DJALIN MA VRANË PARA SYVE

06 maj 2020 | 11:53

Vesel Rexhep Haxha-Galica atdhetar, luftëtar dhe mentar i shquar (5)

Shkruan: Bedri TAHIRI

Vetëm mendjet e lira e ndjejnë peshën e vargonjve.
(Volteri)

Puna ime hulumtuese në terren, përveç që është e mundimshme dhe e rëndë, është edhe mjaft e ndjeshme dhe emocionale. Më rastis të bisedojë me njerëz që kanë përjetuar shumçka, me njerëz që kanë humbur më të dashurit e tyre në luftë, me njerëz që kanë parë e kanë ndjerë atë çmenduri, që njeriu i civilizuar bashkëkohor as që mund ta marrë me mend. Dhe, në këso rastesh, edhe maja e penës sikur heziton të lë gjurmë mbi letër. Madje, madje, ngjyra e saj më shumë i gjason gjakut. Paj, nuk thuhet kot, me gjuhën kuranore, se vetëm ngjyra e penës që pasqyron atë sakrificë sublime, i afrohet gjakut të atyre që sollën Ditën e Bardhë, sollën LIRINË.
Edhe kësaj radhe më ngjau e njëjta gjë. Sa e sa herë u përpoça për t’i ikur këtij rrëfimi rrëqethës, por kjo ishte një dëshmi, pa të cilën ngjarja që e pasqyroja, më dilte e zbehtë. Babai i Bahri Haxhës, Rexhep Vesel Galica, i fortë si përherë, rrëfen qetë- qetë, për Masakrën e Studimës, të 2 majit 1999, për vrasjen e djalit mu para syve të tij dhe të familjes, për golgotën dhe rropatjet e familjes se tij, për barbarinë e asaj dite, për sfidimin dhe mbijetimin e mortjes…

Degdisja

…Më 28 mars 1999, Ditën e Bajramit, i lëshuam shtëpitë tona në Sfarçak dhe zbritëm në shtëpitë e Pasomëve, në Nedakofc, pranë asfaltit. Natën e parë aty buajtëm një turmë e madhe, mezi dolëm në mëngjes. Të nesërmen shkuam më brenda në katund, të një Rexhep Sfarça dhe qëndruam dy net. Kudo përreth e kishim policinë serbe. Gjatë asaj kohe, me vajzat, Feriden dhe Mevluden, kemi shkuar deri në shtëpinë tonë. Posa hyra në oborr më kanë gjuajtur me revole nga ana e epërme, nga kulla e Bozhlanëve. U detyruam të tërhiqemi shpejt e shpejt. Duke shkuar prej Rrëzhanëve, te Varret e Katundit, u thashë vajzave: Ecni kujdesshëm dhe qëndroni largas 5-6 metra, sepse te Shtëpia e Kulturës apo Depoja siç i thonë ndryshe, i kishim militarët serbë, shumica nga Sfarçaku. Asfaltin e kapërcyem me vrap. Prapë shkuam në Nedakofc dhe me një traktor, bashkë me mikun e Bahriut, Bislim Ferizin e Pasomës, kemi kaluar në Studime të Poshtme, te Rrustem Bajgora.
Ah, më fal se harrova të të tregoj se natën e parë që u vendosëm në Sfarçak, në shtëpinë e Sabit Pasomës, djalin e madh, profesor Bahriun, e kam dërguar në Dumnicë, për t’iu bashkëngjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Traktorin e vozitja vetë, edhe pse ishte plot e përplot. Edhe vajzat dinin të vozisnin, sepse disi moti e kam parandjerë një ditë të tillë dhe i pata mësuar,- thotë xha Rexhepi dhe, për një çast, ndërpret rrëfimin.

Në dhomën tonë, ku po bisedonim, hyn vogëlushja simpatike me emrin Bahrije. Është vajza e dëshmorit të lirsë, vajza e Bahriut, emrin e të cilit edhe e mban. Ajo erdhi me gjyshen e saj Halimen dhe pasi më përqafon dhe më shtrëngon fort e fort, më thotë:
– A për babinë tim po shkruan libër?!
– Jo, jo, vetëm po bisedojmë për ca gjëra të tjera,- i them unë dhe përpiqem ta fshehë shqetësimin emocional që më kaploi në ato çaste.
– Po, po, për babinë tim po flisni. Edhe gazetën që ke shkruar më herët e kam ruajtur dhe krenohem me UÇK-në e me gjakun e babait tim që ia fali Lirisë,- shton ajo dhe fill nxjerr diç nga çanta për të na shërbyer.
Ne ngelëm pa gojë. E ndërpremë punën. Pimë çaj dhe mundohemi ta marrim veten. Kur e shohim se kurrsesi nuk mund t’i shpëtnim kureshtares topolake, vazhdojmë bisedën:

