
Donçiq: I kemi të gjitha mundësitë për të fituar
Pak ditë më parë, basketbollisti Luka Donçiq firmosi zgjatjen e kontratës së tij me Lakersat deri në vitin 2029, dëshmi se ai beson te skuadra kaliforniane. Ai dha edhe një deklaratë për mediat, ku shprehet se objektivi do të jetë titulli kampion në NBA.
“Dua t’ju them të gjithëve faleminderit, klubit, tifozëve, lojtarëve, pasi më kanë pritur krahëhapur. Mezi pres të rinisë sezoni i ri dhe t’ua kthej këtë ngrohtësi me trofe”, u shpreh Luka Donçiq. “Kur erdha në fillim, pas një shkëmbimi, nuk e dija se sa gjatë do të qëndroja këtu, por me kalimin e kohës e kuptova këtë gjë. Këtu ka një organizim të jashtëzakonshëm, ka një besim reciprok mes palëve, ndaj vendosa të qëndroj”, ka shtuar slloveni.
“Për mua është një nder të luaj me këtë klub. Këtu kanë luajtur shumë kampionë. Dua të kontribuoj që të vendoset një tjetër flamur me një tjetër titull në këtë stadium. Për këtë po punojmë të gjithë”, ka deklaruar Donçiq.