
Diskursi kulturor në Kosovë, tradita dhe bashkëkohësia
FLAMUR MALOKU
Domethënia e diskursit, tradita e tij
Diskursi kulturor është një term i gjerë, i larmishëm në vende dhe kultura të ndryshme, me ndikime të mëdha dhe të vogla në kultura të mëdha, të vogla dhe shumetnike. Meqë qëllimi ynë në këtë trajtesë dhe në këtë pjesëmarrje nuk është hartografia e tij, as domethënia dhe ndikimi i tij në gjithë botën, e kemi kufizuar hartën e tij vetëm në Kosovë, në një shtet shumetnik. Megjithatë, si kudo tjetër në botë, fillimisht është e rëndësishme ta kujtojmë origjinën e tij dhe domethënien e tij dhe të japim disa sqarime të shkurtra për të.
Diskurs është fjalë me prejardhje latine, discursus. Ka domethënien e shkëmbimit, të lëvizjes. Prandaj, përkrah togut Diskursi kulturor në Kosovë, duke marrë parasysh domethënien e shkëmbimit dhe të lëvizjes të tij, titullit i kemi shtuar edhe dy fjalë dhe një lidhëz, tradita dhe bashkëkohësia, për ta parë diskursin ndër vite dhe ndër medie dhe mediume në Kosovë. Përcaktime, për domethënien e tij, gjithashtu edhe për rëndësinë e tij, kanë dhënë teoricienë në gjithë botën, madje që nga lashtësia. Për shembull, Aristoteli konceptin e tij e përshkruante si një formë të komunikimit retorik, qëllimi i të cilit ishte bindja dhe informimi i individëve për të vepruar në një mënyrë të caktuar. Por, ndikimin më të madh prej të gjitha fushave të dijes dhe të artit, diskursi e ka pasur në kontekstin filozofik, sociologjik dhe gjuhësor në shekullin 20, atëkohë kur studiuesit filluan të bëjnë analiza dhe studime më të thukëta e të sakta për gjuhën, sociologjinë dhe filozofinë.
Një ndër figurat më të rëndësishme që i ka dhënë rëndësi përdorimit të termit diskurs ka qenë filozofi francez Michel Foucault. Ai këtë term e lidhte me të menduarit, të folurit dhe të vepruarit për krijimin e realitetit shoqëror, si një mjet gjuhësor dhe mendor lëvizës për ta kontrolluar edhe individin, edhe shoqërinë dhe për të ushtruar ndikim të madh te masa. Ndërkohë, veçantitë e përdorimit të tij i zhvilloi Shkolla e Frankfurtit, me mendimtarët Theodor Adorno, Max Horkheimer dhe Herbert Marcuse. Ata e lidhën diskursin me analizën kritike të shoqërisë dhe mënyrën se si komunikimi dhe media kontribuojnë në formimin e ideologjive dhe dominimin shoqëror. Diskursi, për ta, ishte një mjet që përdorej për t’i ruajtur strukturat e pushtetit dhe kontrollin shoqëror, si dhe për t’i shpërndarë ideologjitë që favorizojnë shtresa të caktuara shoqërore. Nga kjo kuptojmë se, në periudha të ndryshme, nga teoricienë të ndryshëm, herë më pak e herë tjetër me më shumë ndikim, koncepti i diskursit ka lëvizur nga një shtet në një tjetër, nga një fushë në një tjetër, nga një shoqëri në një tjetër. Madje me shfaqjen e dukurive të reja në shoqëritë e botës dhe të medieve të reja, përdorimi i tij është bërë shumë i madh, kurse ai më nuk kuptohet vetëm si një mjet komunikimi, por si një strukturë komplekse shumëdimensionale që formëson dhe përcakton mënyrën se si shoqëritë krijojnë kuptime rreth kulturës, identiteteve dhe praktikave sociale. Pra, diskursi është shtrirë në arte dhe shkencë. Shtrati i tij sot është shtrirë kudo. Pavarësisht se disa pushtete dhe individë kohë pas kohe kanë bërë përpjekje që atij t’i bëhet një shtrat prokrusti, ai nuk është prerë asnjëherë dhe përshtatur për shtrat të tillë. Vazhdimisht ka qenë një term kryengritës, që ka lëvizur sa poshtë lart, sa majtas djathtas dhe është transformuar sipas kërkesave të shoqërisë sepse, realisht, ato e kanë krijuar diskursin e vet, ashtu siç e krijon individi stilin e vet.
Domethënia e diskursit në konceptin bashkëkohor
Sot diskursi ka kuptim shumë të gjerë. Nuk është më vetëm një mënyrë komunikimi, por mjet për ta krijuar realitetin shoqëror dhe politik. Studiuesit e teorisë kritike dhe të post-strukturalizmit na bëjnë me dije se diskursi është në qendër të formësimit të identiteteve, të normave dhe të vlerave shoqërore. Ai është një mekanizëm për ta formësuar sjelljen dhe bindjet e individëve, duke reflektuar marrëdhëniet e pushtetit në shumë fusha shoqërore, veçanërisht duke përfshirë sociologjinë, filozofinë, studimet kulturore, shkencat politike, me theks të veçantë mediet, në të cilat, përditë dhe përnatë, prodhohet diskurs: diskurs politik, filozofik, social, kulturor. Duke parë lloje të ndryshme të diskurseve, e kemi tashmë të qartë se diskursi kulturor është një nënkategori e tërësive të diskurseve, i cili përmbledh në vetvete kulturën e kombit në tërësi. E një kulturë të bashkëjetesës e të diversitetit etnik dhe shumëkulturor, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, institucionet qendrore të Kosovës përpiqeshin t’ia tregonin gjithë botës nëpërmjet marketingut me pagesë në medie ndërkombëtare, në të cilat publikonte fotografi dhe inserte videosh, me përbërje nga: kultura, arti, muzika, arkitektura, veshjet, besimet, bashkëjetesa etj. Por, shteti më i ri në botë ato ditë, edhe pse kishte gëzim të madh, nuk linte anash pasojat e luftës edhe në diskursin kulturor. Ndërkohë, me kalimin e viteve, që pas përfundimit të luftës, veçmas pas shpalljes së pavarësisë, globalizimi ka shënuar ndryshime kulturore në Kosovë, veçanërisht në muzikë, art, modë, medie, shfaqje, bashkëjetesë. Prania e këtij fenomeni perëndimor në Kosovë ka shkaktuar tension midis ruajtjes së traditave lokale dhe adoptimit të formave kulturore të jashtme. Duke parë praninë e ndikimit të huaj në diskursin kulturor në Kosovë, kohë pas kohe qeveria me institucionet e veta kanë investuar në promovimin e kulturës dhe të artit për ta forcuar identitetin e ri të shtetit dhe për ta zgjeruar pjesëmarrjen e saj në fushën e diplomacisë kulturore, qoftë me pjesëmarrje dhe promovime në ngjarje ndërkombëtare si festivale dhe panaire, qoftë me organizime të ndryshme në ambasada dhe konsullata në shtetet evropiane dhe në klube të shqiptarëve në diasporë. Padyshim se ndihma e diasporës së Kosovës ka qenë e madhe për promovimin e kulturës sonë jashtë vendit ashtu siç kanë pasur ndikim të madh në gjithë botën yjet e muzikës me prejardhje shqiptare, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e ndonjë tjetër.
Diskursi kulturor në Kosovë
Çdo ditë në Kosovë prodhohet diskurs kulturor, ndikimi i të cilit, më shumë se nga kushdo tjetër, sot përcillet nëpërmjet medieve. Diskurs kulturor sot prodhojnë institucionet publike dhe ato private, më tutje krijuesit, botuesit, organizatat, mediet e kulturës etj. Këta që prodhojnë diskurs kulturor kanë vëzhgues. I kanë individët të cilët i përcjellin normat dhe vlerat kulturore të tyre. Gjuhën dhe mendimet e tyre, se çfarë thonë dhe çfarë kërkojnë nga të tjerët të bëjnë për formimin e identiteteve individuale dhe kolektive, përfshirë ato etnike, kombëtare, fetare dhe gjinore. Por, një prodhuesi të diskursit i duhet publiku dhe, gjithashtu, i duhet një medium, më mirë thënë një medie, një rrjet dhe një rrjetë. E ata që krijojnë diskurs kulturor e dinë që tashmë, në shkollën e teknologjisë së informacionit, mendimet dhe fjalët më lehtë se me medie dhe rrjete sociale nuk mund t’i përcjellin me asgjë. Prandaj, mediumet si letërsia, teatri, kinemaja nuk i konsiderojnë më mjete të përshtatshme për paraqitje. Arsyeja është se këto kanë pak publik. Arsyeja është se diskursi tashmë ka marrë pamjen e një piramide të përmbysur, i cili trajton ngjarjet kryesore të ditës, javës, muajit, jo të vitit e dekadave. Vetëm në rast të nxjerrjes së ndonjë paralelizmi e për ndonjë ndikim politik, çapuritet në diskursin pararendës. Ja të japim një shembull nga diskursi kulturor duke marrë për model një institucion publik dhe një privat.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-së), çdo ditë, në llogaritë e veta në rrjete sociale, edhe në uebfaqen e MKRS-së, edhe në paraqitjet publike në televizione dhe në medie elektronike, paraqet punët e bëra gjatë mandatit të vet. Meqë përpiqet të krijojë ndikim te masa, diskursin kulturor të sotëm dhe investimet i shfrytëzon për ndikim politik. Ai mburret se, për dallim nga ish-pararendësit e tij, ka bërë investime më shumë se cilido tjetër në fushën e trashëgimisë kulturore, se ka luajtur rolin e gardianit të objekteve të shkatërruara të kulturës, se ka bërë investime në sektorin e sportit, se ka trefishuar mbështetjen për organizata joqeveritare dhe për individë, se ka katërfishuar përkrahjen për veprimtarinë botuese. Kuptohet, këto investime dhe këto përkrahje nuk do të mund t’i bënte po mos të kishte buxhet ministria që ai udhëheq, ose po të kishte sa kanë pasur pararendësit e tij.
