Drejtimi strategjik i luftës së madhe të një populli të vogël

01 dhjetor 2022 | 19:46

Prof. asoc. dr. Zaho GOLEMI

Këndvështrimi ushtarak i luftës çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s

  1. Këndvështrimi ushtarak i lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës[1]

 Në vend të hyrjes

Në prag të luftërave ballkanike, si edhe në prag të Kongresit të Berlinit, shqiptarët ishin të vetmuar dhe të vonuar në pikëpamje të organizimit, sepse kryengritja nuk e mbulonte krejt hapësirën kombëtare. Shqiptarët ishin të vonuar edhe në pikëpamje të kërkesave, sepse ende çështjes kombëtare ia kërkonin zgjidhjen në kornizën kushtetutare-juridike të shtetit osman! Shqiptarët kishin humbur shumë kohë ndërmjet dy konceptesh për zgjidhjen e çështjes shqiptare: ndërmjet konceptit pavarësi, që nuk ua rekomandonte ndonjë nga Fuqitë e Mëdha dhe konceptit “autonomi administrative dhe territoriale” të Vilajetit të Shqipërisë, që të bashkoheshin trojet etnike dhe që rekomandohej nga Vjena.[2] Megjithatë zgjidhja erdhi nga vetë shqiptarët më 28 nëntor 1912. Por, në Londër, Konferenca e Ambasadorëve, që u mbajt nga dhjetori 1912 deri më gusht 1913, u desh të zhvillonte atë që Qosja e quan “arkitekturë e re politiko-shtetërore e Ballkanit”,[3] që për shqiptarët ishte akti tragjik i dramës shqiptare.

Të tri çështjet e “Shqipërisë londineze” u shqyrtuan, por nuk u zgjidhën në të drejtën legjitime të tre problemet madhore:“çështja e statusit, çështja e organizimit të ri shtetëror dhe çështja e kufijve”. Por çështja shqiptare është rikthyer dhe do të rikthehet përderisa nuk ka zgjidhje të sakta dhe të drejta për popullsinë më të vjetër dhe më autoktone. Shqiptarët donin një atdhe të lirë, të bashkuar dhe të fuqishëm, që të ketë mundësi ta japë kon­tributin e tij në familjen e madhe të njerëzimit.[4] Arsyetimet gjysmake të Eduart Geit dhe të tjerëve ka më se një shekull që rëndojnë mbi ndërgjegjen evropiane. Projektet e kufijve tanë ishin në orekset e interesave të fuqive të mëdha e të vogla fqinje. Të mëdhenjtë, më 1913, zgjeruan Serbinë në rreth 80 mijë km², që pas Luftës së Parë Botërore bashkoi edhe Vojvodinën me rreth 21800 km², pra për rreth 15 vjet Serbia pati vetëm histori të zgjerimeve me luftë dhe me pastrime etnike me dhunë.[5] Interesat e Fuqive të Mëdha nuk përputheshin me ato të shqiptarëve, prandaj edhe përgatitën traktate[6] e bisedime që t’i kënaqnin orekset dhe lakmitë e fqinjëve tanë. Edhe në vitet që pasuan Kosova dhe shqiptarët e Kosovës ishin në shënjestër të “reformës agrare” kolonializuese dhe të shpërnguljeve masive. Metodat e Çubrilloviqit u aplikuan një shekull mbi shqiptarët,[7] deri kur fatin shqipta­rët e Kosovës e morën vetë në dorë me drejtimin strategjik të luftës çlirim­tare me themelimin e UÇK-së.

Shekulli XX nuk foli për shqiptarët. Ky ishte shekulli i mbijetesës së tyre përballë urisë së fqinjëve për territore. Ndërkohë që diskriminimi ndaj shqiptarëve kishte kaluar çdo kufi. Malcolmi flet për “…pabarazia të përgjithshme në punësimin publik të shqiptarëve”.[8]

