Dramaticiteti në histori dhe debatet e pambyllura!

22 janar 12:05

Altin N.Ademi

Historia është e vetmja shkencë të cilës nuk mund t’ia nisësh prej fillimit, sepse fillimi i saj shtrihet përtej pikës ku mund të niset me të.

Për popullin megjithatë, historia është më së paku shkencë e shumë më shumë se shkencë, sepse ajo përmban tregimin e vetë perceptimit që populli ka për vete. Pra, një pasqyrë në të cilën populli e sheh vetveten dhe përmes së cilës e reflekton karakterin e vet.

Përmes historisë, populli rilidhet në mënyrë imagjinare me ata që ishin përpara tij, e të cilët kanë qenë dhe janë shënuar si të tillë nga ngjarjet historike.

Megjithatë, një postulat radikal dhe intrigues rreth historisë, është se ajo nuk e shfaqë atë që ka ndodhur por vetëm tregimin e asaj çfarë ka ndodhur. Pra, ngjarjet kanë protagonistë, kontekst dhe kohë të ndryshme, verifikimi i të cilave, nuk mund të merret i mirëqenë vetëm nga pozita e reflektimit në pasqyrë.

Prandaj historia, nuk mund të jetë thjeshtë një pasqyrë vetë perceptimi. Paralelisht me imagjinatën, ajo duhet të mbështetet në realitete sociale, të dhëna burimore e materiale apo ndryshe në dimensionin shkencor të saj, në mënyrë që të merret si e plotë dhe e qëndrueshme.

Kjo përbën një sfidë të madhe e shpesh të pakapërcyeshme për shkollat më të konsoliduara të historisë. Fatkeqësisht, kjo është një sfidë e pakapërcyeshme për “shkollën tonë të historisë”.

Ajo që karakterizon mënyrën tonë shkollore të të historizuarit, është tendenca e përhershme për t’iu dhënë ngjarjeve historike, shpjegime të lidhura nga perspektiva e sotshme. Kjo tendencë mund të ketë dobi për vetë perceptimin tonë të sotshëm, por nuk është se i bën dobi historisë. Përkundrazi, perspektiva e sotshme është produkt i ngjarjeve dhe përvojave historike, por ajo nuk mund të rikthehet dhe as që duhet të provojë të rikthehet për të ndryshuar ngjarjet historike.

Nga qasja e ndërtimit të narracionit në katedrat tona të historisë, shohim se ka një tendencë për të zhveshur substancën historike, në përpjekje për ta bërë të sotshmen më të qëndrueshme dhe të përputhshme me interesat aktuale kombëtare e shtetërore. Kjo është detyrë dhe obligim i qëlluar. Por është detyrë dhe obligim i politikanëve. Jo historianëve.

Ka dy premisa themelore që karakterizojnë këtë qasje. Së pari, është pamundësia për t’iu qasur burimeve primare historike për ta shkruar historinë me precizitet kronologjik, si dhe për t’iu vënë gjërave emrat e tyre përkatës, ngjashëm siç ngjarjeve, shpjegimet e tyre përkatëse. Duke qenë kështu një punë origjinale por sfiduese, ajo lihet anash nga historianët, të cilët në vend të precizitetit kronologjik dhe shpjegimit adekuat, e kanë më të lehtë të kridhën për ta përmbledhë historinë, qasje që tashmë është bërë modë e zakonshme e punës së tyre.

Së dyti, duke pasur tendenca “armiqësore” historike të jashtme ndaj historisë sonë, historianët tanë kanë tendencë për të konkurruar me “narrativat armiqësore”, duke vendosur objektivin e historisë në interpretime konkurruese, më shumë sesa në shpjegimet botëkuptimore të ngjarjeve historike, brenda kontekstit të tyre të kohës dhe hapësirës.

Kjo rëndom ju garanton historianëve një lloj merite politike e kombëtare historiografike, por jo domosdoshmërisht një pozitë të qëndrueshme studimore e të mirëqenë. Mbi këtë bazë siç duket, detyra primare e historianëve tanë është glorifikimi i historisë, pa na dhënë mundësinë e të kuptuarit të kontekstit zhvillimor të saj.

Qasja e tillë imponon një pikëpamje holiste historike, që na pamundëson të shtrojmë pyetje profane. Të vësh në pikëpyetje nuanca të interpretimit të historisë me qëllim që të bindesh për të vërtetat e saj, do të duhej të ishte detyrë primare intelektuale e historianëve. Por të shtrosh pyetje të tilla, është detyrë e vështirë intelektuale në mesin tonë.

