Don Zhuani, miti, sindromi dhe koha jonë

22 qershor 2025 | 08:36

Nga: Fatos Tarifa

Ç’dimë për Don Zhuanin?

Nëse pyesni sot një njeri çfarëdo në rrugë – në Vlorë, në Ulqin apo në Prizren, ose edhe në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Athinë, në Pragë, në Oslo, madje edhe në Santa Fe apo në Majami, në Tokio, në Hong-Kong, në Melburn apo në Johanesburg – se ç’kuptim ka për ta emri Don Zhuan, ai mund të habitet me këtë pyetje. Një pyetje që s’ka kuptim të bëhet, do të thoshte ai, sepse kushdo e di se ç’do të thotë Don Zhuan.

Për shumicën e njerëzve, Don Zhuani është simboli i një burri aventurier në dashuri, i një mashkulli të cilit nuk i reziston dot asnjë grua, në mos edhe i një mashtruesi e rrëmbyesi zemrash femërore, në mos një njeri imoral – në mungesë të një fjale të vetme më të përshtatshme në shqip, një seducer, apo një womanizer.

Këto përcaktime përbëjnë portretin e tij. Në Shqipëri, jo rrallë, një tip i tillë, pra një Don Zhuan, cilësohet ose stigmatizohet gabimisht si “feminist” (“fems” në zhargonin e rrugës), dhe kjo veçse e vë më shumë në dukje paditurinë mbi këtë personazh legjendar, fiktiv, alegorik e filozofik njëherësh dhe mbi dukurinë morale, artistike, etike, filozofike e sociologjike që ai ka përfaqësuar historikisht e vazhdon të përfaqësojë edhe sot.

Nëse e pyesni po të njëjtin individ nëse Don Zhuani ishte ateist, ose një njeri jo konformistradikal dhe rebel në mendimet dhe në sjelljen e tij, nuk do të çuditeshit nëse përgjigja e tij do të ishte: “Nuk e di”, ose, “S’më ka shkuar ndonjëherë ndër mend”, ose “Ndoshta, por s’jam i sigurt për këtë”.

Përgjigje të tilla për një karakter si Don Zhuani, edhe pse për këdo, ose për shumicën e njerëzve “të zakonshëm” ai mishëron një prototip të caktuar, përmbajnë një tis misteri dhe mjaft dyshim. Për ta, një Don Zhuan është një Don Zhuan. Pikë. Të tjerat s’kanë rëndësi. Kështu është thënë, kështu jemi mësuar të besojmë. Në fund të fundit, a s’është Don Zhuani një mit. Dhe, a s’janë krijuar të gjitha mitet rreth njerëzve dhe për ta?

Ndërsa vazhdoj të studioj e të shkruaj një vepër mbi Erosin dhe demokracinë, e ndjej të nevojshme të ndalem në dukurinë e rëndësishme që Don Zhuani përfaqëson, jo aq si një personazh letrar, se sa si një tip njerëzor që, duke qenë unik, mishëron tipare që i gjejmë – historikisht dhe në ditët tona – thuajse në çdo shoqëri. Nëse do të huazoja nga Ralf Dahrendorfi termin homo sociologicus për të sqaruar këndvështrimin tim për të, Don Zhuani do të mund të konsiderohej i tillë, si një individ që kërkon të jetë absolutisht i lirë nga kufizimet morale të shoqërisë së kohës së vet.

Sidoqoftë, Don Zhuani dhe dukuria që ai përfaqëson nuk mund të kuptohen jashtë kontekstit historik e kulturor të kohës kur ai, i krijuar si një personazh letrar, mishëronte një karakter të ri njerëzor në kushtet e lindjes së marrëdhënieve të reja morale e të ndryshimit të raporteve mes seksit mashkullor e atij femëror, që pasqyrohen në aspekte të tillë, si dominimi, rezistenca, identitetet dhe stereotipat në marrëdhëniet gjinore.

Rilindja e Europës

Pikëpamjet, besimet dhe qëndrimet që e përçmonin gruan dhe e justifikonin pozitën e nënshtruar të saj në familje e në shoqëri ishin një karakteristikë e Mesjetës. Ato vijuan edhe në Mesjetën e vonë, madje edhe në periudhën e modernitetit, në epokën viktoriane e deri në gjysmën e parë të shekullit të 20-të.

