DIALOGU ARTISTIK

08 shkurt 2019 | 10:44

Shkruan: Ragip Shala

Në raportet Kosovë – Serbi, sa i përket dialogut, kanë dominuar dy forma dialogu: teknik dhe politik. I pari dialog teknik njihet në mes të Murat Gjakës dhe principatës serbe gjatë dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga krahina e Toplicës më 1877. Pastaj është pasuar nga Azem Bejta gjatë Lëvizjes Kaçake në mes dy luftërave botërore. Derisa M. Gjaka ka dialoguar për pronat dhe shtëpinë e tij, A. Bejta ka dialoguar përtej pragut, ka dialoguar për tre fshatrat e “Arbërisë së vogël”.

I pari dialog politik për çështjen e Kosovës ka ndodhur në ujdhesën Vis të Dalmacisë në gusht 1944. Atje përfaqësuesit e ShP të UNÇ të Shqipërisë, në krye me Ramadan Çitakun, i kanë kërkuar Titos, Rankoviqit dhe Gjillasit vetëvendosje për Kosovën! Edhe pas përfundimit të LDB-së ka pasuar dialogu politik për çështjen e vetëvendosjes së Kosovës sipas rezolutës së Konferencës së Bujanit në mes të Titos dhe Enver Hoxhës në Beograd 1946. Pastaj në Moskë në mes të Stalinit dhe Kardelit, si dhe Stalinit e Enver Hoxhës. Pas luftës çlirimtare të UÇK-së, përkundër terrorit shtetëror serb ndaj Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi ka “zbritur” në dialog teknik që ka rezultuar me kontrabandim të kishave dhe manastireve paleokristiane arbërore në objekte kulti ortodokse serbe. Kurse si kryevepër e dialogut teknik konsiderohet fusnota, asociacioni, demarkacioni si dhe Gjykata Speciale për ta “shpërlarë” luftën e UÇK-së! Meqë është konsumuar dialogu teknik, tani radhën e ka dialogu politik.

Për këtë lloj dialogu, tregun politik në Kosovë e përbëjnë dy rreshtime politike: Lëvizja “joviolente” dhe lëvizja klandestine! Sipas lëvizjes “joviolente”, që përbëhet nga struktura të ish-LKJ-së, të konvertuar në “demokratë”, çështja e Kosovës si problem politik në raport me Serbinë zë fill me suprimimin e Autonomisë së Kosovës në mars 1989. Sipas lëvizjes klandestine zezona mbi Kosovën daton që nga okupimi serb i Kosovës më 1912. Këtë rreshtim e përbëjnë kryesisht struktura të lëvizjes klandestine të gjeneratave të ndryshme. Meqë lëvizja “joviolente” ka zotëruar hapësirën mediatike, prandaj ka arritur të kultivojë opinione masive që zezona mbi Kosovën ka rënë në “ngritjen” e Millosheviqit. Nën influencën e lëvizjes “joviolente” është “indoktrinuar” një numër jo i vogël i lëvizjes klandestine për vetëm zezonën millosheviqiane, duke “tradhtuar” zezonën titiste, rankoviqiste etj. Nga rrethanat politike, ekonomike të Kosovës, jo vetëm gjatë RSFJ-së, dhe mbretërisë SKS, por edhe më tej, çështja e raporteve Kosovë – Serbi kalon përtej “kryqëzimit” millosheviqian.

Si e tillë është çështje tredimensionale, e papërcaktuar në kohë, por e përcaktuar në hapësirë. Thelbin e çështjes së raporteve Kosovë – Serbi e përbëjnë konfrontimet permanente jo vetëm në regjimin e Millosheviqit, por regjimin e Titos dhe Rankoviqit, Pashiqit, Obranoviqit etj. Çështje konfrontimesh permanente në raportet Kosovë – Serbi, përmban konfrontime politike, ekonomike, juridike, diplomatike, gjeopolitike, religjioze, historike, ushtarake etj.

