
Djali i Trumpit lë të hapur mundësinë për kandidim presidencial
Eric Trump ka lënë të kuptohet se ai ose një tjetër anëtar i familjes Trump mund të kandidojë për president në të ardhmen, pas përfundimit të mundshëm të mandatit të dytë të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në një intervistë për Financial Times, Eric Trump – i cili është bashkë-nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump – tha se rruga drejt Shtëpisë së Bardhë “do të ishte e lehtë” për të, nëse do të vendoste të ndiqte hapat e të atit.
“Pyetja e vërtetë është: ‘A doni t’i përfshini edhe anëtarët e tjerë të familjes suaj në këtë?… A do të doja që fëmijët e mi të përjetonin të njëjtën përvojë gjatë dekadës së fundit që kam përjetuar unë?”, tha ai, duke shtuar: “Nëse përgjigjja do të ishte po, mendoj se rruga politike do të ishte e lehtë. Mendoj se mund ta bëja unë. Dhe, meqë ra fjala, mendoj se edhe anëtarët e tjerë të familjes sonë mund ta bënin këtë.”
Ndryshe nga vëllai i tij Donald Jr dhe motra Ivanka, Eric Trump ka qëndruar larg angazhimit direkt politik, duke u përqendruar në drejtimin e bizneseve të familjes që prej vitit 2017. Por ai theksoi se ka ndjekur nga afër zhvillimet politike dhe u shpreh se “mund ta bënte këtë punë shumë në mënyrë efektive”.
Duke iu përgjigjur kritikave për përfitime të mundshme nga presidenca, ai deklaroi: “Nëse ka një familje që nuk ka përfituar nga politika, ajo është familja Trump.”
Sipas tij, familja ka shpenzuar afro 500 milionë dollarë “vetëm duke u mbrojtur nga mashtrimet ruse, mashtrimet e rreme dhe dosjet e pista”.