“Dialog me dy poetë”, flasin Sali Bashota dhe Lulzim Tafa

29 maj 2023 | 20:07

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri “Dialog me dy poetë : flasin Sali Bashota dhe Lulzim Tafa”, intervistuar nga Berat Armagedoni dhe Naime Beqiraj.

Intervistuesit, të cilët e kanë përgatitur këtë botim të librit, në parathënie kanë bërë me dije se “ato që do të donim t’i shkruanim këtu për veprimtarinë e tyre krijuese, i kanë thënë në intervistat që kemi realizuar për revistën ‘Akademia’. Po të shkruanim diçka tjetër për ta, do të kuptohej sikur s’na janë përgjigjur në ndonjërën pyetje. Sali Bashota dhe Lulzim Tafa, ndër poetët më të mirë të Kosovës, na janë përgjigjur në të gjitha pyetjet që u kemi bërë. Prandaj, nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë sesa që ata kanë thënë për vetveten, për letërsinë, për kulturën dhe për të tjerët”.

Poeti Sali Bashota, në njërën prej pyetjeve, ka dhënë këtë përgjigje: “Jam përpjekur të jem i veçantë në poezi. Këtë gjë e vlerësojnë të tjerët. I veçantë me lirizmin, ndjeshmërinë, me dhimbjen, me pikëllimin, me ëndrrat, pastaj me gjuhën, ligjërimin, me stilin, me figurat. A kam shkuar përtej këtyre? Prapë e vlerësojnë të tjerët. Jam përpjekur ta fuqizoj dashurinë për ekzistencën jetësore duke i dhënë përparësi lumturisë për të ngadhënjyer mbi zemërimin, duke e kërkuar burimin e frymëzimeve të mia pikërisht te jeta e njeriut. Mund të jetë ky një rrëfim i çuditshëm dhe i pabesueshëm, por është i sinqertë”.

Ndërsa poeti Lulzim Tafa, i pyetur si ka qenë tema e diskutimit kur në shtëpi tashmë ishte poeti, është përgjigjur: “Ka pasur diskutime të ndryshme për mënyrën e shkrimit, për motivet, për ndonjë personazh a ndonjë motiv të veçantë etj. Shpesh anëtarët e familjes e merrnin në duar librin, e lexonin dhe e rilexonin. Më kujtohet se shkrimi i parë në formë recensioni të shkurtër apo si lajmërim për botime të reja në gazetë ishte në një rubrikë që quhej Vitrina e librit. Pastaj filluan shkrimet dhe recensionet e tjera. S’e di, edhe pse ishte kohë e rëndë, ndonjëherë kur i kujtoj disa çaste të bukura, disi e kam një lloj nostalgjie për atë kohë sepse libri lexohej me pasion dhe poetët admiroheshin shumë. Dikush thoshte se libri është shumë i mirë, dikush s’është i mirë e dikush thoshte mesatar. E rëndësishme ishte se ata merreshin me ne, ndryshe nga sot që ka fare pak diskutim për libra”.

Librin e gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë dhe në librarinë “Altera” në Prizren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këto ditë Shtëpia Botuese “Artini” e botoi librin e prof.…