Di Maria rrëfen anën njerëzore të Ronaldos: U befasova shumë nga prezenca e tij

21 janar 2026 | 13:13

Angel Di Maria ka ndarë një histori prekëse nga koha e tij te Real Madrid, duke zbuluar një anë më pak të njohur të Cristiano Ronaldos, larg presionit dhe rivalitetit të fushës.

Futbollisti argjentinas ka treguar se në ditëlindjen e tij të parë me Real Madridin, kishte vendosur ta organizonte një ndejë të vogël me disa miq dhe shokë skuadre.

Mes të ftuarve, ai kishte vendosur t’i dërgonte një ftesë edhe Cristiano Ronaldos, më shumë si një gjest miqësor sesa me pritshmëri reale.

“I thashë Cristianos se ishte i mirëpritur në shtëpinë time nëse donte të vinte. Nuk e prisja që do të vinte, por ai më dërgoi një mesazh duke e konfirmuar pjesëmarrjen”, ka rrëfyer Di Maria.

Surpriza ishte edhe më e madhe kur Ronaldo u shfaq dhe u ul me të gjithë të pranishmit, edhe pse ata po konsumonin alkool, diçka që portugezi njihet se nuk e bën.

“Ai u ul jashtë me miqtë e mi që po pinin alkool. Edhe pse ai vetë nuk pi, qëndroi me ta pa asnjë problem. Sinqerisht, u befasova shumë nga prania e tij”, ka thënë ai.

Di Maria e thekson kontrastin mes Ronaldos në fushë dhe jashtë saj: “Në fushë ai fitonte gjithçka, me atë mentalitet fitues që tregonte qartë se ishte numri një. Por jashtë fushës, është një person krejtësisht tjetër – vërtet një njeri i mrekullueshëm”.

Ky rrëfim vjen si një tjetër dëshmi për profesionalizmin, respektin dhe karakterin e Cristiano Ronaldos, i cili përveçse një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë, vazhdon të vlerësohet edhe për sjelljen e tij njerëzore jashtë fushës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 27-vjetorin e rënies, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka…