Drejtësia e transplantuar në valixhen e një spiuni!

08 korrik 2025 | 15:53

Shkruan: Ilir Gashi

Rasti Bllaca dhe domosdoshmëria e dekolonizimit të drejtësisë!

Në fillim ishte një laptop. Dhe një kamerë. Dhe një njeri që nuk duhej të ishte dëshmitar, por i akuzuar. Në Kosovën e pasluftës, ku drejtësia e importuar u shndërrua në formë të re të kontrollit politik dhe narrativ, shpërthimi publik i një “dëshmitari” të çuditshëm si Nazim Bllaca u promovua si akt i guximshëm qytetar. Por në të vërtetë, ishte një prej momenteve më të errëta të ndërhyrjes së disa mekanizmave ndërkombëtare në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Nazim Bllaca, një ish-spiun i shërbimeve serbe, i vetëpranuar si vrasës me pagesë, i akuzuar për shantazhe e lidhje të dyshimta me struktura paralele, u shfaq më 2009 në publik si “dëshmitar i penduar” me një laptop në “dorë” dhe me një narrativë të parapërgatitur për rrëzimin e elitës politike dhe të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai nuk u shfaq në Prokurori. Ai u shfaq në media. Ky detaj, në vetvete, zbulon natyrën teatrale dhe të stisur të rastit.

Por çfarë përfaqësonte në të vërtetë ky “laptop i Bllacës”? Ai nuk ishte thjesht një pajisje elektronike. Ai ishte shndërrimi simbolik i drejtësisë në algoritëm dhe i krimit në mjet narrativ. Dokumentet që pretendohej se ishin brenda tij, regjistrimet audio, listat me emra, urdhra e plane, u përdorën nga EULEX-i për të ndërtuar një bazë akuzash që më shumë ngjasonin me montazhe politike sesa me prova juridike. Shumë nga personat që u përmendën u mbajtën për vite në procese të stërzgjatura, ndërkohë që vetë Bllaca burimi kryesor i atyre akuzave, u dënua me një dënim minimal dhe u mbrojt si “dëshmitar i veçantë”.

Nga spiun në themel të “drejtësisë!”

Nazim Bllaca ishte më shumë sesa një individ. Ai u bë figurë simbolike e drejtësisë së rreme, të ndërtuar mbi manipulim, hakmarrje dhe influencë politike. Në një Kosovë ende të brishtë, ku pasojat e luftës ishin ende të freskëta dhe ku strukturat ndërkombëtare kishin autoritet të pakontestueshëm, shfaqja e një figure të tillë u pranua pa shumë kundërshtim publik. Kishte një ftohtësi të organizuar rreth aktit të tij! Një heshtje që vinte ose nga frika ose nga dorëzimi përballë një drejtësie që nuk dukej më si garanci, por si dënim i paracaktuar.

EULEX-i, në vend që ta hetonte Bllacën si pjesë e strukturave kriminale dhe bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, vendosi ta përdorë atë si burim kredibil. Në çdo sistem normal drejtësie, një dëshmitar me dosjen e tij kriminale do të ishte i pavlefshëm për ndërtimin e çfarëdo aktakuze. Por jo në Kosovë. Jo në këtë drejtësi të transplantuar, ku misioni i ndërkombëtarëve u kthye nga ndërtimi i institucioneve në ndërhyrje në narrativën kombëtare.

Preludi i Gjykatës Speciale!

Ky skenar nuk ishte i rastësishëm. Rasti i Bllacës ishte preludi. Ishte prova gjenerale e një drejtësie që do të përdorte “dëshmitarë të mbrojtur” dhe informacione të pakonfirmueshme për të ndërtuar një dosje më të madhe, më të sofistikuar dhe më të rrezikshme. Gjykatën Speciale. Ajo që nisi me laptopin e Dick Marty vazhdoj me laptopin e një spiuni dhe prap nuk u ndal e vazhdoi më pas me dhjetëra “dëshmitarë anonimë”, të manipuluar, të frikësuar ose të instrumentalizuar për qëllime politike.

