
Dogana kontrollon një automjet në Vërmicë, gjen afër 18 mijë euro të padeklaruara
Dogana e Kosovës ka njoftuar se të martën në pikën kufitare në Vërmicë është kontrolluar një automjet me targa kosovare, ku gjatë kontrollit i janë hasur 17 mijë e 950 euro të padeklaruara.
“Sot, në pikën kufitare të Vermicës, gjatë një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Dogana e Kosovës dhe policia kufitare, është selektuar për kontroll të detajuar në vijën e dytë automjeti me targa kosovare. Gjatë ekzaminimit të detajuar të automjetit, zyrtarët doganorë kanë hasur mjete monetare të padeklaruara në shumë totale prej 17.950.00 euro, të ndara në këto prerje: 74 kartëmonedha nga 100 euro – 7 400.00 euro; 211 kartëmonedha nga 50 euro – 10,550.00 euro”.
“Në mungesë të deklarimit paraprak dhe dokumentacionit mbi prejardhjen e mjeteve, dogana ka bëre sekuestrimin e mjeteve derisa në përputhje me nenin 33.5 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK), palës automatikisht i është bërë konfiskimi i shumës prej 4,487.50 euro – që përfaqëson 25% të shumës totale të padeklaruar derisa edhe pjese tjetër mbahet deri në përfundimin e procedurave hetimore. Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të deklarojnë saktësisht mjetet monetare mbi 10.000 mije euro të cilat i mbajnë me vete gjatë hyrjes apo daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të paligjshme financiare dhe për të shmangur ndëshkime të panevojshme”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.