Dita e Plisit u shënua në Kullën e Qëndresës në Bllacë të Suharekës

21 qershor 2025 | 17:31

Sot, në ambientet historike të Kullës së Qëndresës në fshatin Bllacë të Suharekës, u shënua me solemnitet dhe ndjenjë krenarie Dita e Plisit, simbolit të lashtë dhe të shenjtë të identitetit kombëtar shqiptar. Kjo ngjarje u organizua nga Shoqata “Plisi” me seli në Suharekë, me mikpritjen tradicionale të vendasve të Bllaces, një fshat që ka dhënë shumë për historinë dhe lirinë e kombit.

Në mesin e organizatorëve dhe të pranishmëve ishte edhe z. Desta Zekolli, i cili u shpreh thellësisht i lumtur që kjo ditë ka marrë jetë pikërisht në vendlindjen e tij, në zemrën e Rame Bllaces, në Kullën e Qëndresa, me historinë e Ram Bllacës, simbol i qëndresës dhe sakrificës shqiptare.

Në fjalën e tij, Zekolli theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje:

“Dita e Plisit është më shumë se një aktivitet simbolik, është një takim shpirtëror e kulturor i shumë burrave e dashamirësve të traditës shqiptare nga të gjitha trevat etnike. Ne mblidhemi për të ruajtur, për të nderuar dhe për të frymëzuar brezat e rinj që ta mbajnë Plisin në zemër, në mendje dhe në kokë, si simbol i pastërtisë, i krenarisë dhe i identitetit tonë kombëtar.”

Ai shtoi se përmes këtyre aktiviteteve, synohet që Plisi të njihet zyrtarisht si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare edhe në UNESCO, si një element i gjallë i kulturës shpirtërore dhe vizuale të kombit tonë.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, i cili përshëndeti organizatorët për këtë nismë me vlera të mëdha kulturore e kombëtare. Në fjalimin e tij, ai theksoi:

“Plisi ka qenë dhe mbetet krenari e Kombit Shqiptar. Shumë trima e burra të urtë kanë luftuar dhe kanë rënë me Plisin në kokë, duke u bërë pjesë e historisë sonë të lavdishme. Sot, Kulla e Qëndresës në Bllac mori ngjyrat e bardha të Plisit dhe u mbulua me kuq e zi nga flamuri kombëtar, një pamje që duhet të shtrihet në çdo cep të vendit tonë.”

Kryetari Muharremaj njoftoi gjithashtu se komuna planifikon të ndërtojë edhe kulla të tjera simbolikenë fshatrat Duhel, Butakovë dhe të tjera, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare.

Ky aktivitet u mbështet edhe nga personalitete të njohura si Qazim Voci, Nuhi e Bajram Bytyqi, si dhe nga të rinjtë e të rejat e fshatit Bllac, të cilët kontribuan me përkushtim për mbarëvajtjen e ngjarjes.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe mysafirë të shumtë nga të gjitha trevat etnike shqiptare,  nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, të veshur me kostume tradicionale, duke dëshmuar unitetin kulturor dhe shpirtëror të kombit shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Femrat shqiptare shquhen për bukurinë e tyre, ndërkohë konkurentja Samantha…