
Diskutohet për gjendjen aktuale të tokave bujqësore
Task Forca për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga Ndërtimet e Paplanifikuara Urbane dhe Degradimin e saj ka mbajtur takimin e katërt, i cili është kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini e ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, si dhe ata nga institucionet tjera qeveritare, të cilat janë pjesë e kësaj Task Force.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit kanë diskutuar për gjendjen aktuale të tokave bujqësore në vendin tonë, si dhe kanë vazhduar koordinimin e aktiviteteve dhe harmonizimin e politikave sektoriale me qëllim të mbrojtjes se tokës bujqësore nga urbanizmi i paplanifikuar dhe degradimi i saj.
Me këtë rast, kryesuesja e këtij takimi, Sekretarja e MBPZhR-së, Venera Çerkini, ka theksuar se toka bujqësore si resurs natyror i kufizor, i parinovueshem dhe e mirë me interes të përgjithshëm për Republikën e Kosovës ka mbrojtje të veçantë dhe duhet të bëhet përmirësimi i potencialit prodhues të saj dhe të shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore, duke u bazuar në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, për të siguruar prosperitet ekonomik të vendit. “Gjatë këtij takimi kemi diskutuar edhe për përditësimin e aktiviteteve nga plani veprimit të Task Forcës për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga ndërtimet e pa planifikuara urbane dhe degradimin e saj”, ka thënë sekretarja Çerkini.
Ndër tjerash, ajo ka treguar se për t’i adresuar të gjitha sfidat që ndërlidhen me tokat bujqësore, hartimi dhe zbatimi i kornizës ligjore është esencial. “Në kuadër të kësaj pune tashmë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës-MMPHI është duke u hartuar Draftligjin për Planifikim Hapësinor të Kosovës dhe në MBPZhR është duke u hartuar Draft Ligji Për Token Bujqësore”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Task Forca për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga Ndërtimet e Paplanifikuara Urbane dhe Degradimin e saj u formua me vendim qeveritar në korrik të vitit 2021, me iniciativë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kjo Task Forcë përbëhet prej shtatë institucioneve: MBPZhR-ja, që është koordinatore, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.