
Djali i Fadil Fazliut: Më ndalojnë të takoj babain në Hagë, kam angazhuar avokat (video)
Prej gati një vit, Fahri Fazliu ka bërë me dije se nuk i lejohet as të takojë dhe as të komunikojë me babain e tij, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë nën akuzat për pengim të drejtësisë.
Në një intervistë për “Kosova Today” në “Klan Kosova”, Fazliu ka treguar se në dhjetor të vitit të kaluar, bashkë me nënën, motrën dhe vëllain, kishte kërkuar leje për ta vizituar babain, por kërkesa i ishte refuzuar nga Dhomat e Specializuara pa ndonjë arsye konkrete.
“E konsideroj padrejtësi dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Nuk më lejohet as në video-lidhje, ndërsa familjarët e tjerë mund ta shohin. Nuk më është dhënë asnjë shpjegim”, ka thënë ai.
Fahri Fazliu, ka theksuar se ka angazhuar avokat për ta paraqitur rastin dhe do t’i drejtohet edhe gjykatës për të marrë përgjigje, ose të paktën për t’iu mundësuar një takim me babain.