Dhurata Hoti, pjesë e edicionit të pestë të “Fiction Fest”

30 tetor 2025 | 14:43

Dhurata Hoti do të jetë pjesë e edicionit të pestë të Festivalit të Prozës Artistike “Fiction Fest”. Ajo është një nga zërat perspektiv në mesin e gjeneratës së re të krijueseve dhe shkrimtareve shqiptare.

Dhurata Hoti është shkrimtare dhe artiste me bazë në Prishtinë. Ka studiuar dramaturgji në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa krijimtaria e saj përfshin drama, skenarë filmash, tregime të shkurtra, poezi dhe publicistikë kulturore. Veprat e saj eksplorojnë identitetin, intimen, traumën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe iluzionit, duke ndërthurur elemente të realizmit magjik me dramën psikologjike. Drama “Sodom Sadomazo” u shpall “Drama më e mirë” në konkursin kombëtar Katarina Josipi dhe u vu në skenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa skenari i filmit “War, Games, and Videotapes” është përzgjedhur për prodhim nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Është autore e përmbledhjeve me tregime “Mjegulla” (2021) dhe “Eliza dhe tregime të tjera” (2023), si dhe fituese e konkursit të festivalit të poezisë Respoetica (2025). Ka marrë pjesë në një sërë programesh dhe rezidencash ndërkombëtare për shkrimtarë dhe artistë. Aktualisht është duke punuar në romanin e saj të parë.

“Dhurata Hoti do të na nderojë me praninë, bisedën dhe leximin nga proza e saj artistike në natën e dytë të këtij festivali (05.11.2025, ora 18:00)”, njofton organizatori i “Fiction Fest”, Adil Olluri.

Ndihmëtare e “Fiction Fest”, i edicionit të pestë, është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian ka qëllim të heqë më tej masat financiare…