Sidoqoftë, me dobësimin dhe rënien e feudalizmit e të pozitës sunduese të Kishës, në Mesjetën e vonë ndodhën ndryshimet e para të rëndësishme në fushën e erotizmit e të organizimit shoqëror të seksualitetit, të ndikuara në një masë të madhe nga fryma humaniste e asaj lëvizjeje të gjerë shoqërore e kulturore, të cilën e njohim me emrin Rilindje Europiane (Renaissance në frëngjisht, RinascimentoRinascita apo Cinquecento në italisht).

Zhvillimet historike që lidhen më këtë epokë shënojnë një dukuri europiane, e cila, në forma e në përmasa të ndryshme u shfaq pothuajse te të gjithë popujt e zhvilluar europianë. Edhe pse fillimisht Rilindja nisi në Firence e në disa qytete-shtete të tjerë të Italisë së Veriut, shumë shpejt ajo u përhap në Francë, në Holandë, në Angli, në Spanjë e Portugali, në Gjermani e në pjesë të tjera të kontinentit. Përmbajtja dhe rëndësia historike e Rilindjes kanë qenë të tilla, sa ajo u bë një mbështetje dhe një faktor i fuqishëm nxitës për tërë qytetërimin europian e atë botëror, në atë kohë, por edhe më vonë.

Nuk do të zgjatem në përshkrimin e kësaj epoke historike të jashtëzakonshme. Një analizë të zgjeruar të saj e kam bërë në librin Rilindja e Europës (2010). Sidoqoftë, për të kuptuar ndryshimet e rëndësishme që ndodhën gjatë periudhës së Rilindjes në fushën e erosit e të organizimit shoqëror të seksualitetit, mjaftohem të them se është e nevojshme të shqyrtojmë kushtet e reja ekonomike e shoqërore që i bënë të mundura ato.

Qysh në shekujt të 11-të dhe 12-të, disa prej qyteteve të Italisë, si Firencja, Venediku, Milano, Piza dhe, më vonë, Roma e Napoli, kishin arritur të fitonin pavarësinë e tyre prej papëve dhe dinastive feudale, duke u bërë jo vetëm njësi politike të pavarura (qytete-shtete), por edhe qendra të zhvilluara të jetës urbane e të një krijimtarie artistike të një lloji të ri, të zhveshur nga aureola e kishës dhe mistika fetare.

Ndryshimet e thella ekonomike nuk mund të mos kishin një ndikim shumë të madh në superstrukturën e shoqërisë – në institucionet e saj, në kulturën, idetë, mënyrën e jetesës e të sjelljes së njerëzve, përfshirë edhe sjelljen seksuale, si dhe në marrëdhëniet gjinore brenda e jashtë familjes. Siç vinte në dukje Engelsi, lufta e klasës së re tregtare dhe e borgjezisë kundër rendit feudal u përgatit më parë në fushën e ideologjisë. Borgjezia europiane, që kishte interesa ekonomike e politike të kundërta nga ato të klasës feudale, nuk mund të ishte e kënaqur me botëkuptimin dhe me kulturën e vjetër të Mesjetës, që në thelb ishin teologjike, dhe nuk mund të mbështetej në to.

Kultura rilindase dhe rizbulimi i trupit njerëzor

Botëkuptimi dhe kultura teologjike, si dhe morali i krishterë, i ishin përshtatur shoqërisë feudale, kushteve dhe mënyrës së saj të prodhimit e të këmbimit, ndërsa kushtet e reja ekonomike dhe pozita e borgjezisë që po lindte, e cila kërkonte transformimin e të gjitha marrëdhënieve dhe institucioneve të vjetra shoqërore, bënin të domosdoshëm krijimin e një botëkuptimi të ri e të një kulture të re, antiteologjike dhe antifeudale. Në këtë kuadër, lufta e borgjezisë së atëhershme kundër feudalizmit dhe absolutizmit mesjetar do të drejtohej, në radhë të parë, kundër fesë dhe institucioneve të saj. Që të mund të sulmoheshin marrëdhëniet shoqërore ekzistuese, duhej t’u hiqej atyre aureola e shenjtërisë.

