
Dimal Basha dënohet për shpifje, Gjykata i vendos 25 mijë euro dëmshpërblim
Gjykata e ka detyruar Bashën që t’i kërkojë publikisht falje ish-zëvendësministrit të Financave dhe i ka caktuar atij shlyerjen e pagesës në vlerë 25 mijë euro për shpifje
Dimal Basha është dënuar për shpifje kundrejt ish-zëvendësministrit të Financave, Mustafë Grainca, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Tanimë kryetari i Kuvendit të Kosovës është obliguar nga Gjykata Themelore e Ferizajt që të paguajë dëmshpërblim në vlerë 25 mijë euro, pasi është gjetur fajtor për shpifje.
Aktgjykimi i shkallës së parë të gjykatës është shpallur më 22 korrik, sipas shkresës së lëndës të cilën e ka siguruar Paparaci.
Basha është shpallur fajtor për shpifje në lidhje me akuzat publike ndaj Graincës, një biznesmeni të ndërtimit në Ferizaj dhe ish-zyrtar me funskion publik, veprimtarinë e të cilit e kishte përshkruar si “mafi të betonit”.
Gjykata e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar padinë e Graincës ndaj Bashës, thuhet në dispozitivin e aktgjykimit.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Mustafë Grainca, e ushtruar kundër të paditurit Dimal Basha, si e bazuar”, thuhet në pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit.
Në pikat e tjera të dispozitivit, Gjykata e ka detyruar Bashën që t’i kërkojë publikisht falje paditësit dhe i ka caktuar atij shlyerjen e pagesës në vlerë 25 mijë euro për shpifjet që ka hedhur në drejtim të Graincës.
“Detyrohet i padituri që paditësit t’i komensoj dëmin e shkaktuar në emër të shpifjes dhe fyerjes së personalitetit në lartësi prej 25,000.00 euro, me kamatë ligjore prej 8% nga dita e paraqitjes së padisë e deri në përmbushjen definitive”, thuhet në pikën IV të dispozitivit, raporton Paparaci.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe për këtë pritet të vendosë Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të lëndës.
Basha, në një deklarim publik më 2019 e kishte akuzuar Graincën për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimit në Komunën e Ferizajt, duke e përshkruar veprimtarinë e tij si “mafi të betonit”.
Disa javë më vonë atë vit, në korrik të 2019-s, Mustafë Grainca, ish-zëvendësministër i Financave nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ushtroi padi për shpifje dhe fyerje të personalitetit kundër Bashës, asokohe gazetar në një televizion.
Sipas kërkesë-padisë, Grainca kërkonte nga Basha dëmshpërblim në formë kompensimi prej 65 mijë eurove.
Grainca është një afarist në fushën e ndërtimit. Ai është pronar i “IDEA Invest” Sh.P.K., e cila është themeluar më 2015. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania figuron të ketë aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.
Më parë, ai ka qenë i përfshirë në Partinë Demokratike të Kosovës. Ka ushtruar për më shumë se një vit funksionin e zv/ministrit të Financave. /Paparaci.com