“Drejtësia” dhe “Padrejtësia” e Evropës në relacion Kosovë-Serbi
Shkruan: Hanife Salihu
Prej ditësh po përballemi me fakte tronditëse që dalin një nga një. Presidenti aktual i Serbisë, i fshehur pas imazhit të rremë të “liderit stabilizues”, del të ketë qenë pjesë e një “safari njerëzor” në Bosnje e Hercegovinë, një fushatë krimesh ndaj civilëve e provuar me audio-incizime të siguruara nga Prokuroria italiane, ku viktima ishin madje edhe fëmijë.
Ky është i njëjti njeri që në vitet ’90 deklaronte publikisht:
“Për çdo serb të vrarë, ne do të vrasim 100 myslimanë.”
Dhe pikërisht ky person, me të kaluar kriminale, u ngrit në majat e pushtetit serb, si ministër i besueshëm i Sllobodan Millosheviqit, njeriut përgjegjës për masakrat, spastrimet etnike dhe gjenocidet në Ballkan. E megjithatë, Evropa e njohu si president, ia hapi dyert, e uli në tavolina bisedimesh dhe e quajti partner.
Po ashtu, vazhdoi edhe në shtator 2023, me Rastin e Banjskës, i cili është shembulli më i freskët i standardit të dyfishtë të Evropës. Një grup paramilitar i armatosur deri në dhëmbë, i drejtuar nga krimineli Milan Radoiçiq, njeri i afërt i pushtetit serb, sulmoi policinë e Kosovës. Ky ishte një akt terrorizmi i organizuar, që sipas çdo standardi ndërkombëtar duhej të sillte sanksione të menjëhershme ndaj Serbisë.
Por çfarë ndodhi?
• Radoiçiq pranoi publikisht se ai dhe struktura e tij kishin organizuar sulmin.
• Armët e kapura në vendngjarje ishin ushtarake, të furnizuara me logjistikë që vetëm shteti serb mund ta sigurojë.
• Sulmi kishte për qëllim destabilizimin e veriut të Kosovës dhe krijimin e një “Republika Srpska” të dytë.
Edhe më rëndë: Provat treguan se ngjarja nuk ishte spontane, por pjesë e një plani të koordinuar.
Dhe megjithatë…
Evropa heshti.
Asnjë sanksion serioz ndaj Serbisë.
Asnjë kërkim-falje publike.
Asnjë presion real ndaj Vuçiçit.
Asnjë vepër penale për Vucicin që e kishte Radoicicin njeriun e tij kryesor në veri.
Ndërkohë, çlirimtarët tanë u burgosën. U trajtuan si fajtorë para se të merrej vendimi duke i mbajtur të burgosur edhe pse u dorzuan vetë. Asnjë nga çlirimtarët tanë nuk i kanë ikur drejtësisë. Ata po mbahen me vite në qeli, në bazën e një aktakuze të trilluar, të shpikur e të orkestuar nga propaganda serbo-ruse e cila u vërtetua më vonë si e pabazë. “Shtëpia e verdhë”, një gënjeshtër monstruoze, u rrëzua plotësisht, por drejtësia nuk reagoi. Nuk pati falje, nuk pati dëmshpërblim, dhe proceset e montuara vazhdojnë ende sot.
Realiteti është i hidhur, por i vërtetë:
Drejtësia ndërkombëtare është e mprehtë ndaj Kosovës dhe e butë ndaj Serbisë.
E sakton viktimën dhe e kursen agresorin.
E dënon çlirimtarin dhe e amniston shtypësin.
Dhe kjo është fytyra e vërtetë e padrejtësisë europiane , drejtësi me dy standarde.



