
Dogana shënon ulje të të hyrave
Pandemia e koronavirusit ka ndikuar që të ulen të hyrat doganore në Kosovë. Të hyrat pritet të normalizohen pas tejkalimit të pandemisë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se duke iu referuar të hyrave paraprake, ka pasur një ulje të importit por, sipas tij, krejt varet nga konsumimi. “Nëse iu referohemi të dhënave paraprake që prej Serbisë kemi pasur rreth 450 milionë euro import të produkteve brenda një viti atëherë normalisht se pritet por, sidoqoftë, gjithë kjo varet nga sjellja e konsumatorëve kosovarë. Nëse konsumatorët kanë kërkesë për produkt, normalisht se do të shtohet importi”, ka treguar Stavileci.
Ai ka thënë se shifrat momentale janë nën mesataren ditore e mujore që ka qenë më herët. “Kjo shifër është pak a shumë e ulët dhe është nën mesataren mujore, mesataren ditore që kemi pasur të importit prej Serbisë. Po për momentin që flasim të hyrat janë pak a shumë të njëjta me vitin e kaluar. Normalisht që pandemia jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën ka ndikuar në uljen e kapaciteteve ekonomike jo vetëm dhe në këtë aspekt ne kemi vërejtur një ulje të hyrave dhe besojmë se në momentin kur pandemia do të ulet, të hyrat do të kthehen në trajkoren normale”, bërë me dije Stavileci.
Ai ka thënë se Dogana këtë vit planifikon të hyra prej 1.2 miliard euro. “Planifikimi i doganave jo vetëm këtë vit, por gjatë viteve të fundit ka arritur të tejkaloj një miliard euro, ndërsa planifikimi për këtë vit kalon 1.2 miliard euro për t’u mbledhur gjatë gjithë vitit”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se dëmet e krijuara nga situata e krijuar me koronavirus do të ndikojnë në buxhetin e shtetit, por kjo nuk do të jetë si shkak i uljes së performancës së doganës, por si rezultat i pandemisë. “Gjithsesi se këto ndikojnë në buxhetin e shtetit, se pritet të ketë efekt në të hyra jo si rezultat i mosperformancës, por si rezultat i uljes së konsumit dhe pandemisë e cila jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera kanë ndikuar direkt në uljen e performancave ekonomike të vendeve të ndryshme. Ne presim që këto të hyra të stabilizohen kur pandemia të eliminohet”, ka thënë Stavileci.
Ai ka njoftuar se Kosova nuk ka rrezik për ndonjë krizë ekonomike dhe këtë e tregojnë të hyrat momentale. “Nuk besoj se kemi rrezik nga një krizë ekonomike për arsye se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për ta përballuar këtë krizë. Të hyrat momentale të cilat ne jemi duke i grumbulluar tregojnë që mund të përballohet kjo”, ka thënë Stavileci.