
Dhuntitë e zanave
CHARLES BAUDELAIRE
Kuvendi i madh i zanave ishte mbledhur për t’ua shpërndarë dhuntitë fëmijëve që kishin lindur para njëzet e katër orëve.
Të gjitha këto Motra antike dhe tekanjoze të Fatit, të gjitha këto nëna të çuditshme të gëzimit dhe të dhembjes ishin të ndryshme nga njëra-tjetra. Disa prej tyre kishin një pamje të zymtë dhe të vrerët, disa të tjera një pamje të shkujdesur dhe dinake, disa ishin të reja dhe kishin qenë gjithmonë të reja, disa të tjera ishin të moshuara dhe kishin qenë gjithmonë të moshuara.
Të gjithë baballarët që besonin tek zanat, kishin shkuar në kuvend dhe mbanin në krahë fëmijët e tyre të porsalindur.
Dhuntitë, aftësitë, fati i mbarë, rrethanat e padukshme qëndronin të grumbulluara në krah të trupit gjykues, si medaljet e vendosura mbi një tezgë në një ceremoni ndarje çmimesh. E veçanta ishte se dhuntitë nuk shpërblenin një përpjekje por, përkundrazi, ishin një nder që i bëhej një qenieje të porsalindur, një nder që mund ta përcaktonte fatin dhe të ardhmen e tij ose që mund të ishte burim të këqijash apo të mirash për të.
Zanat e shkreta ishin shumë të zëna me punë, sepse turma e lutësve ishte e madhe dhe bota e ndërmjetme që gjendet midis njeriut dhe Zotit, i nënshtrohet si ne, ligjit të tmerrshëm të Kohës dhe breznisë së saj të pafundme që përbëhet nga ditët, orët, minutat, sekondat.
Në të vërtetë ato ishin po aq të shkalluara sa dhe ministrat gjatë një ditë pritjeje, apo nëpunësit e Mon dë Piete[1] në ditët e festave kombëtare ku mund të jepet kredi pa lënë peng. Kam përshtypjen madje, se herë pas here i hidhnin me padurim një sy akrepave të sahatit si gjykatësit që janë mbyllur që në mëngjes në një seancë dhe nuk mund të rrinë dot pa ëndërruar për darkën, për familjen, për pantoflat e tyre të dashura. Në qoftë se vendimet e drejtësisë së mbinatyrshme jepen me nxitim dhe në mënyrë paksa të rastësishme, nuk duhet të çuditemi që kjo gjë të ngjasë edhe në drejtësinë njerëzore. Në këtë rast, ne vetë do të jemi gjykatës të padrejtë.
Gjatë kësaj dite zanat bënë disa gafa, të cilat mund t’i konsiderojmë si të çuditshme, po të kemi parasysh se ato asnjëherë nuk ishin treguar tekanjoze dhe kishin pasur si tipar dallues pjekurinë.
Ato i dhanë fuqinë për të tërhequr pasurinë si me magnet, trashëgimtarit të vetëm të një familjeje shumë të pasur, i cili ngaqë s’kishte as ndjenjën e shpirtmirësisë dhe as lakminë për të mirat materiale të jetës, do të ndihej më vonë aq ngushtë sa të mos dinte se çfarë të bënte me milionat e tij.
I dhanë dashurinë për të Bukurën dhe dellin poetik djalit të një gurëthyesi rrjepacak, i cili nuk mund të ndikonte fare në talentin dhe as mund të lehtësonte nevojat e pjellës së tij të vajtueshme.
Harrova t’ju them se në këto çaste madhështore, asnjë dhunti nuk mund të hidhej poshtë apo të kundërshtohej.
Kur nuk kishte ngelur më asnjë dhuratë, asnjë bujari për t’ia hedhur kësaj turme njerëzore të pavlerë, zanat kujtuan se e mbaruan punën angari, dhe u çuan më këmbë. Papritur, një burrë i ndershëm, një tregtar i vogël më duket, u ngrit, dhe pasi kapi me pëllëmbën e dorës fustanin prej avulli shumëngjyrësh të zanës që ishte më afër tij, bërtiti:
– Zonjë! Na harruat! Ka mbetur akoma vogëlushi im! Nuk dua të më shkojë mundimi kot!
Zana u gjend keq sepse nuk kishte ngelur më asgjë. Megjithatë, iu kujtua, në kohën e duhur, një ligj shumë i njohur, i cili zbatohej rrallë në botën e mbinatyrshme të banuar nga zanat, gnomët[2], salamandrat[3], shtojzovallet, silfat[4], sirenat, floçkat, këto hyjnesha të pakapshme nga shqisat, mikesha të njeriut, që janë të detyruara t’u përshtaten shpeshherë pasioneve të tij. E kam fjalën për ligjin që zbatohet kur të gjitha dhuratat shterojnë dhe që u jep zanave të drejtën të japin një dhuratë shtesë dhe të jashtëzakonshme, me kusht që me imagjinatën e tyre ta krijojnë atë aty për aty.
Atëherë zana shpirtmirë iu përgjigj me një siguri në vetvete që i kishte hije sërës së saj:
– I jap djalit tënd… i jap atij… dhuntinë për t’iu pëlqyer të tjerëve!
– Si t’u pëlqejë? T’iu pëlqejë? E pse t’iu pëlqejë? – pyeti me ngulm tregtari i vogël, i cili padyshim bënte pjesë tek ata njerëz që arsyetonin në mënyrë të rëndomtë, dhe që ishin të paaftë të ngriheshin deri te stadi i logjikës së absurditetit.
– Sepse! Sepse! – iu përgjigj zana e hidhëruar duke i kthyer kurrizin. Sapo mbërriti te vargu i shoqeve të saj iu tha:
– Ç’mendoni ju për këtë francez shpirtvogël dhe mburravec, që dëshiron të kuptojë gjithçka, dhe që megjithëse mori për djalin e tij pjesën më të mirë, guxon akoma të pyesë dhe të diskutojë të padiskutueshmen?
[1] Nga frëngjishtja Mont-de-Piété. Institucion francez që jepte para borxh me kusht që të lije diçka peng.
[2] Nga latinishtja gnomus, që është shndërruar nga greqishtja genomos. Xhind shkurtabiq që jeton nën tokë.
[3] Nga greqishtja salamandra. Në antikitet me emrin e këtij zvarraniku quhej, gjithashtu, shpirti i zjarrit, sepse mendohej se salamandra jetonte me lehtësi në zjarr.
[4] Nga latinishtja sylphus. Qenie e mbinatyrshme që jeton në ajër dhe që zhvendoset me një fluturim të lehtë dhe të shpejtë.
Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa.
Marrë nga numri 23 i revistës “Akademia”