Mungesa e armatimit

– Pra, siç thashë, ne u vendosëm në Studime të Poshtme, në shtëpinë e Rrustem Bajgorës, bashkë me mikun e Bahriut, Bislim Ferizin. As aty nuk qëndruam shumë dhe u ngjitëm në Sllakofc. Edhe atje në shtëpinë e Rrustem Bajgorës.
Pas tri ditësh erdhi edhe djali i madh, Bahriu.
– Pse u ktheve?!- i thashë, i habitur.
– Për momentin nuk kishte armë dhe komandant Gani Imeri më tha që të veproj në Logjistikë,- ma ktheu ai, i cili ishte mërzitur që nuk kishte veshur uniformën e UÇK-së.
Në Sllakofc ishte krejt tjetër atmosferë. Aty kishte ushtarë, kishte të plagosur, kishte ambulancë, kishte civilë. Jetohej keq e për gazep. Një natë, me Bislimin dhe me një ushtar, bluamë grurë për UÇK-në. Mulliri ishte lart në grykë të Sllakofcit.
Aty qëndruam plot pesë javë. Në ndërkohë, aty arritën përplot njerëz nga Shala e nga Llapi. Flinim nëpër rimorkio e në natyrë të hapur…

Dita kobtare

Zbardhi edhe dita e 2 majit 1999. Gjendja u keqësua shumë. Forcat serbe u afruan shumë ngat. Popullata u trazua keq. Ushtria jonë tha se duhet me u tërheq nga ky vend.
Para se të tërhiqeshim nga aty, e mora familjen dhe dola mbi shtëpi, në shpat të malit. Krejt paratë që i kishim, i ndamë, secili mori një shumë të caktuar. Në nga një copë letër i shënuam numrat e telefonave të djemve që i kishim në Londër (Shyqriut e Veselit) e në Gjermani (Bakiut). Secili nga ne i mori ata numra. E mora me mend se çka po na priste. Shenjat ishin të këqia. E parandjeja se dikush do të shkonte në atë rrëfije.
Pas dy orësh, diku pas dreke, afër orës 13, definitivisht na urdhruan të largoheshim nga ai vend.
– Ku po shkojmë?!- pyesnin njerëzit e hutuar.
– Për Shqipëri!- ishte përgjigjja.
Kolona mori udhë. Kur hymë në Ceceli, në kokë më erdhi një mendim i keq. Ku po shkojmë, a jeni në mend!- u thosha, por nuk ma varte veshin askush. Të gjithë po shkojnë,- ma kthenin ata dhe ecnim si pa krye. Djalë Bahriut, i thashë të mos vinte pas nesh. Një çantë ia kisha përgatitur për të qëndruar në mal. Kurrë nuk ndahem nga ju,- na tha shkurt dhe erdhi me ne.
Kur dolëm në kodër të Cecelisë morëm në drejtim të Studimës së Epërme. Bahriu e ngiste traktorin. Unë ndjehesha keq. Para sysh më dilte një kob dhe gjithmonë thosha:
– Ku po shkojmë?!!!
– Bahri, ti ku po shkon?!!!
– Babë, nuk mundem me iu lënë vetëm!- ma kthente ai me vendosmëri.
Andej nga Skoçna dhe Sllakofci filloj të dalë tymi e flaka. Barbarët po digjnin çdo gjë. Një ushtar i UÇK-së, pa uniformë, por me armë në dorë, na ndali dhe na pyeti:
– Ku po shkoni?!
– Në Studime,- i thamë.
– Të gjithëve kanë me ju vra!- na tha ai dhe nuk po na lëshonte të vazhdonim tutje.
Pas pak i erdhi urdhri që të na lëshoi. Ne vazhduam rrugën drejt vdekjes. Atje poshtë ishte turmë e madhe, si bletët kur lëshojnë. Askush nuk dinte kah t’ia mbante. Zbritëm të një shtëpi e një luftëtari në Studime të Epërme, të Gërgurët (sa kam marrë vesh, ai është vrarë i pari). Na thanë ndaluni dhe mos shkoni më poshtë. Gjendja është e jashtëzakonshme…
Aty pushuam pak dhe hengrëm ngapak bukë. Bahriu e pati bukën e fundit. Sërish vazhduam edhe zbritëm më poshtë. Lajmi na erdhi se disa njerëz të zgjedhur po na prijnë në ballë të kolonës…
Kjo pak na trimëroj dhe vazhduam.
Pa kaluar as dy kilometra të plota, na ndaluan. Aty i thashë djalit (Bahriut) dhe Ruzhdisë së Bislimit (mikut të Bahriut) që të iknin kah të mundnin. Ata nuk po bënin ballë të ndaheshin prej nesh. Filloi me ra terri. Pas gjysmë ore u nisem. Erdhën disa vetura me ushtarë e policë serbë dhe bërtitnin sa mundnin: Vazhdoni më poshtë, he nënën e nënës…!