Një lloj tjetër të diskursit kulturor, për bindje, paanshmëri, saktësi dhe audiencë, për ndikim te publiku, e shprehin mediet, televizionet dhe uebsajtet. E shprehin me zë dhe me fjalë. Ashtu si në kohën kur kishte gazeta të shtypura, edhe sot kur ka vetëm portale të lajmeve e televizione, në uebfaqet e medieve, te impresiumet e tyre, shohim dhe lexojmë: portali me më ndikim në vend; media më e besueshme; lider në vend etj. Gjithashtu, po prej moderatorëve e moderatoreve të tyre dëgjojmë: televizioni numër një në Kosovë, portali numër një në Kosovë… Meqë te pjesa e parë kemi përmendur se qëllimi i diskursit është ndikimi te shoqëria, në këtë shembull shohim përpjekjen e tyre për dominim në shoqëri, besueshmëri dhe shikueshmëri. Për krijimin e një bindjeje për më të mirën ose për më të mirin. Dhe natyrisht se këto fjalë, ky lloj marketingu, te shumë individë kanë ndikim të madh. Kanë ndikim edhe te prodhuesit e kulturës, të cilët, po qe se iu jepet mundësia, zgjedhin vendin, kohën dhe hapësirën për paraqitje. Duke pasur qëllim të jap argumente më të forta në këtë kontekst, kam bërë një vëzhgim të medieve elektronike dhe të televizioneve në Kosovë. Kam kërkuar, në disa medie me shikueshmëri dhe vizitueshmëri të madhe, paraqitjen e ndonjë figure publike me ndonjë artikull dhe intervistë. Në shtatëdhjetë për qind të medieve elektronike në Kosovë nuk kam hasur një artikull të shkruar enkas për to nga një shkrimtar i mirë i Kosovës. Nuk kam gjetur as intervistë dhënë për to. Pse?, mund të pyesni. Sepse, mund t’ju përgjigjem: prodhuesi i diskursit, shkrimtari i mirë, ta zëmë, ka vëzhguar rëndësinë e tyre, shtrirjen e tyre tek audienca, seriozitetin e tyre. Pra, ka përzgjedhur medien ku duhet ta shprehë fjalën dhe ta ushtrojë ndikimin.
Kujtesa dhe trauma kolektive
Pas përfundimit të luftës shumë artistë dhe shkrimtarë nëpërmjet veprave të ndryshme kanë paraqitur traumat e popullsisë, disa në vepra vizuale, disa të tjerë në vepra letrare. Disa kanë paraqitur dhunën, dhunimet, vrasjet, masakrat, shkatërrimin e kulturës dhe të ekonomive familjare, disa të tjerë pasigurinë për të jetuar në një shtet që kërcënohet vazhdimisht me luftë nga shteti fqinj – Serbia. Pra, artet nga artistët e Kosovës, brenda dhe jashtë saj, janë përdorur për t’i shprehur emocionet, historinë dhe identitetin e tyre para, gjatë dhe pas luftës. Ngjarjet historike të luftës janë shndërruar në tregime dhe kompozita artistike, të cilat janë përdorur për të ndihmuar shoqërinë të përballet me të kaluarën dhe të gjejë një mundësi të re për integrim dhe pajtim. Por, sot, edhe njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës, pas shumë negociatave për njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia e refuzimit vazhdimisht prej kësaj të fundit, është e pamundur të shmanget trauma e luftës dhe të flitet e të krijohet një diskurs kulturor i ri, për një paqe të papërgjakshme.
Për fund, mund të konstatojmë se diskursi kulturor do të vazhdojë të zhvillohet dhe të ndryshojë gjatë viteve këtu dhe kudo. Globalizimi, teknologjia dhe zhvillimet shoqërore do të ndikojnë në mënyrën se si shoqëritë dhe individët e përjetojnë dhe e interpretojnë kulturën. Po ashtu, tema e identitetit dhe ajo e përjashtimit do të mund ta pengojnë ndërtimin e një narrative të përbashkët kulturore në Kosovë.