
Djaloshi që nuk e harroi amanetin e prindit dhe ëndrrën e tij ia realizoi sa ishte gjallë
RRËFIM I (pa) RRËFYER-ME PËRMASA EPIKE- Gjenerallejtënant-Kadri KASTRATI
Djaloshi i guximshëm me emrin Kadri:
Në moshën 16-vjeçare, djaloshi i guximshëm me emrin Kadri po përshëndetej me prindin e tij (Ferat KASTRATI), ngase po nisej për një rrugë të gjatë dhe me shumë rreziqe e të panjohura, për në Kroaci. Përderisa u përqafua me prindin, krahas asaj që zemra e tij rrihte në gjoks të tij, Prindi u përmbajt si burrat duke ia lënë një emanet: “Biri im, nuk e dimë fatin e rrugës së jetës; ngado që të shkosh mos e harro këtë porosi si një emanet: shkollohu në profesion ushtarak dhe, kurdo që të të jepet mundësia, kthehu për shërbim në atdheun tënd.” Djaloshi me shikim shqiponje i mbajti lotët në gjoks por e vulosi këtë porosi në zemër; me tërë qenien u betua se do ta mbante këtë emanet.
Jeta e djaloshit Kadri tani ushtarak dhe lufta në Kroaci:
Vitet kalonin shpejt, mirëpo malli i prindit për djalin e tij po ngarkohej dalëngadalë, si një barrë e rëndë, dhe shpesh sikur prindi për evladin thoshte nga thellësia e shpirtit: “A thua, o Zot, çfarë rruge ka marrë në jetë ky evlad i yni, apo shkoi në gurbet e humbi e u tret…” Përderisa djaloshi i djeshëm kishte ecur si vigan, hapave të emanetit të prindit, heshtur por pa u ndalur, derisa u ngrit në piramidën e hierarkisë ushtarake në Kroaci.
Në vitet ’90, kur kjo piramidë filloi të dridhej, ai nuk ndejti as hezitoi por u rreshtua përkrah forcave të ushtrisë kroate dhe luftoi ndaj okupatorit slavo-serb për 4–5 vite me radhë. Kjo e bëri që, përkundër sakrificave të mëdha, të kalitej edhe më shumë për një mundësi që i vlonte në gjoks: se një ditë, në vendlindjen e tij do të lindte një pranverë e tillë e luleve të para të lirisë.
Iniciativa për luftën në vendlindje dhe diaspora shqiptare:
Duke qenë në kontakt me diasporën shqiptare të Zagrebit dhe më gjerë, Kadriu e përcillte me vigjilencë situatën dhe priste për çdo moment të fillonte ai tufan në katër anët e shqipeve, tufan i cili veç kishte marrë hov dhe nuk ndalej…
Ditët kaluan shpejt, kur edhe plani i realizimit të ëndrrës po afrohej. Kadriu u përshëndet me bashkëshorten dhe fëmijët. Teksa po përshëndetej me ta, iu kujtua përshëndetja me prindin para disa dekadave, vetëm se tash në një dimension tjetër… mirëpo emocionet nuk ishin as më të vogla e as më pakë të përziera.
Arritja në Shqipëri dhe plani për të hyrë në Kosovë:
Kadriu, erdhi sipas planit në Shqipëri, e përgatiti planin për të hyrë në Kosovë me një elitë të zgjedhur njerëzish, thuajse edhe me ata që ishin në mesin e protagonistëve të procesit të organizimit të luftës. Front pas fronti, arriti edhe në Llap (Zonën Operative të Llapit – ZOLL), ku me padurim priste të kuptonte lidhur me fatin e familjes që e kishte lënë në Katunishtë (Podujevë). Pikërisht si në legjendat e heronjve dhe në epikat e baladat e poetëve, djaloshi i guximshëm i ishte afruar me sa të shihej me sy pullazit të shtëpisë së tij, ku ende dilte tym i bardhë, duke dhënë sihariq se ende kishte gjallëri në atë shtëpi. Sikur mendja t’i shkonte se sa “ furrë e druve e mallit” për birin e tij kishte dalë nga ai oxhak, nga ata shpirtra të prindërve, me netë të gjata pa gjumë në sy e me agime duke pritur ndonjë sihariq për birin e tyre.