Posa hyjmë në Studime të Poshtme, të Gërxhalinjtë, na ndaluan prapë. Aty filluan edhe qitjet me armë. Qëllonin me armë të ndryshme nga të gjitha anët. Një granatë ra në rrugë, mbi një traktor dhe çdo gjë e çoi në ajër. U bë rrëmujë e madhe. E pashë çka po bëhej dhe nuk më zihej vendi vend. Herë hipja në traktor, herë ecja pas tij, herë i dilja përpara. Djali me mikun e vet në kabinë.
– Oh, na vranë!- britsha si i çmendur.
– O jo, jo, ky është panik,- ma kthenin ata.
Plumbat na fishkëllinin përmbi kokat tona. Plaka ime ua kishte mbuluar me një sfungjer kokat e fëmijëve të shashtisur.
Pas pak, katër militarë erdhën te traktori ynë dhe i morën Bahriun e Ruzhdiun. I nxorën nga kabina si të tërbuar. M’i larguan nga vetja. E dija se më nuk do t’i shihja kurrë për të gjallë. Ruzhdiun e qëlluan në kokë, para syve tanë. Pas pak, diku pas 15 minutash, erdhi djali. Bac, po m’i kërkojnë 2000 DM, për të shpëtuar! E largova anash dhe nuk i fola asgjë. Nuk vonuan dhe erdhën bishat. Plak, para, nëse do m’i shpëtua djalin! I nxora dhe ua dhashë sa kisha. Ata e lanë dhe shkuan.
Në ndërkohë erdhën të tjerët. Prapë i kërkuan 2000 DM të tjera. Kësaj here ia mora vajzës, Feridës, dhe ua dhashë. Kjo nuk mjaftoi. Ata nuk po largoheshin. Nisen të na torturojnë. Na detyruan të bërtisnim: Rroftë Drazho Mihajloviqi! Rroftë Slobodan Milosheviqi! Kjo zgjati nja pesë minuta. Shkuan edhe këta. U gëzuam dhe mendua se shpëtuam.
Nuk ka vonuar shumë dhe ia kanë mbërrijë të tjerët. Edhe këta ma morën djalin, duke kërkuar para të tjera. U dhashë dy herë,- u thashë, por kot. E kapën dhe e tërhoqën zvarrë. Traktori ishte përplot: familja ime, familjet e vëllezërve, e Tahirit dhe e Ganiut, familja e Bislim Ferizit dhe shumë të tjerë që na u kishin bashkëngjitur rrugës. Të gjithë ishin bërë si të mpirë, me i pre gjak nuk qitnin. Derisa ua hodha një sy atyre dhe e pashë djalin, që më buzëqeshi, krisi automatiku. Një karikator ia zbrazën djalit në gjoks, mu para syve tanë. Ai ra poshtë. Kriminelët nuk u kënaqen me kaq, edhe tri herë e qëlluan me revole.
Ai që e vrau djalin u kthye nga unë dhe më tha:
– He, qetash a ke çka bën më?!
– Kaq pate mundësi, kaq bëre!- ia ktheva unë, duke u përmbajtur me zor.
Ata u larguan. Erdhën të tjerët me një Zastava 101 dhe më thanë qiti 2000 DM nëse dëshiron të shpëtosh. Nuk kam,- u thashë. U afruan edhe më ngat, i ngjitën maskat dhe atomatikët m’i futën në nofulla. Nuk reagova hiç, më kishte shkuar zemra në një vend. E kam dëgjuar kur i tha dikujt, çka po thotë. Sigurisht ata që ma ekzekutuan djalinë i thanë: Mos e vrisni, më mirë lë të vuan kështu!
Edhe kjo bandë shkoi dikah. Jam zhdjergë deri poshtë te djali i vrarë. Posa kishte ndërruar jetë. Ajo buzëqeshje i kishte mbetur ashtu e ngrirë në fytyrë. U forcova dhe kur u përkula mbi të i fola:
-O i dashuri i bacit, gjithmonë ke pasur dëshirë me vdek për atdhe, me ra dëshmor. Kjo dëshirë tu plotësua. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Pastaj e ktheva mbarë dhe ia mbulova fytyrën me një peshqir të pastër. Lamtumirë biri im, se as me ne nuk po dihet çka po bëhet!,- i thashë dhe u nisa për tek familjarët e tjerë, të cilët kishin mbetur si të humbur…
E pashë që rrëfyesit po i ngecte fjala në gojë, andaj kërkova të bënim një pushim. Edhe ai e mirëprit një gjë të tillë. Vogëlushja Bahrije na sjellë banane, rrush dhe fruta të ndryshëm. Hamë dhe për një moment ndërrojmë temën…

