Dosja e krimeve serbe në valixhet e shkyera të Kosovës!

25 nëntor 2020 | 20:03

Sikur politika, institucione dhe shoqëria e Kosovës të punonin dhe të koordinonin aktivitetet rreth përpilimit të një dosje voluminoze mbi krimet serbe, askujt në Beograd, as në Bruksel nuk do t’i shkonte në mendje të merrej me krimet e supozuara dhe të hamendësuara të shqiptarëve të Kosovës. Prandaj nevojitet urgjentisht aktivizimi i të gjitha resurseve shtetërore e shoqërore në procedimin krimeve serbe të kryera në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë zhurma false e procesit në Hagë kundër ish krerëve të UÇK-së do të humb në detin e madh të masakrave e dhunimeve serbe

Nga Mehmet PRISHTINA

Nevoja për të monopolizuar lavdinë e luftës përmes botimit të librave të ndryshme, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë individë të caktuar, zakonisht të veshur me pushtet, e ka zhvendosur totalisht vëmendjen e opinionit publik, duke krijuar një pasqyrë të rrejshme se këtu ka pas vetëm lavdi, por jo dhe viktima dhe sakrifica. Nga kjo mënyrë e paraqitjes së njëanshme të narrativave mbi luftën e fundit në Kosovë, Serbia ka dalë të jetë përfituesja më e madhe, për arsye se kundër saj askush nga Kosova nuk ngriti ndonjë padi në gjykatat ndërkombëtare. Lavdia e mbështjellë me marketing politik e ka larguar Kosovën nga beteja ndërkombëtare e drejtësisë dhe për pasojë shumë vrasje, dhunime, masakra, djegie e shkatërrime kanë ngelë vetëm shkronja të vdekura në disa libra të cilat ma tepër kanë promovu autorë të caktuar se sa që kanë provu të nxjerrin në bankën e të akuzuarve kriminelët serbë.
Paradoksalisht, për krime të bëra në Kosovë nga ana e serbëve të caktuar, më shumë janë angazhuar shoqata e individë të ndryshëm në Beograd se sa në Kosovë. Mjafton të përmendim Fondin për të Drejtën Humanitare si dhe zonjat Natasha Kandiq e Sonja Biserko, të cilat dosjet mbi krimet serbe në Kosovë i bën publike, duke zbuluar shumë të vërteta të hidhura mbi kamionët me frigoriferë të mbushur (dhe të zhdukur) me trupa shqiptarësh të vrarë si dhe dhjetëra varreza masive, ekzistimi i të cilave ende rëndon mbi politikën e padrejtë serbe.
Aktualisht në një Gjykatë Speciale në Hagë mbahen në paraburgim disa ish-krerë të UÇK-së. Ditëve të fundit kemi pas rastin të shohim e lexojmë një mori deklaratash patetike mbi padrejtësinë që po i bëhet Kosovës përmes këtij procesi gjyqësor, por a mjafton të themi se ata janë të pafajshëm, ndërkohë që pafajësinë e tyre vazhdojmë ta trajtojmë si konsum të brendshëm. Shoqëria kosovare edhe 21 vite pas përfundimit të luftës nuk ka pushuar së zhvilluari beteja të brendshme absurde, ndërkohë që Serbia dhe aleatët e saj në Rusi dhe në Europë me mjeshtri arritën ta shtrembërojnë dioptrinë mbi Kosovën, duke e paraqitur atë si një “bankomat” ku mund të shlyhen disa kusure nga e kaluara.
Krijimi i Gjykatës Speciale në Hagë është kompensim i dështimeve të sistemit të drejtësisë, i komanduar me vite nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Krijimi i Gjykatës Special në Hagë është edhe një tentim jo i lavdishëm nga ana e segmenteve të caktuara të politikës evropiane për të korrigjuar disa qëndrime nga e kaluara ndaj Kosovës, duke i rikthyer Serbisë terrenin e humbur moral në fushën diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare. Dëshmi për këtë është raporti i Dik Martyt,(i frymëzuar kryesisht nga sajimet ruse e serbe mbi Kosovën) nga ish anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ish-prokuror i shtetit i kantonit të Tiçinos në Zvicër, mbi të cilin u miratua edhe një Rezolutë e Këshillit të Europës, që i hapi dritë jeshile ngritjes së Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë.
Por, paradoksalisht, edhe pse u pat premtuar se do të ngrihet padi ndaj zviceranit Dik Martyt, ajo nuk ndodhi kurrë. Në vend të kësaj ndodhi bumerangu. Tani në Hagë ndodhet një pjesë e ndërgjegjes kolektive të Kosovës për politikat pa strategji kundrejt krimeve serbe të kryera në Kosovë. Sikur politika, institucione dhe shoqëria e Kosovës të punonin dhe të koordinonin aktivitetet rreth përpilimit të një dosje voluminoze mbi krimet serbe, askujt në Beograd, as në Bruksel nuk do t’i shkonte në mendje të merrej me krimet e supozuara dhe të hamendësuara të shqiptarëve të Kosovës. Fatkeqësisht dosja krimeve serbe mbeti e humbur në valixhet e shkyera të politikës së Kosovës.
Tani është tepër vonë të tregojmë me gusht fajtorët, por ajo çka kërkohet aktualisht është aktivizimi i të gjitha resurseve shtetërore e shoqërore në procedimin krimeve serbe të kryera në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë zhurma false e procesit në Hagë kundër ish krerëve të UÇK-së do të humb në detin e madh të masakrave e dhunimeve serbe.

Prishtinë, 25 nëntor 2020

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka…