Dolën nga shtypi poemat: “PENA SHKRUANTE DIELLIN” dhe “ALO PESHKOMADH…” të autorit Avni Dehari

29 shtator 2025 | 11:15

Shkrimtari dhe publicisti Avni Dehari, në këtë kohë të fundit, është shfaqur me një vrull të veçantë krijues. Pas librit të tij “Trimoshi dhe Flokëhapareshuri”, që u prit me interes nga lexuesit, ai vjen në këtë fillimvjeshtë me dy dhurata të reja poetike: poemat “Pena shkruante Diellin” dhe “Alo Peshkomadh…”.

Poema “Pena shkruante Diellin” përfaqëson një krijim unik në letërsinë shqipe. Përmes fabulës, ironisë dhe metaforës, ajo ndriçon një realitet historik të hidhur, duke e kthyer dhimbjen në art dhe fjalën në mjet të qëndresës. Botuar për herë të parë më 1990, kjo poemë është një ndërthurje e rrallë midis letërsisë për fëmijë dhe poezisë politike, që arrin t’i flasë njëkohësisht zemrës së të rinjve dhe ndërgjegjes së të rriturve.
Në qendër të saj qëndron figura e Topit, mbi të cilin shkruhet parulla “Kosova – Republikë”, simbol i një rezistence që nuk dorëzohet. Mesazhi i poezisë është i qartë: liria dhe identiteti nuk burgosen dot, edhe përballë dhunës më të egër. “Pena shkruante Diellin” nuk është vetëm letërsi – është dokument poetik i kohës, mësim i gjallë për fëmijët, thirrje për vetëdije kombëtare dhe shembull i fuqisë që ka arti për ta ruajtur të vërtetën historike.

Ndërkaq, poema “Alo Peshkomadh…” na çon në një botë krejt tjetër: epiko-satirike, të mbushur me fantazi e humor, ku protagonist është figura e Prapshtakut. Këtu imagjinata guxon të sfidojë ligjet e arsyes dhe folklori shndërrohet në urë për te moderniteti i fabulës poetike. Në këtë univers të pazakontë, ëndrra, marrëzia njerëzore dhe ironia ndërthuren duke na dhënë një tablo ku e qeshura dhe mendimi ecin krah për krah.

No description available.
Ironia bëhet dritare për të parë më qartë jetën, ndërsa fantazia – një mënyrë tjetër për të thënë të vërtetën. Lexuesi që hyn në këtë botë do të gjendet në një udhëkryq mes ëndrrës dhe realitetit, mes së bukurës dhe së çuditshmes, duke kuptuar se kufijtë e arsyes nuk janë mure, por porta drejt krijimtarisë.

Të dyja këto poema mbajnë siglën e shtëpisë botuese “Lena Graphics”. Redaktor i librave është Demir Reshiti (njëherësh autor i parathënieve), recensues Rushit Ramabaja, ndërsa redaktor gjuhësor vetë autori. Librat shoqërohen me ilustrime të mrekullueshme të “qëndisura” nga Alket Zeqiri, ndërkaq përgatitjen kompjuterike e ka bërë Rrezart Fejzullahu.

Autorit i urojmë suksese të reja në krijimtarinë letrare, me shpresën se pena e tij do të vazhdojë të na dhurojë dritë, fjalë dhe ëndrra të reja.

(D. Reshiti).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ardian Nuhiu nuk është më trajner i SC Gjilanit dhe…