Nëpër udhët e ferrit

Për atë maskër, ndër më të mëdhat në gjithë trojet tona, kisha dëgjuar edhe rrëfime të tjera dhe, gati- gati edhe e kisha përjetuar në njëfarë mënyre. Atë ditë edhe vetë qesh i rrezikuar, qesh në zgripc të vdekjes. Pata kaluar në Këçiç, të baxhanaku im, Qerim Berisha, ku e kisha familjen e ngushtë, gruan Halimen me vajza dhe për një fije floku arrita të depërtojë këtej Silnicës. Për të, madje edhe kisha shkruar një tregim (Natë Bartolomeu), mirëpo deklarata e babait për djalinë e vrarë ishte diç më e veçantë…
…Kur erdhën disa të tjerë na urdhruan të vazhdonim tutje. Rruga ishte e zënë. Dy qerre kuajsh ishin përpara nesh. I thirra që ta lironin rrugën. Ata hiç. Eca përpara dhe çka me pa: Dy kuajt edhe njerëzit në qerre ishin të vrarë!!! Pak më tutje e gjeta Ruzhdiun e plagosur. Kuku bac, Ruzhdiu tek është vrarë- briti vajza, Feridja. Ai ende ishte gjallë, por nuk po mund të fliste. Iu treguam edhe prindërve të tij. Bislimi dhe Feridja nisen të qajnë në zë. Me e marrë nuk na lejuan…Ata nuk largoheshin prej djalit. Ne u nisem dhe pas pak u dëgjuan rafale të reja automatike. I vranë bac,- tha reja ime, Bahrija. Vërtet të dy prindërit e tij i kishin pushkatuar, bile Mihrijes ia kishin hequr kokën (kjo u vërtetua gjatë varrimit).
U nisem për Vushtrri. Goja nuk po më punonte. Më ndalej fryma. Feridja ma dha një pikë ujë. Jo, ujë nuk kishte, por një pikë qumësht nga cucëlla e fëmijve të Ruzhdisë. Mënjëherë m’u lëshua goja. Edhe vajzat më ndihmuan me i gra traktorit, sidomos Feridja. Derisa dolëm në magjistrale, kemi parë shumë të vrarë. Aty, policë e paramilitarë serbë, na drejtuan për në Kooperativë Bujqësore. Kaloi edhe një natë shumë e rëndë. Dy të plagosur, më duket ishin nga Ropica, vdiqën atë natë aty në atë hangar të madh, trupat e të cilëve më vonë i dogjën.

Agoi edhe 3 maji 1999. Ujë nuk kishim a digjesha flakë nga etja. Plot njerëz. Filluan t’i mbledhin të rinjtë dhe me kamionë i dërgonin në burgun famëkeq të Smrekonicës. Gratë britnin në kupë të qiellit.
– Oj motra, mos qani, se edhe mua ma vranë djalinë e po bëjë gajret, se këta qafira nuk na e kanë shpirtin në dorë!
Kështu u thosha se kisha humbur krejt. Edhe ata më merrnin si të lojtur mendsh dhe nuk ma varnin veshin. Në ato momente takohem me Ibrahim Mulakun, i cili qante sa mundej:
– Çka ke, o Ibrahim?- ia prita.
– Ma kanë vra nipin!- ma ktheu, duke dënesur.
– Mua ma vranë djalin e nuk po qaj!- i thashë dhe sa mundja u jepja gajret të tjerëve…
Siç më kanë treguar ata që i dërguan në Smrekonicë, e shoqja e një polici nga Sfarçaku, gruaja e Bozhoviqit, ishte gëzuar shumë kur kishte marrë vesh për vrasjen e të Galicsit (kështu e kishte quajtur djalin tim, Bahriun) dhe të Veli Gjafës…
Asaj rruge, përplot mundime e përipeci, dolëm në shtetin amë, në Shqipëri,- përfundon rrëfimin, babai i të pavdekshmit, Bahri Haxha, xha Rexhep Vesel Haxha- GALICA.

(Vijon nesër)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amador Suarez Villa, që në periudhën 2006 – 2009 ishte…