Donnarumma flet për lëndimin e rëndë që ia shkaktoi Musialas

07 korrik 2025 | 17:04

Manuel Neuer e kritikoi Gianluigi Donnarumman pas përplasjes që çoi në lëndimin e rëndë të Jamal Musialas, por kapiteni i Italisë këmbënguli se kurrë nuk kishte për qëllim ta lëndonte yllin e Bayern Munich.

Musiala pritet të mungojë të paktën pesë muaj pas një lëndimi tronditës të pësuar në ndeshjen e Kupës së Botës për Klube kundër PSG-së, pas një përplasjeje me Donnarumman.

Neuer kritikoi Donnarumman, duke thënë se ai ‘ishte i gatshëm të pranonte rrezikun për të dëmtuar kundërshtarin’.

Donnarumma dha një reagim të shkurtër për Gazzetta dello Sport në lidhje me rastin. 

“Jam i tronditur nga ajo që ndodhi. Kurrë nuk kam pasur për qëllim ta lëndoja Musialan”.

Ndërkohë, agjenti i tij Enzo Raiola deklaroi se është e padrejtë që Donnarumma të akuzohet se kishte për qëllim lëndimin e Musialas.

“Gjithçka ndodh për një të qindën e sekondës. Mjafton një moment që një pritje të kthehet në penallti ose përplasje. Gigio ishte i pari që preku topin dhe nuk kishte më mundësi të shmangte kontaktin”. 

“Është e padrejtë të mendohet se ai kishte për qëllim ta dëmtonte Musialan. I dëshiron shërim të shpejtë dhe rikthim edhe më të fortë”. 

PSG e Donnarummas ka arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, ku do të përballet me Real Madridin më 9 korrik. 

Donnarumma këtë sezon ka fituar tripletën me PSG: Ligën e Kampionëve, Ligue 1 dhe Kupën e Francës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i ka thënë të hënën…