Doli nga shtypi libri ‘Kohë pa etos’ i autorit Besim Baraliu
Ka dalë nga shtypi libri “KOHË PA ETOS (Refleksione për gjendjen aktuale politike)”, i autorit Besim Baraliu.
Ky libër është botuar nga Shtëpia botuese “Artini”.
“KOHË PA ETOS (Refleksione për gjendjen aktuale politike)”, përveç parafjalës dhe hyrjes, ka edhe njëzetenjë njësi të veçanta. Meqë vepra është shkruar nën dritën e mendimit politik dhe etik të Adem Demaçit, nuk ka mundësi të mos e ketë tonin kryengritës dhe komentimin e drejtpërdrejtë siç e kishte ai zakon.
Promovimi i këtij libri do të mbahet më 26 shkurt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.
Biografia e Besim Baraliut:
Besim Baraliu u lind më 12 janar të vitit 1959, në fshatin Bukosh të Suharekës, në një familje të madhe, të lidhur fort me vlerat tradicionale shqiptare. I biri i Rahime Gashi-Baraliut dhe Rrahman Baraliut, ai ishte fëmija i pestë në familje, dhe vëllai i katërt – i rritur mes tri motrave dhe tre vëllezërve, në një mjedis ku përgjegjësia, puna dhe respekti për tjetrin ishin pjesë e pandashme e edukimit të përditshëm. Hapat e parë të dijes i hodhi në Bukosh, ndërsa rrugëtimi arsimor e çoi herët drejt qyteteve, gjimnazeve dhe përvojave që e formësuan karakterin e tij. Shkollën e mesme e përfundoi pas një rruge jo të zakonshme: Prizren – Prishtinë dhe – sërish në Suharekë. Maturën e kreu në vitin 1978, në një kohë kur brezi i tij po piqej nën trysninë e një padrejtësie historike.
Që në rini u përfshi në veprimtarinë ilegale atdhetare. Me shokët e parë të kësaj rruge – ndër ta: Imer Graincën, Ramadan Veliun, Xhabir Morinën, Fadil Vatën, Ramë Bujën dhe bashkëveprimtarë të tjerë – Besim Baraliu hyri në një përballje të gjatë me pushtetin, shoqëruar me ndjekje, dhunë dhe burgosje. Në verën e vitit 1978 kaloi kufirin për në Shqipëri. Qëndrimi i shkurtër u pasua nga dorëzimi te organet jugosllave dhe dënimi i parë. As ky dhe as burgosjet e mëvonshme, nuk e gjunjëzuan. Në vitin 1979 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Prishtinës, në degën e Fizikës. Paralelisht me studimet, u intensifikuan edhe aktivitetet politike në organizatat atdhetare të kohës. Arrestimet u kthyen në cikël. Më 5 dhjetor të vitit 1979 u dënua për propagandë dhe agjitacion kundër RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu i Zajeçarit, në vitin 1983, iu bashkua Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Arrestimi i vitit 1986 dhe dënimi me tetë vjet burg shënuan kapitullin më të rëndë, por edhe më frymëzues të jetës së tij. Në burg, bashkëvuajtja u shndërrua në shkollë.
Aty ndau ditë e net, mendime dhe ideale me disa nga figurat qendrore të çështjes kombëtare, si: Adem Demaçi, Haki Gashi, Hafir Shala, Fehmi Lladrovci, Idriz Hyseni, Behxhet Shala, Tahir Hani, Remzi Ademaj, Abdullah Dërguti, Nuhi Ahmeti, Basri Ibrahimi, Zaim Beqiri e të tjerë. Pas daljes nga burgu, më 1990, Besim Baraliu u martua me Bahrie Bytyqin, profesoreshë e Biologjisë, bashkëveprimtare shembullore dhe e palëkundur në të gjitha etapat e veprimtarisë ilegale, arsimore dhe çlirimtare të të shoqit. Së bashku u bënë prindër të dy djemve dhe dy vajzave, të cilët u rritën në frymën e përgjegjësisë, punës dhe respektit për vlerat njerëzore e kombëtare. Pas lirimit nga burgu, përfundoi studimet universitare dhe iu kthye misionit të dijes si profesor i Fizikës. Punoi në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë dhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren. Njëkohësisht, ushtroi funksionin e kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Suharekë. Pranvera e vitit 1998 e gjeti aty ku e kërkonte detyra.
Iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mori pjesë në themelimin e Batalionit të Budakovës dhe u angazhua si komandant për moral dhe politikë. Pas ofensivave serbe dhe riorganizimit të forcave të UÇK-së, mori përgjegjësi në riorganizimin e Brigadës 123 dhe të Shtabit të Zonës së Pashtrikut.
Pas çlirimit, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës u autorizua si koordinator për organizimin e pushteteve lokale në rajonin e Prizrenit, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në ngritjen e institucioneve të para të lirisë, në një kohë kur shteti po ndërtohej nga themelet. Më pas drejtoi ndërmarrjen hoteliere-turistike “Theranda” për rreth tetë vjet, deri në privatizimin e saj. U rikthye përkohësisht në arsim dhe më pas u zgjodh kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, institucion që e udhëhoqi për 11 vjet, duke realizuar projekte të rëndësishme të ujësjellësve dhe impianteve, si dhe duke lënë gjurmë të qëndrueshme në menaxhimin publik. U pensionua më 11 janar të vitit 2024.