Ushtaraku Kadri dhe arritja në vendlindje pranë ëndërrës së prindit në Llap:
Dhe ja, si në legjendat e lashta, ëndrra e prindit Ferat po afrohej, sikur një pulëbardhë nga qielli me plot sihariq. Duke vëzhguar kështu me gisht në ballë, plaku i shtëpisë dëgjoi një zë nga larg, i cili i erdhi me drithërimë: O Ferat. papritmas brofi në këmbë, ngase armiku ishte në të katër anët… “O hoja” u përgjigj.
Ç’ka të shohësh? Një djalë i ri në uniformë të UÇK-së kishte ardhur ta merrte me vete për t’i dhënë një lajm në Shtabin e Zonës Operative të Llapit (ZOLL-it). Pas asaj rruge krejt në mëdyshje të thellë që e bëri plaku, arriti te një shtëpi ku sa vinte e shtohej numri i njerëzve në uniforma, të cilët e përshëndetnin me mirëseardhje.
Takimi i prindit Feratit me ëndërrën e tij të para disa dekadave:
Kur hyri në oborr baci Ferat, pa së largu një burrë shtatlartë, me një uniformë ushtarake që i rrinte për shtati dhe një buzëqeshje e përzier me të gjitha llojet e emocioneve (që nuk i përshkruan as penda). Çfarë koincidence ka jeta, o Zot!
Këta hapa që dikur, para disa dekadave, po largoheshin duke u përshëndetur me mall; tani mezi po afroheshin për t’u përshëndetur me zjarr. Po çfarë përshëndetjeje se… po çfarë befasie se… po çfarë mallëngjimi se… po çfarë mrekullie se… Në këtë mjegull që vlonte në gjoksin e djaloshit guximtar, tani i doli me përqafim prindit përballë, si një ushtarak, ashtu si prindi e kishte ëndërruar.
Ushtaraku Kadri përqafon në befasi Prindin e tij:
Ushtarët përreth nuk e kishin haberin e kësaj skene, vetëm se u stepen kur dëgjuan klithmën e mallit: “Bab…” – në veshët e plakut erdhi kjo thirrje si prej qiellit, duke u afruar me krejt forcën që kishte drejt birit të tij, sikur vetëtima me retë, duke lëshuar lot të zemrës rrëke sikur shi…
Vërtet një mrekulli. Kishin kaluar dekada që nuk ishin parë babë e bir. Kishin kaluar dekada që ia kishte dhënë babai birit të tij atë emanet. Dhe tani biri i tij këtë emanet nuk ia solli në zarf, as në letër, as në diploma, as në dekorata, por ia solli ashtu me zemër dhe prej zemre, të ruajtur thellë në gjakim gjaku dhe gatishmëri për t’i dalë prindit hakut.
A nuk është vërtet kjo mrekulli? A nuk është i madh në modesti ky djaloshi i dikurshëm, i cili përkundër karrierës, familjes e meritave të tjera, nuk e harroi atdheun, nuk e harroi familjen, nuk e harroi besën, nuk e harroi emanetin.
Rrëfimet e tilla të bëhen këngë e ninullave të djepit, lektyrave shkollore dhe doktrinave ushtarake:
A thua nuk ia vlen ky “kthim si në legjendat e Gjergj Elez Alisë” që edhe ky rrëfim i gjallë të bëhet pjesë e “librave tona” shkollorë, që nxënësit tanë të mësojnë edhe një të vërtetë, jo vetëm si legjendë por si pjesë e gjallë e së kaluarës sonë të afërt, të mësojnë se si duhet dhe si duket një djalosh i cili pati guxim deri në gatishmëri për flijim, që vetëm e vetëm t’ia realizojë një emanet prindit të tij.
E ata që nuk e shkelin emanetin.
Ata që nuk e shkelin besën.
Ata që nuk e harrojnë familjen as atdheun, ata meritojnë plot lavdi e respekt.
I përhershëm qoftë nderimi për djaloshin guximtar Kadri Kastrati (Komandant Daja).
Ishim me fat që patëm mundësi të jetojmë dhe veprojmë së bashku në epokën e luftës për liri dhe çlirim dhe të pasojmë hapat dhe shembullin e tij (gjatë periudhës së luftës) në këtë rrugëtim. Të gjitha ato kujtime dhe përjetime, si dhe përpjekjet profesionale e heroike gjatë luftës të Gjeneral Kadriut, shpresoj se do të ndriçohen nga institucionet dhe protagonistët e gjallë të asaj epoke.
Nga bashkëluftëtari i juaj.
Rrahman B. FERIZI
Zona Operative e Llapit/ Brigada 152, “Shaban SHALA”.