Këtu nuk bëhet fjalë për mohimin e krimeve individuale, por për përpjekjen që të gjithë luftën çlirimtare të paraqitet si projekt kriminal. Dhe këtë tentativë përveq se e filloi Serbia, ajo e priti me kënaqësi. E filloj së bashku me strukturat që do të duhej të ndërtonin drejtësinë në Kosovë, por që, në emër të drejtësisë, ndihmuan në ç’legjitimimin e UÇK-së, në kriminalizimin e elitës shqiptare dhe në zbehjen e narrativës çlirimtare në opinionin ndërkombëtar.

Algoritmat e një laptopi kundër historisë!

Sot, kur Gjykata Speciale po përballet me dështime të njëpasnjëshme, me dëshmitarë të pavlefshëm dhe me mungesë provash të qëndrueshme, është me rëndësi të kujtojmë se ku nisi gjithçka. Nisi me një laptop të një spiuni. A janë algoritmat e atij laptopi, qoftë edhe si simbolikë baza mbi të cilën u ndërtua “drejtësia” e re? Dhe nëse po, çfarë do të thotë kjo për legjitimitetin e gjithë procesit?

Historia nuk mund të shkruhet nga “Bllacat” e kombit. Sepse ajo histori është e gjallë në kujtesën e një populli që e di pse luftoi, për çfarë sakrifikoi dhe pse nuk mund të lejojë që narrativat e drejtësisë të përdoren për të shuar rrënjët e vetë shtetësisë.

Koha për dekolonizim të drejtësisë!

Është koha për një dekolonizim të drejtësisë në Kosovë. Jo për të përjashtuar drejtësinë ndërkombëtare, por për ta vënë atë në binarë të ndershëm dhe profesionalë. Kjo nënkupton trajtimin e çdo dëshmitari me standarde të njëjta, mospërdorimin e figurave të diskredituara për të ndërtuar akuza politike dhe, mbi të gjitha, kthimin e integritetit në gjykim dhe jo në narrativë që ka për qëllim shembjen e historisë kombëtare.

Nazim Bllaca nuk ishte dëshmitar. Ishte projekt serb. Dhe drejtësia që mbështetet në projekte të tilla nuk është drejtësi, por instrument politik.

Kosova nuk ka frikë nga drejtësia. Kosova ka frikë nga padrejtësia e maskuar si drejtësi në Eulex dhe Gjykatën e Hagës. Dhe për aq kohë sa drejtësia ndërkombëtare nuk reflekton mbi përçudnimin që krijoi përmes figurave si Bllaca, laptopëve të tij dhe aktakuzave të montuara, atëherë çdo përpjekje për të ndarë të drejtën nga e padrejta do të ngelet e dështuar.

Po rrezikohet në themel ekzistenca e shtetit multietnik.

Drejtësia duhet t’i shërbejë të vërtetës dhe shtetit, jo e kundërta.

Rasti Bllaca është një kambanë alarmi. Nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të drejtë mbi gënjeshtra të kaluara. Të rinjtë e Kosovës duhet të mësojnë që drejtësia nuk është shantazh, por liri. Që dëshmitari nuk është projekt politik, por zë i së vërtetës. Dhe që laptopi i një spiuni nuk mund të jetë themele mbi të cilat gjykohet një popull që ka luftuar për mbijetesë dhe dinjitet.

Koha për dekolonizim të drejtësisë nuk është nesër. Është sot. Sepse drejtësia që nuk ndërtohet sot me dinjitet, nesër bëhet padrejtësi me ligj. Të ngritemi me zë të fuqishëm për drejtësi është rruga e vetme për të shpëtuar dinjitetin kombëtar të futur në laptopin e një spiuni nga padrejtësia.

Prandaj, krijimi i një Komisioni për të Vërtetën dhe Dinjitetin Kombëtar është urgjencë qytetare.

Një organ i pavarur duhet të dokumentojë dhe analizojë rastet si ai i Bllacës, për të ndarë të vërtetën nga manipulimi. Ky komision duhet të përfshijë juristë, historianë, ish-luftëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të bëjë publike të gjitha rastet ku drejtësia është përdorur për qëllime politike kundër Kosovës duke përfshirë ndikimet në formimin e Gjykatës Speciale, e cila ka devijuar thelbësisht nga misioni për drejtësi në shërbim të narratives serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
417 kilogramë kokainë janë konfiskuar në portin e Gioia Tauros…