Qysh në shekujt e 13-të dhe 14-të, në radhët e elitës së arsimuar në shumë prej vendeve të Europës kishte lindur e po zhvillohej një kulturë dhe një letërsi e re, me tipare tepër origjinale, që do i jepnin një goditje të rëndë botëkuptimit teologjik të Mesjetës. Pararendësit e kësaj kulture dhe letërsie të re, që njihet si letërsia proto-rilindase ishin tre italianë të mëdhenj – Dante Aligeri (1265-1321), Françesco Petrarka (1304-1374) dhe Xhovanni Bokaçio (1313-1375) – poetë dhe shkrimtarë humanistë, kryeveprat e të cilëve, të shkruara në një gjuhë popullore, që do të bëhej italishtja letrare, shënuan lindjen e së parës letërsi moderne dhe mbeten edhe sot modele të përkryera në fushë të letrave.

Të tre këta shkrimtarë të mëdhenj ishin nga Francie, që në atë kohë përfaqësonte kryeqytetin kulturor të Rilindjes dhe qendrën kryesore të Humanizmit europian. Koha kur jetuan ata ishte vigjilja e një epoke që do të sillte ndryshime të jashtëzakonshme në kushtet e jetës njerëzore.

Kultura e re rilindase kishte karakter laik. Ajo hoqi dorë gradualisht nga tradita fetare e deriatëhershme, e cila të gjithë vëmendjen e kishte përqendruar në dukuritë e mbinatyrshme dhe si burim të vetëm të saj kishte Librin e Shenjtë dhe subjektet fetare. Rilindja ndihmoi në sekularizimin e shoqërisë europiane dhe në çlirimin e saj prej interdiktit të Kishës.

Objekt i kulturës së Rilindjes, siç u pasqyrua veçanërisht në art e në letërsi, u bënë natyra, individi njerëzor dhe nevojat e tij, si dhe jeta e shoqërisë. Në fokus të saj e të moralit të ri që u krijua bashkë me të u vu njeriu, me bukurinë fizike e me botën shpirtërore të tij, me interesat dhe marrëdhëniet e tij me natyrën, me shoqërinë dhe me vetveten. Rilindja shënoi rizbulimin e trupit njerëzor dhe të kënaqësive të tij, që për shekuj me radhe ishin mbajtur të shtypura.

Për shkak se fokusi i kësaj kulture të re u bë njeriu, ajo u quajt humaniste (nga latinishtja: humanus – njerëzor). Njeriu u bë një individ shpirtëror e sensual dhe e kuptoi veten si të tillë, njëlloj si grekët e lashtë, që e dalluan veten e tyre nga barbarët. Rilindja dhe Humanizmi ngritën lart arsyen njerëzore, vlerat dhe lirinë e individit, aftësitë e tij për kënaqësi fizike e shpirtërore, si dhe aftësitë e tij për përsosje të vazhdueshme. Në fakt, periudha e Rilindjes shënoi një ndarje të vendosur nga kufizimet mesjetare të jetës në çdo aspekt – atë ekonomik, politik, artistik dhe erotik.

Në një plan të përgjithshëm mund të thuhet se ideali shoqëror i kulturës dhe i moralit të ri humanist ishte lartësimi i personalitetit njerëzor dhe mbrojtja e të drejtave të tij kundër privilegjeve feudale. Në këtë vështrim, është kuptimplotë vlerësimi që i ka bërë Engelsi Humanizmit të shekujve të 14-të dhe 15-të si “forma e parë e iluminizmit borgjez”.

Me Rilindjen dhe artin e saj dolën në pak bukuria dhe sensualiteti i trupit të njeriut dhe vetë seksualiteti human, të cilët u bënë subjekte të artit e të letërsisë. Një ndër veprat e para të letërsisë erotike në shekullin e 14-të, përfaqësuar më së miri nga Bokaçio, ishte Dekameroni i tij, e konsideruar si një vepër “himn për kënaqësitë fizike të jetës”.

Don Zhuani si personazh letrar e artistik

Ajo lëvizje kulturore e letrare që kish lindur në Itali me Danten, Petrarkën dhe Bokaçion u përhap dhe u zhvillua një dhe dy shekuj më vonë në Holandë (Erazmi) dhe në Francë (Pier de Ronsard, Rabële dhe Montenj), në Angli (Mor e më vonë Bekon, Shekspiri, Marlou e Ben Xhonsoni), në Spanjë (Servantesi) dhe një tjetër shkrimtar më pak i njohur, Tirso de Molina (1583-1648).

