Disa të plagosur pas sulmit me thikë në një tren në Angli

02 nëntor 2025 | 08:54

Disa persona u plagosën rëndë pas një sulmi me thikë në një tren që shkonte për në Londër. Kryeministri britanik Starmer foli për një “incident thellësisht shqetësues”.

Dhjetë persona janë shtruar në spital pas një sulmi me thikë në një tren pranë qytetit Huntingdon në Britaninë e Madhe – nëntë prej tyre me lëndime që mund të jenë kërcënuese për jetën. Kjo u njoftua gjatë natës nga Policia Britanike e Transportit, e cila është përgjegjëse për trafikun hekurudhor. Nuk pati viktima. Më parë mediat britanike kishin cituar dëshmitarë okularë që pohonin se kishte pasur gjashtë deri dymbëdhjetë të plagosur. Policia arrestoi dy burra.

Sulmi po klasifikohet si “incident serioz”. Policia antiterroriste po merret me hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe motivin e saktë, shtoi policia. Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti sulmin një “incident të tmerrshëm” që ishte “thellësisht shqetësues”. “Mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë prekur dhe falënderoj shërbimet e emergjencës për përpjekjet e tyre”, u shpreh kryeministri britanik.

Huntingdon ndodhet në qarkun e Cambridgeshire, rreth 100 kilometra në veri të Londrës. Sipas policisë, treni ishte në rrugë nga Doncaster për në kryeqytetin britanik. Shërbimet e emergjencës u njoftuan për sulmin pak pas orës 7:30 të mbrëmjes (ora lokale), njoftoi Policia e Cambridgeshire. Treni u ndalua në Huntingdon dhe arrestimet u kryen pak më vonë. Sipas raportimeve të medias, dëshmitarët folën për skena dramatike në tren. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur një përplasje të re…