Disa aktivistë me reputacion ftohin raportet me kryetarin Agim Aliu

23 qershor 2025 | 20:31

Sipas burimeve të sigurta, disa prej aktivistëve më të përkushtuar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj kanë ftohur raportet me udhëheqjen lokale të partisë, përfshirë edhe me kryetarin aktual të komunës, Agim Aliu.

Burimet tona bëjnë të ditur se ndër të pakënaqurit ndodhet edhe një ish-drejtor komunal, si dhe disa biznesmenë të njohur në qytet, të cilët deri më tani kanë qenë aktivë dhe mbështetës të vazhdueshëm të strukturave të PDK-së në këtë komunë.

Raportohet se kjo pakënaqësi e brendshme ka ardhur si rezultat i mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me lidershipin lokal dhe mund të përfundojë me dorëheqjen e disa prej tyre nga funksionet partiake. Një zhvillim i tillë do të përbënte një sfidë serioze për degën e PDK-së në Ferizaj, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

PDK pritet të garojë sërish me Agim Aliun si kandidat për kryetar komune, por tensionet e brendshme mund të ndikojnë në fushatën dhe mobilizimin elektoral të partisë në këtë komunë të rëndësishme.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga PDK dega në Ferizaj apo nga vetë kryetari Aliu lidhur me këto zhvillime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mbrëmjen e sotme mbi kryeqytetin…