Ky i fundit, një prift katolik dhe, njëherësh, poet e dramaturg, që sot konsiderohet si një ndër dramaturgët më të mirë të Spanjës në “epokën e artë” të saj, u bë i njohur me dramën e tij Mashtruesi i Seviljes dhe mysafiri i gurtë (përkthimi im nga anglishtja; në origjinalin spanjisht: El burlador de Sevilla y convidado de Piedra). Kjo vepër është pikërisht ajo që “e solli Don Zhuanin në këtë botë” dhe e bëri atë “të pavdekshëm”. Ndërsa me këtë personazh të jashtëzakonshëm autori i kësaj vepre bëri vend në historinë e letërsisë botërore, vetë personazhi i tij, Don Zhuani, u bë dhe mbeti një figurë alegorike për të gjitha kohët.

Botuar në Spanjë circa 1630, pak a shumë në të njëjtën kohë me Don Kishotin e Servantesit, kjo vepër, veç personazhit kryesor të saj, përmban edhe personazhe femra dhe është ndër të parat vepra në letërsinë e Rilindjes që eksploron çështje të marrëdhënieve gjinore dhe të seksualitetit. Personazhi kryesor i saj, Don Zhuani, me dy fjalë, është një fisnik i ri, i cili josh vazhdimisht çdo grua që takon duke i premtuar martesë.

Për afro katër shekuj qysh nga botimi i kësaj vepre, publiku europian është mësuar ta shohë një prototip të tillë të asociuar me raportet mes dashurisë dhe seksit, ose mes besimit dhe ndershmërisë, nga njëra anë, dhe hipokrizisë, nga ana tjetër.

Duhet vënë në dukje se Don Zhuani u krijua në një kohë kur dashuria ishte bërë një subjekt gjerësisht i trajtuar në letërsinë më të mirë të prodhuar deri atëherë. Petrarka kishte lënë një sërë poemash lirike pasiononte kushtuar dashurisë, sidomos në veprën kryesore të tij, Il Canzoniere (të cilat më vonë u përkthyen dhe u botuan në Angli e në Francë) dhe, po kështu, Serafino del Akuila.

Bekoni kishte botuar një ese Mbi dashurinë dhe, po kështu, Merlou dhe Ben Xhonson kishin botuar një varg poezish lirike kushtuar dashurisë. Jon Don, në sonatat e tij, u kishte thurur himn dashurisë dhe seksualitetit në martesë. Një seri sonatash botuar nën titullin Astrofili dhe Stela nga Filip Sidni i kushtoheshin dashurisë dhe dëshirës erotike. Në Francë, Pier de Ronsard kishte botuar Dashuritë e Kasandrës dhe Sonata për Helenën. Në sonatat dhe në dramat e Shekspirit (Romeo e ZhuljetaOtelloShumë zhurmë për asgjëNata e dymbëdhjetëËndrra e një nate vere etj.), fjala “dashuri” përmendej mëse 2,330 herë.

Krijimi dhe popullarizimi i një personazhi mitik, si Don Zhuani, në Spanjë simbolizonte një burrë anonim, një individ libertin, por edhe një mashtrues e “rrëmbyes” zemrash të grave – me pak fjalë, tiparet e arketipit të një mashkulli dominant dhe endacak. Don Zhuani, si karakter, ka përfaqësuar një prototip njerëzor në qindra vepra letrare, filozofike, sociologjike e muzikore që fokusohen në marrëdhëniet gjinore dhe erotizmin.

Një figurë e tillë si Don Zhuani ka pasur një ndikim të madh në imagjinatën krijuese të europianëve si një imagio dhe si një alegori e maskulinitetit, edhe pse, ndërsa përmendja e Edipit na kujton Sofokliun, Narcisi na kujton Ovidin, Hamleti Shekspirin, Don Kishoti Servantesin dhe Fausti Gëten, Don Zhuani është personazh i shumë veprave letrare e muzikore, prej të cilave është e vështirë të thuash se cila është më e mira.