Konfrontimet politike

Që nga mesjeta e hershme, nga invadimi i fiseve sllave në GADISHULLIN ILIRIK konfrontimet politike nuk kanë pushuar deri në ditët tona. Thelbin e konfrontimit politik me Serbinë e përbën “Serbia hyjnore”, ku priftërinjtë ortodoksë, përmes liturgjisë mitike, kanë demonizuar shqiptarët si një popull “joqiellor” që duhej shfarosur! Mbase themelet e terrorizmit shtetëror serb ndaj Kosovës qëndrojnë te KOS-i. Prandaj janë hartuar projekte dhe memorandume si: Naqertanja, Platforma politike për Kosovën, Memorandumi i AShA-së serbe, Patkoi etj., që kanë rezultuar me përndjekje, shpërngulje të dhunshme, mizori, vrasje masive, terror shtetëror me përmasa gjenocidi. Gjatë tërë shekullit 19 dhe 20, raportet Kosovë – Serbi karakterizohen me tensione politike, të projekteve nacional shoviniste dhe hegjemoniste serbomadhe ndaj Kosovës.

Konfrontimet ekonomike

Thelbin e konfliktit ekonomik në raportet Kosovë – Serbi e përbën eksploatimi kolonial serb në pasuritë natyrale të Kosovës. Shpronësimi dhe përndjekja e 600 fshatrave nga krahina e Toplicës, “reformat agrare” gjatë mbretërisë SKS, shtetëzimi i pronave gjatë RSFJ-së, plaçkitjet e para dhe gjatë luftës së fundit etj. Serbia me projekte të ndryshme ekonomike e ka privuar popullin shqiptar në qeverisje me pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore. Prandaj për këto fakte çështja ekonomike e Kosovës përbën një çështje koloniale.

Konfrontimet diplomatike

 Konfliktet permanente politiko-ushtarake Kosovë – Serbi kanë ndikuar që Kosova si subjekt ndërkombëtar të trajtohet nga diplomacia e Fuqive të Mëdha. Prandaj Kosova ka parakaluar nëpër korridoret diplomatike evropiane se nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Parisit, Konferenca e Bujanit, Komisioni i Badinterit, Konferenca e Rambujesë etj. Pavarësisht nëse është vendosur drejt apo jo ndaj Kosovës, subjektiviteti diplomatik ndërkombëtar i Kosovës përfshin një periudhë kohore 121-vjeçare (1878-1999)

Konfrontimet juridike

Kosova si vazhdimësi e Dardanisë antike historikisht përbën një entitet të veçantë juridiko-politik. Mbretëri në Dardani, Prefekturë në Perandorinë Romake, Vilajet gjatë Perandorisë Osmane, Krahinë gjatë RSFJ-së. Përkundër entitetit juridiko-politik, çështja e konfliktit juridik Kosovë – Serbi ka të të bëjë me juridiksionin serb, për ta paraqitur Kosovën si pronësi absolute serbe. Pikërisht shkaku i juridiksionit diskriminues serb, çështja e Kosovës ka rezultuar me rezoluta në Parlamentin Evropian, në Kongresin Amerikan dhe, së fundmi, në GjND.

Konfrontimet gjeopolitike   

Konfrontimi gjeopolitik Kosovë – Serbi konsiston në pozitën gjeografike të Kosovës si një udhëkryq në mes të lindjes dhe Perëndimit, si dhe rreshtimet politike në drejtime të kundërta, përkrah koalicioneve ndërkombëtare. Që nga beteja e dytë e Kosovës më 1448, pastaj kryengritjet e shumta anti-osmane, kahet gjeopolitike Kosovë – Serbi i karakterizon vazaliteti serb ndaj Stambollit dhe përpjekjet shqiptare për koalicione perëndimore kundër okupimit otoman. Kahet e ndryshme gjeopolitike në arenën ndërkombëtare i karakterizon edhe gjatë shekullit 19 dhe 20. Pranvera republikane e ’81-s, krahas Solidarnostit Polak, Kosovën e ka rreshtuar përkrah koalicionit perëndimor. Aleanca pansllaviste në mes të Beogradit dhe Moskës ka ngujuar Serbinë në kursin gjeopolitik lindor. Mbase këto rreshtime gjeopolitike me pole të kundërta kanë kulmuar me aleancë politiko-ushtarake në mes të UÇK-së dhe NATO-s.

