
Drejtësi e munguar për rastin e dr. Hafir Shalës
Reagim i KMDLNj-së
Më datë 17 korrik 2025 Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 15 vjet burgim Sllavisha Filiqin, pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Sllavisha Filiq u dënua shkaku se më 10 prill 1998, bashkë me dy pjesëtarë të Sigurimit Shtetëror serb e ka kidnapuar Dr.Hafir Shalën, duke e futur në një veturë “Opel Frontiera” për ta dërguar në një vend të panjohur dhe prej atij çasti nuk ka më asnjë informatë për Dr. Hafir Shalën. Paraprakisht, në udhëkryqin e Sllatinës nga tre policë ishte ndalë vetura me të cilën udhëtonte Dr. Hafir Shala nga Drenasi për në Prishtinë.
Në veturë ishin edhe Hetem Sinani dhe Shaban Neziri të cilët u liruan të njëjtën ditë. Përmes një qytetari nga Lipjani të cilit i ishte dhënë një copë e vogël letre, KMDLNj ishte informuar për arrestimin e Dr. Hafir Shalës dhe shoqëruesve të tij. Pas lirimit, Shaban Neziri dhe Hetem Sinani kishin dhënë deklaratë në zyrën e KMDLNj-së në Prishtinë ku thuhej se dëgjoheshin bërtimat e Dr. Shalës që ishte nënshtruar një torture brenda objektit të Sigurimit Shtetëror serb në Prishtinë. Dr. Hafir Shala, Shaban Neziri dhe Hetem Sinani ishin veprimtarë të KMDLNj-së dhe nga terreni sillnin dokumente, deklarata, foto dhe dëshmi për shkelje të drejtave të njeriut në komunën e Drenasit. Dr. Hafir Shala kishte përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, ishte ish-i burgosur politik dhe bashkëveprimtar i Bacë Adem Demaçit, veprimtar i ShBH “Nëna Terezë”, i KMDLNj-së, mjek dhe themelues i spitalit fushor të UÇK-së, ushtar i UÇK-së dhe aktivist sindikalist. Dy-tri ditë para arrestimit ishte në Zyrën e KNDLNj-së në Prishtinë ku i kishin sugjeruar të mos vijë më në Prishtinë pasi ishte nën përcjellje.
Sllobodan Filiq ishte një pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Prishtinë dhe bashkëpunonte ngushtë me shqipfolësit që ishin pjesë e Sigurimit Shtetëror serb, kryesisht nga Medvegja, të njohur për tortura çnjerëzore ndaj të burgosurve politikë shqiptarë. Sllobodan Filiq ishte gjithashtu nga Medvegja. Pas luftës, sipas informatave të KMDLNj-së, një kohë kishte jetuar në Budva të Malit të Zi, ndërsa tani nuk dihet ku jeton. Ka dyshime se Sllobodan Filiq ka rol të madh edhe në kidnapimin e Xhavit Hazirit për të cilin nuk ka asnjë informatë deri më sot. Burime serbe pas përfundimit të luftës i kanë thënë KMDLNj-së se Dr. Hafir Shalën dhe Xhavit Hazirin i kanë rrëmbyer njësitë e veçanta të Sigurimit Shtetëror të ardhura enkas nga Beogradi.
Gjykimi në mungesë me 15 vjet burgim i Sllibodan Filiqit është vetëm përmbushje e pjesshme e drejtësisë për rastin Dr. Hafir Shala dhe se Filiqi është vetëm një hallkë e zinxhirit të dhunës të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. KMDLNj-ja ka kontribuar për ndriçimin e rastit duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse dhe përgjegjëse për rastin. Hetimet, aktakuza dhe gjykimi është dashur të përfshijë të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi politike dhe policore për rastin e jo të përfundojë vetëm me rastin e Sllobodan Filiqit. Ish-pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të deklaruar si shqiptarë mund dhe duhet të kontribuojnë për zbardhjen e rasteve të Dr.Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit, qoftë duke dhënë informata anonime, qoftë duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse të Kosovës.
Gjithashtu duhet kërkuar informata nga misionet ndërkombëtare diplomatike dhe jodiplomatike që vepronin në atë kohë në Kosovë . Nuk ka përmbushje të drejtësisë për rastin e Dr. Hafir Shalës derisa nuk sigurohen informata për fatin e tij dhe derisa nuk nxjerrën para gjykatës urdhërdhënësit e këtij rrëmbimi . Të gjitha konventat që janë të zbatueshme dhe detyruese edhe në kohë lufte sigurojnë mbrojtje për aktivistët humanitarë në ndërkohë që në Kosovë janë shkelur brutalisht nga Serbia.