Dhe, nuk është për t’u çuditur pse për Don Zhuanin është shkruar kaq shumë. Figura e tij dhe ajo çfarë ai përfaqëson (karakteri donzhuanesk), sido që janë kuptuar e përshkruar në mënyra të ndryshme në kohë dhe kultura të ndryshme, kanë ngjallur vazhdimisht – siç ngjallin edhe sot – një interesim të madh në radhët e filozofëve e të shkrimtarëve duke u bërë subjekt i shumë prej veprave të tyre.

Molieri shkroi e botoi (në vitet 1660) një komedi titulluar Don Zhuani; Lord Bajroni shkroi e botoi (në vitet 1819-24) një poemë epike, titulluar edhe ajo Don Zhuani, duke reflektuar përmes këtij personazhi mbi fëmijërinë dhe rininë e tij; Aleksandër Dyma botoi dramën Don Zhuan de Marana, ose Rënia e një Engjëlli (1838); Rikard Shtrausi shkroi një poemë simfonike, titulluar “Don Zhuani” (1888); Xhorxh Bernard Shou botoi dramën Don Zhuani në Ferr (psesë dramës Njeriu dhe mbinjeriu (1903) dhe, mbi të gjithë, Mozarti, i cili na ka lënë operan e famshme Don Xhovani, për të cilën Soren Kirkegard thoshte se “meriton vendin më të lartë mes të gjithave veprave klasike të artit”.

Kirkegard e shihte Mozartin të lidhur me Don Zhuanin njëlloj si Homerin me Luftën e Trojës apo Rafaelin me katoliczmin. Në fakt, për shumicën e njerëzve të njohur me këtë vepër të Mozartit, Don Zhuani mbetet përherë Don Zhuani për të cilin Mozarti shkroi muzikën e tij.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një personazh tjetër, si Fausti, i cili, në mënyra të ndryshme, është bërë subjekt i shumë veprave letrare nga autorë të shquar, duke nisur nga Kristofër Merlou me dramën e tij Historia tragjike e Doktor Faustit (c. 1592); Fausti i Gëtes (botuar në dy pjesë, më 1808 dhe 1832, post mortem); poema Doktor Fausti e Henrik Hajnit (1851); novela Fausti e Ivan Turgenevit (1856); libreti “Doktor Fausti ndez dritat” (1938), nga shkrimtarja dhe dramaturgia amerikane Gertrud Stajnit; drama e papërfunduar Fausti im (1946) e shkrimtarit dhe poetit të njohur francez Pol Valeri, apo romani i Tomas Manit Doktor Fausti (1847).

Më 1828, dramaturgu i njohur gjerman Krsitian Ditrih Grabe botoi një dramë titulluar Don Zhuani dhe Fausti, e cila u vu në skenë po në atë kohë. Drama flet për një takim të Don Zhuanit me Faustin dhe synimi i autorit të saj ishte krahasimi mes Faustit të Gëtes dhe Don Xhovanit të Mozartit.

Don Zhuani si arketip psikologjik

Edhe pse një personazh legjendar në letërsi, rëndësia dhe ndikimi e Don Zhuanit si një karakter njerëzor shtrihen përtej fushave të letërsisë dhe artit. Ai ka shërbyer e shërben në psikologji dhe në gjuhën e përditshme si personifikimi apo arketipi i njeriut që udhëhiqet nga impulsi seksual.

Në thelbin e vet, miti i Don Zhuanit ka portretin e një burri, jeta hedoniste e të cilit, si një lojë fati dhe shpesh me elementë të dhunshëm, sillet rreth joshjes së grave dhe kënaqësive që merr prej tyre, pa u merakosur për pasojat e mundshme dhe të ardhmen e vet, duke besuar se ka gjithnjë kohë për të bërë ndryshime në jetë. Pavarësisht variacioneve të shumta në të cilat është trajtuar ky mit, thelbi i tij mbetet i njëjtë.

Sidoqoftë, fenomeni “Don Zhuan” historikisht është kuptuar dhe mund të lexohet edhe sot në mënyra të ndryshme. Njëra prej tyre është ajo që psikanalisti autriak Oto Renk, nxënës i Frojdit, e ka përgjithësuar në konceptin e “kompleksit të Don Zhuanit” (Don Juan complex), të cilin e lidh me ushtrimin e asaj që quhet jus primae noctis – “e drejta e natës së parë” – e drejta despotike e një lordi feudal për të zhvirgjëruar gratë e fshatarëve të tij argatë të sapomartuar. Teodor Adorno mendonte se, madje, edhe vetë “tabutë seksuale të borgjezisë janë të lidhura me jus primae noctis”.

