ora 21:00 e kam kërkur një cigare nga shokët e burgosur. Njëri më dha duhan për të tymosur, mirëpo të tjerët reaguan: “Të lutem mos na merrë në qafë!” Megjithatë unë rrezikova dhe e ndeza një cigare duke shfrytëzuar kohën kur një polic përjashta ishte habitur duke këqyr qentë se si kacafyteshin ndërmjet vete.

Herët në mëngjes, një policit serb ia kemi dhënë 5 marka gjermane me na blerë bukë dhe ujë. Pas një ore e gjysmë polici është kthyer pa na blerë asgjë. Nuk kishte gjetur bukë dhe të hollat ua kishte kthyer.

Ndërsa dy shishe me ujë ua sjellë fshehurazi duke ju rekomanduar që mos t’i tregojnë askujt. Rreth orës 9:00, me rroba civile kanë ardhur inspektorët e sigurimit shtetëror: Dragan Jašović, Serboljub Vojinović dhe Darko Amanović. Ndërkohë rreth orës 11:00 në oborr i kanë sjellë dy ushtarë të UÇK-së pa shenja jete. I shtrinë në oborr dhe një mjek serb me stetoskop i kontrollonte për të parë a kanë shenja jete.

Dikur më thirrën në zyrën që ishte sipër bodrumit dhe Serboljubi filloi të më merrë në pyetje. “Çka e ke Farukun?”, kjo ishte pyetja e parë. U përgjigja: Kushëri! Ku është Faruku? Në mal. Mandej më pyeti ku ke dasht me shkuar. Fillova t’i tregoj që jam nisur me shku te halla në Shkup (Hazbije Tërshana). Aty prezent ishte edhe Amanovići, me të cilin njihesha prej kohës së studimeve në Beograd, me të cilin kemi qenë në Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Serboljub-it i thash: Çka do që keni me më pyetur mua, të gjitha i di Amanovići!

Më tutje nuk e kanë zgjatur me mua dhe Darko Amanović më ka kapur për krahu sepse isha i dërrmuar tërësisht dhe më ka dërguar shkallëve në bodrum. Ai më tha se askush më nuk guxon me të prekë. Po i them: “Boll më kanë rrahur!” Rreth orës 15:00 më kanë liruar dhe në oborr kam parë disa fshatarë nga Petrova, të cilët i kishte sjellë policia serbe. Këtë ditë kam shkuar në banesë te tezja Lutfije Fejzullahu, e cila ishte mësuese në Ferizaj. Banesa ka qenë rreth 1 kilometër larg kafës “Pranvera”.

Në hyrje të banesës kishte qenë një ushtar i ri nga Novi Sadi, i cili bënte roje. Ky ushtar më ka ndihmuar të ngjitem në katin e dytë dhe më tha: “Shyqyr që ke shpëtuar”. Po i them: “Inshalla edhe ti shpëton”. Kur hyra në banesë te tezja, fillimisht u këqyra në pasqyrë. Çka me pa, isha bërë krejt i zi. Atë natë nuk kam fjetur fare ngase rruga e asfaltuar që kalonte pranë banesës ku isha strehuar vlonte nga paramilitarët dhe policët serbë të armatosur deri në dhëmb të veshur më të zeza e fytyra të lyera me ngjyra. Shtinin me armë automatike me sa fuqi që kishin sikur të çmendur.

Të nesërmen tezja Lutfije më ka siguruar një mjek nga Suhareka, të cilit emrin nuk ia di, por ai më ka shëruar plagët me ilaçet që mi sillte. Ditëve në vijim, Skenderi për çështje sigurie kishte ndërruar lokacionin e qëndrimit nga një vend në tjetrin. Kështu kishte vepruar deri më 12 qershor 1999 kur erdhi dita e madhe e çlirimit për gjithë Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, ka hedhur poshtë mundësinë…