Rrjedhimisht, historinë jemi mësuar ta njohim përmes shpjegimit dramatik e letrar. Ngjarjet tona historike vijnë kryesisht përmes një ideje komplekse rreth tyre, më shumë sesa në natyrshmërinë e tyre origjinale. Personazhet tona historike, rëndom nuk përshkruhen me atribute politike por misionare. Sikur ata të mos kenë qenë njerëz që kanë operuar në realitete ditore e politike të kohës, por sikur kanë qenë njerëz misionar për t’na hedhur pas shekujsh drejt historisë, para historisë e në krye të saj.

Ne të gjithë debatojmë rreth nuancave të substancës historike por nuk inkurajohemi të debatojmë hapur për to, sepse debatet e tilla nuk konsiderohen se trajtojnë një subjekt shkencor por një objekt holist, rreth të cilit s’mund të ketë debat.

Kjo qasje duhet të sfidohet shumë seriozisht, në mënyrë që të çlirohet potenciali i konsolidimit të pikëpamjeve historike që i kontribuon një mënyre të re e më të plotë të të vetë perceptuarit tonë, pikërisht mbi bazën e historisë.

Lista e debateve të historisë sonë që duhet të trajtohet nga ky sfond është mjaft e gjerë dhe e pasur. Për mua ka shumë rëndësi që nga historia të mësoj së paku e në mes tjerash:

a) Kur shfaqet kombi shqiptar si projekt politik që përfaqëson popullin shqiptar? Në cilën periudhë, me të cilët protagonist dhe me çfarë idesh e në çfarë rrethanash?

b) Cili është raporti i religjioneve me kulturën popullore dhe si qëndron shpjegimi i historisë rreth rolit të religjioneve në konsolidimin tonë kombëtar?

c) Cila është pamja origjinale dhe rutina e pjesëtarit të popullit tonë në mesjetë? A ishte i nënshtruar i njëjti raportit feudal dhe cilat ishin tiparet e ndarjes klasore feudale tek shqiptarët?

d) A ekziston tek populli shqiptar në mesjetë, një vetëdije rreth formës së aspiruar të qeverisjes dhe cila është ajo?

e) Mbi të cilat kritere historike vlerësohen vepra të caktuara letrare që përbëjnë “opuset kombëtarë” përderisa diskualifikohen të tjera vepra letrare kohanike?

f) Mbi çfarë kriteresh atribuohen si figura historike, personalitete që i takojnë një sfere të influencës, përderisa diskualifikohen të tjerë që i takojnë një sfere tjetër? Etj.

Për sqarim, këto tema janë të njohura në mes nesh, veçse janë edhe të pa plota, sepse ato janë rrëmbyer nga dimensioni i interpretimit të qëllimshëm dhe i njëtrajtshëm, duke mos lënë alternativë. Eksplorimi i tyre jashtë pikëpamjes holiste do të ishte një kontribut i jashtëzakonshëm, për ta nxjerrë historinë e perceptimit drejt natyrshmërisë së zhvillimeve të proceseve historike.

Listës së këtyre pyetjeve, mund t’iu shtojmë edhe shumë pyetje të tjera të të gjitha epokave, veçmas rreth shekullit XX-të, e deri tek historia sociale e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por unë dhe shumë si unë, mund vetëm të shtrojmë pyetje. Përgjigjet për to iu takojnë historianëve, të cilëve duam t’ua kujtojmë me këtë rast, se librat e artikujt që fillojnë me “roli i shtypit, roli i negociatave, roli i të huajve, roli i…roli i…” mund t’iu mundësojnë avancim në katedra, por vazhdojnë të mbesin orvatje të kota e të papërfillshme për këtë zanatin e tyre të respektuar.

Natyrisht se në epokën e masmedias, popullit nuk mund t’i kërkosh të thellohet në interpretime historike. Por ajo çfarë s’mund t’iu kërkohet popullit si detyrë, mund t’i shërbehet atij përmes ekraneve televizive, gjë që na sjell tek një qasje po aq irrelevante ndaj kësaj çështje.

Historianët, edhe po të dinë, edhe po të duan, kanë sot më pak hapësirë se çdo kategori tjetër për të pasur qasje sistematike në shtrimin e debateve të mirëfillta në televizionet tona. Prania e tyre, jo vetëm që është e papërfillshme në raport me ta zëmë si shembull politikën, por ka filluar të mbesë e papërfillshme edhe ndaj hapësirës që iu kushtohet skemave programore që s’paraqesin asgjë substanciale as për të shkuarën, as për të sotshmen e as për të ardhmen.

Historianët mungojnë edhe aty ku duhet të thonë një fjalë a konstatim për skenarë filmash gjoja me prapavijë historike, e në promovime “librash historik” që kanë personazhe etërit e atyre që shtypin libra.

Kjo përbën një shpërputhje të plotë në mes të perceptuarit tonë ndaj historisë, shkrimi e verifikimi i të cilës është detyrë e historianëve, jo e politikanëve, gazetarëve dhe shkrimtarëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Trualli ynë i lavdishëm! Toka jonë lavdimadhe! Populli…