Psikanaliza do të sugjeronte se kyçi për të kuptuar karakterin dhe sjelljen e Don Zhuanit është marrëdhënia e tij me prindërit, veçanërisht me nënën e vet. Është ky kompleks (mother complex), ai që, sipas tyre, mund të shpjegojë sjelljen dhe marrëdhëniet e tij me gratë, pasi, i nxitur nga një nevojë e pandërgjegjshme për dashuri maternale, Don Zhuani duket se kërkon nënën e vet sa herë pushton zemrën e një gruaje.

Me fjalë të tjera, qëndrimi i tij ndaj grave dhe sjellja në marrëdhëniet me to – joshja e më pas – dhe krejt lehtësisht – braktisja e tyre, dëshmojnë një lidhje shumë të thellë me nënën e tij. Çdo tërheqje romantike ndaj një gruaje për të s’është veçse kalimtare, çka mund të thuhet se nënkupton që një luajalitet i pandërgjegjshëm ndaj nënës së vet pengon tek ai çdo dashuri të vërtetë.

Te Don Zhuani, roli i babait duket pak i rëndësishëm. Kjo disbalancë duket se shpjegon zhvillimin dhe sjelljen e tij si një i rritur që u shmanget përgjegjësive në kërkim të lirisë dhe të aventurës. Një tipar i tillë, do të thoshte Frojdi, reflekton një fiksim psikologjik të një fëmije që rritet nën ndikimin e fortë të nënës dhe nën ndikimin e dobët të babait.

Karl Jung përdor termin puer (nga latinishtja: Puer aeternus “fëmijë i përjetshëm”, kur bëhet fjalë për një mashkull), që në mitologji është një fëmijë-perëndi që mbetet përjetë i ri. Jungu e përdor këtë term për të përshkruar arketipin (Puer Aeternus archetype) e një personi të rritur në moshë, jeta emocionale e të cilit ka mbetur në nivelin e një adoleshenti. Në psikologjinë popullore të sotme ky arketip apo sindrom njihet si “sindromi i Pitër Panit” (Petar Pan syndrome).

Sipas Jungut, si rregull, puer bën një “jetë provizore” për shkak të frikës se mos kapet në një situatë nga e cila s’mund të shpëtojë. Ai dëshiron të jetë i pavarur dhe i lirë, kundërshton barrierat dhe kufizimet e shoqërisë të cilat i konsideron të patolerueshme.

Nëse do e merrnim seriozisht pikëpamjen e Jungut për të shpjeguar sjelljen dhe marrëdhëniet e Don Zhuanit me gratë, do të duhej të besonim se sjellja e tij, si një djalë i ri dhe si një burrë, që s’rritet kurrë e që kërkon me çdo kusht kënaqësi, shpreh nevojën për të përmbushur dëshirat e shtypura tek ai prej prindërve – me fjalë të tjera, është liria e munguar ajo që shpjegon dëshirën e tij për të kundërshtuar autoritetet dhe për të qenë i lirë, edhe nëse kjo nënkupton rreziqe.

Në një plan të përgjithshëm, psikanaliza do të thoshte se psikika e Don Zhuanit reflekton konfliktin e përhershëm mes brezave dhe një tension të vazhdueshëm mes normave dhe presionit të shoqërisë, nga njëra anë, dhe nevojës këmbëngulëse për vetshprehje, nga ana tjetër.

Erik From ka dhënë një kuptim të ngjashëm të dukurisë “Don Zhuan”, duke e shpjeguar atë si një individ me një “karakter maskulin të dobët”, i cili, për shkak se ka mbetur “emocionalisht fëmijë” dhe “i pasigurt në maskulinitetin e vet, në kuptimin karakterologjik”, kërkon ta provojë aftësinë e tij si mashkull në seks.

Don Zhuani si legjendë dhe koha jonë

Figura e Don Zhuanit me kalimin e kohës është bërë një tip, një subjekt dhe një legjendë që është përshtatur e përdorur në çdo mënyrë në të cilën mund të shkruhet për çdo çështje sociale ose morale. “Don Zhuani”, shkruan shkrimtari dhe historiani i njohur i artit Oskar Mandel, “nuk është vetëm legjendë; në botën tonë ai është, gjithashtu, edhe një mit. Ai është bërë për ne simboli i përhershëm i një pasioni dhe një aspirate të veçantë njerëzore. Ashtu si Fausti, ai ka thuajse staturën e një prej të pavdekshmëve në panteonin klasik sepse është personifikimi i një impulsi njerëzor”.

Duhet vënë në dukje se, përtej karakterit fiktiv, si një personazh letrar, Don Zhuani përfaqëson edhe një arketip njerëzor, apo një sindrom psikologjik që e gjejmë te shumë karaktere realë, meshkuj aventurierë, si Xhakomo Kazanova, Rudolf Valentino etj. Isabel Alende i quan tipa të tillë, ndër të cilët përfshin edhe shkrimtarin Frenk Haris apo këngëtarin Hulio Iglezias, “dashnorë profesionistë”. Karaktere të tillë i ngjajnë Don Zhuanit në një pikë esenciale: ata, njëlloj si personazhi legjendar, i shohin gratë jo si individë njerëzorë, por si trofé duke qenë të fiksuar pas numrit të tyre, e jo të preokupuar për marrëdhënie erotike të kuptimshme me to.

Është me vend të theksojmë se figura e Don Zhuanit dhe vetë përmbajtja e dukurisë që mishërohet në të, janë hiperbolizuar – në ndonjë rast madje shumë – përtej imagjinatës njerëzore. Fjala vjen, në aktin 1 të operas së Mozartit, shërbëtori i Don Xhovanit, Leporelo, i thotë Dona Elvirës se Don Xhovani vetëm në Spanjë kishte joshur 1 003 gra dhe kishte fjetur me to.

Nëse mbajmë parasysh jetëgjatësinë e njeriut dhe supozojmë se kjo “kryqëzatë” e Don Xhovanit për pushtimin e zemrave të grave vetëm në Spanjë kishte zgjatur mbi 30 vite, i bie që ai të kishte fjetur me një grua të re çdo 11 ditë. Shumë pak (!) nëse e krahasojmë me shkrimtarin Frenk Haris, i cili, në librin e tij Jeta dhe dashuritë e mia, përshkruan në detaje marrëdhëniet e tij erotike me më shumë se 2 000 gra, apo me Fidel Kastron, për të cilin thuhet se, për më shumë se katër dekada, ka bërë seks me 35 000 gra, dy në ditë.

Do të ishte e tepërt të vinim në dukje se individë të tillë (Don Zhuanë) ekzistojnë në çdo shoqëri, përderisa identitetet dhe raportet gjinorë, si dhe stereotipat që lidhen me to janë një dukuri universale dhe, si të tilla, në rrethana të caktuara, manifestohen si raporte rezistence dhe dominimi gjinor e seksual.

Narrativa e Don Zhuanit, e përsëritur dhe e mbajtur gjallë në kultura të ndryshme për shekuj me radhë, ka të bëjë me tema universale e të përjetshme, siç janë liria, dashuria, dhe kërkimi i vazhdueshëm i identitetit tonë. Kjo është arsyeja që një personazh legjendar, si Don Zhuani, vazhdon të provokojë imagjinatën tonë edhe në shekullin e 21-të.

Si deri më sot, kjo imagjinatë vijon të gjejë shprehjen e vet artistike në qindra vepra të zhanreve nga më të ndryshimit. Dhjetëra e qindra romane, drama, filma, poezi dhe këngë eksplorojnë aspekte të ndryshëm të karakterit të Don Zhuanit. Kjo narrativë na fton të shqyrtojmë natyrën e marrëdhënieve tona, pasiguritë dhe frikën nga intimiteti me persona të tjerë dhe nga përkushtimi ndaj tyre, si the normat shoqërore që kushtëzojnë dëshirat dhe sjelljen tonë.

Në fund të fundit, historia e Don Zhuanit nuk është thjesht një legjendë aventurash seksuale. Në kohën tonë ai është edhe një mit, një simbol që na grish në një eksplorim të vazhdueshëm të kushteve tona humane, duke na bërë të reflektojmë mbi eksperiencat tona jetësore individuale dhe mbi dëshirat që duam të përmbushim si qenie njerëzore. /Gazeta “Dita”/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa i afrohemi ditës së dhjetë të krizës midis Izraelit…