Konfrontimet religjioze

Nyjën e tërë konfrontimeve shqiptare-serbe, përkatësisht Kosovë – Serbi, e përbën çështja religjioze, konkretisht objektet e kultit religjioz. Derisa shqiptarët iu përkasin tre religjioneve monoteiste ortodokse, katolike dhe islame, serbët i përkasin vetëm religjionit ortodoks. Shqiptarët janë të parët ndër popujt evropianë që kanë kaluar nga politeizmi në monoteizëm, gjegjësisht në krishterim gjatë shekullit 2 e. Re. Invadimi sllav në Gadishullin Ilirik është invadim fisesh barbare paganiste që u konvertuan në krishterim në kishat paleokristiane arbërore. Islamizimi i popullit shqiptar gjatë mesjetës së vonë u ka hapur shtigje sllavëve t’i zaptonin kishat dhe manastiret arbërore. Konfrontimi religjioz ka kulmuar gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së, ushtria vrastare serbe ka rrafshuar për tokë më se 1 000 xhami, kurse kishave dhe manastireve ortodokse nuk u është thyer as edhe një xham nga luftëtarët e UÇK-së.

Konfrontimi historik

Tërë konfrontimet politike, ekonomike, juridike, ushtarake etj. janë në një vazhdimësi historike në mes të popullit shqiptar autokton dhe invaduesve barabarë sllavë. Historia e raporteve Kosovë – Serbi është histori konfrontimesh për tokën, për ujin, për qiellin, për diellin, histori zaptim tokash me dhunë, histori përndjekjeje, shkatërrim, histori gjenocidi fizik, kulturor, gjuhësor ndaj Kosovës. Historiografia serbe për Kosovën është histori e falsifikuar, e ndërtuar mbi mite, si e tillë Kosovën e paraqet si “tokë e shenjtë” serbe, si “djepi serb” etj. Faktet historike janë të pamohueshme që dëshmojnë se Kosova është Dardani dhe kurrsesi “Jerusalemi” serb. Historia serbe në Ballkan zë fill nga shekulli 10, kurse historia e Kosovës zë fill që nga mbretëria e Dardanisë.

Konfrontimet luftarake

Kosova përbën një fenomen të veçantë mbijetese përballë terrorit shtetëror serb, fushatave ushtarake dhe policore serbe. Që nga viti 1878 deri më 1999 çështja e konfrontimeve luftarake e veçon me vrasje masive, shkatërrim, gjenocid ndaj civilëve shqiptarë. Gjatë tërë kësaj periudhe 120-vjeçare ushtria serbe veçohet për ushtrinë më gjakatare, më vrastare në Evropë. Fushatat ushtarake dhe policore të programuara dhe komanduara nga krerët fetarë e shtetërorë serbë janë fushata okupimi dhe kolonizimi ndaj Kosovës. Kundërvënia e armatosur e luftëtarëve shqiptarë është kundërvënie vullnetarësh me armatime modeste, kundërvënie gueriljesh nga Lëvizja Kaçake në mes dy luftërave botërore, deri te kundërvënia e UÇK-së. Tërë përpjekjet shqiptare për kundërvënie luftarake ndaj terrorizmit shtetëror serb janë përpjekje çlirimtare, kundër okupimit dhe kolonizimit serb dhe, si e tillë, përbën një luftë të drejtë të bazuar me të gjitha ligjet ndërkombëtare.

Përfundim

 Çështja e relacioneve Kosovë – Serbi është çështje konfrontimesh komplekse më se 120-vjeçare, që nga viti 1878 deri më 1999. Është çështje terrori shtetëror serb me përmasa gjenocidi. Është çështje okupimi dhe kolonizimi ndaj Kosovës. Prandaj shpallja e pavarësisë së Kosovës është krejt e natyrshme dhe e ligjshme, e konfirmuar edhe nga GjND-ja. Dialogu Kosovë – Serbi për një marrëveshje historike duhet të rezultojë me një marrëveshje të drejtë dhe paqësore.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Tërnava u prit…