
DIELLI NË SLOW MOTION
Isuf Sherifi
SEÇ MË SHKREPI TË SHKRUAJ EDHE UNË NJË SI TREGIM, qoftë edhe fare të shkurtër. Teksa po lexoja një të gjatë, thashë me vete: «O edhe unë një, o s`ka.»
Jo se dua t`i mas cicërrimat e trurit me ndokend prej super të talentuarve të paktë, sepse ata duhet t`i kenë cicërrimat e të gjithë zogjve në tru. Unë, përveç ndonjë vjershe që shkruaj herë pas here, mund shkruaj edhe ndonjë tekst më të gjatë.
Quajeni si të doni këtë tentativë timen – shkaravinë e shkurtër, apo tregim në tentativë – një gjë e di, nuk ju shkaktoj asnjë shpenzim nga xhepi juaj, dhe nuk jeni të detyruar ta lexoni deri në fund, as të jepni ndonjë vlerësim pozitiv.
Edhe po ta zgjas shumë, do ta shihni vetë që nuk kam ndonjë talent të madh prej prozatori. Edhe po të shkoj larg, shum larg me fjalë, fjaalëë, e fjaaalëëë, e të rradhis shumë sosh, në të vërtetë nuk do të arrij edhe aq larg. Kam lexuar romane shum të mira me qindra faqe, dhe aso me më pak. Gjithmonë më kanë impresionuar ato të quajturat short roman.
Tutje, as do të përpiqem ta bëj ekspertin e futbollit në ndonjë studio sportive, pas bërjes së analizës politike në ndonjë studio tjetër; as analistin ekonomik pas ndonjë zhvillimi të «rrfueshëm» ekonomik; as opozitarin që bie viktimë e pozitës; as pozitarin, që bie viktimë e opozitës. As, as, as…
Nuk do të citoj as sokratin, që të lë përshtypje se cicërrimat e mia i kanë rrënjët thellë në antikë, as derrat e uritur do t`i ushqej; as do të bëj patriotin që, pasi ka shkelur 1.5 promila, i zgjidhet gjuha dhe e di saktësisht se ku e vret këpuca atë tjetrin me 1.2 promila.
Harrojeni!
Thjesht mos u merrni me kotësira!
Nuk jam unë – ATA!
Asllan cubi, në vjeshtën e tij të thellë, kur donte të thoshte diçka, nxirrte kutinë e duhanit, e mbështillte një, e ndezte, dhe e bënte tym e tumnajë. Me tymin i dilte e keqja nga barku, thoshin njohësit e mirë të karakterit të tij. Dhe mbi taketuke, në heshtje, u vinte presje dhe pika fjalëve që s`kishe si t`ia lexoje, sepse, siç thashë, dilnin në formë tymi.
TREGIMI I VËRTETË, NËSE DONI TA DINI, nis me diellin, që vjen me shpejtësi, ndalet në kupë të qiellit, përton të ecvë tutje, lëviz ngadalë, sikur në slow motion. Sikur pret t`i japin një pikë ujë, ose edhe për ta lavdëruar, a për ta lutur për diçka, në një moment preket në sedër, dhe kthehet aty ku ka nisur – sikur ka dëshirë ta përsërisë klasën.
Ja, e deshët një tregim?
Ky ishte! Tërë këto fjalë para, dhe pas, për një tregim tri vargësh, për një diell, që as në qiell nuk i bëhet mirë, nuk janë pak. Ka nuanca pak a shumë, të një (tele)novele njëtrajtëshe që sapo ka festuar jubileun e pesëdhjetë. Tregimit mund edhe t`i shtohen dhe zgjaten fjalët, gjersa stilit të tregimit të jubileut i ranë dhe mund t`i bien edhe më shumë leshra.
Asllan cubi, pas gjihtë kësaj, do ta kishte ndezur edhe një, të taraboshit të sertë.
Edhe ju mund ta ndezni!
Ndeze edhe ti.
Unë nuk e pi.
Shtojcë: Ajo histori për Asllan cubin, se me tymin i dilte «e keqja» nga barku, koha e pati vërtetuar që ka qenë një fiksion: e keqja e duhanit i kishte mbetur në bark dhe e kishte «bluar» nga brenda.