Dinamika e re në negociatat mbi Ukrainën dhe ndikimi në Ballkan

23 tetor 2025 | 19:57

Agon Maliqi 

Tani që çështja e Lindjes së Mesme u hoq përkohësisisht nga prioritetet pas armëpushimit në Gaza, fokusi i plotë i Administratës Trump duket të jetë kthyer te Ukraina. Putin, për herë të dytë këtë vit, me gjasë i refuzoi përpjekjet e Trump për një marrëveshje, gjë që çoi te anulimi i samitit të paralajmëruar në Budapest. Telefonata në mes të Rubio dhe Lavrov duket t’i ketë bindur amerikanët përfundimisht se kjo punë nuk kryhet duke e marrë Putinin me të mirë, dhe se ky i fundit duhet të detyrohet të ulet në tavolinë.

Sanksionet e reja ndaj Rusisë të shpallura dje – të parat që nga ardhja në pushtet e Trump – janë shumë të rënda, teksa i shënjestrojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës Lukoil dhe Rosneft (rreth 60% e prodhimit rus). Nga frika e sanksioneve sekondare, sot edhe Kina njoftoi suspendimin e përkohshëm të blerjeve nga këto kompani ruse. Paralelisht, me insistimin e Trump, edhe Hungaria hoqi dorë nga vetoja dhe kështu 19 masa sanksionesh të reja i miratoi edhe BE-ja.

Ekonomia e Rusisë sivjet i tregoi shenjat e para të një krize kronike dhe të destabilizimit të financave të saja publike (1/3 e buxhetit vjen nga nafta dhe gasi). Kjo shihet si mundësi për ta frenuar potencialin e saj për ashpërsimin e agresionit. Rol të madh këtu po luan edhe Ukraina e cila sulmet me dronë i ka përqendruar në shkatërrimin e infrastrukturës ruse prodhuese dhe shpërndarëse të naftës dhe gasit.

Ndikim të drejtpërdrejtë nga sanksionet e reja do të kenë në shtetet përreth nesh (Serbi, Kroaci, Maqedoni) ku Lukoil ka pika të shitjes dhe infrastrukturë shpërndarjeje. Por ndikim më të madh mund të jetë kundërpërgjigja e Putin ndaj këtij përshkallëzimi nga SHBA, e që jo rrallëherë e ka prekur edhe Ballkanin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë përgjigjen e tij të…