Kishte ardhur koha të tejkalohej demagogjia dhe, gjoja,“ndërkombëtari­zimi” i çështjes së Kosovës. Udhëheqësia politike shqiptare e ish-institu­cioneve të Krahinës së Kosovës, në krye me Fadil Hoxhën etj., të drejtat politike i kërkonin në kushtetutën jugosllave të 1974-s, apo në “zgjidhjet politike të Kosovës në Jugosllavi” të Ibrahim Rugovës se “zgjidhjet vijnë vetëm nga metodat paqësore”, ishin tashmë tejet të konsumuara. Aktorët dhe faktorët e rinj, drejtuesit e UÇK-së, do ta gjenin zgjidhjen në tokën e tyre dhe për truallin e tyre. Sloganet se “kurrë Serbia nuk do ta braktisë Kosovën; Perëndimi nuk do të intervenojë ushtarakisht në Kosovë; Kosova kurrë nuk do të bëhet e lirë dhe e pavarur…”, vërtetuan atë se “vdekja për liri kishte shumë më tepër vlerë sesa jeta nën Serbi”.[9] Megjithatë në luftë për çlirimin e Kosovës si ushtarë të thjeshtë të kombit shkuam vullnetarë vetëm me idealet personale si çlirimtarë. Ata i mblodhi ndërgjegjja kombëtare, nevoja për çlirim. E tillë ishte UÇK-ja, një nevojë jetike historike e bashkimit luf­tarak shqiptar, një ndërgjegje kombëtare në veprim, në kohën dhe në ven­din e duhur. Faik Konica thoshte se: “Të luftosh për kombin jashtë çdo strukture shtetërore është një virtyt i lartë që vjen vetëm nga një vetëdije shumë e lartë”. Te shqiptarët nuk gjen një histori të mbushur me triumfe e mposhtje të popujve të tjerë, as një histori superfuqish, por kemi një histori ndër më të lashtat e rajonit që për nga veprimtaria ndër shekuj i bën kre­narë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Prandaj edhe referencat për atë që bashkon më shumë shqiptarët dhe çdo komb tjetër, është krenaria e historisë së shqiptarëve, që është njëherazi edhe pasaporta e shekujve. Kosova ka qenë toka “e mësuar” me luftëra ku të paktën në gjashtë shekujt e fundit njihen beteja e parë e Kosovës më 1389 dhe e dyta më 1448, sipas kronistëve të kohës.[10] Por datimi shkon në periudhën ilirike te Dardanët e famshëm e deri në ditët tona. Gjithmonë në luftë me hasmin. Por edhe durimi e ka një kufi. Prandaj lufta e UÇK-së ishte një luftë e kohëve moderne dhe një nevojë dhe domosdoshmëri historike e kombit, që me sakrifica sublime solli lirinë e Kosovës martire, për të qenë e lirë dhe sovranë në trojet e veta.[11]

Lufta e Kosovës, një epope e ndritur në historinë e kombit shqiptar

(Këndvështrimi ushtarak i lindjes së UÇK-së) 

Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur i ish-krahinës së Kosovës në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë ndërmjet UÇK-së dhe forcave të sigurisë shtetërore (Sigurimi Shtetëror, Ministria e Punëve të Brendshme,Ministria e Mbrojtjes dhe Mbrojtja Territoriale) jugosllave, që filloi “zyrta­risht” më 28.2.1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës, dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11.6.1999.[12] Por, në fakt, Kosova ishte në luftë të pashpallur edhe më herët sepse fati ia kishte imponuar nevojën që të përballej me “doktrinën serbe”.[13] Lufta e Kosovës kishte kohë që po përgatitej dhe per­sonalitetet e vërteta shqiptare e “kishin ndarë mendjen”, që me rrugë paqë­sore të drejtat nuk mund të fitoheshin kurrë. Demagogjia dhe premtimet, rruga paqësore ishte plotësisht e dështuar dhe pa të ardhme, por që do të kërkonte gjak e sakrifica. UÇK-ja u emërtua e tillë në vjeshtën e vitit 1994 dhe lindi si domosdoshmëri historike dhe shpejt u shndërrua në projektin më të suksesshëm të kombit shqiptar për shekullin XX. UÇK-ja ishte e gjithë shqiptarëve dhe ngeli në historinë e shqiptarëve. Që me krijimin e frontit të rezistencës UÇK-ja kishte nevojë imediate për uniforma, emb­lemë identifikuese për luftëtarët e UÇK-së[14], veçanërisht për armatimin, që kryesisht vinte nga Shqipëria dhe nga armatimi që u rrëmbehej forcave pushtuese. Shqiptarët etnikë që jetojnë në Kosovë u përballën me presionin e serbëve që luftonin për kontrollin e rajonit, nga ana tjetër ishin shqiptarët që kundërshtuan ndërhyrjen e ish-Qeverisë së Jugosllavisë, forcat e saj ushtarake dhe policore. Ashpërsia e trazirave arriti kulmin, ndërkohë që përfshirja e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) solli konfliktin e Kosovës në vëmendjen ndërkombëtare dhe çoi në shpërngu­ljen e mijëra njerëzve dhe tension e brutalitet midis serbëve dhe shqipta­rëve. Duhej një “arbitër” i sigurisë globale, dhe rasti ishte NATO me ShBA-në që në vitin 1999 ishte njëherazi edhe fati i shqiptarëve.

Nëse u referohemi të dhënave nga Radio Kosova e Lirë[15], përleshja e parë frontale midis shqiptarëve dhe serbëve u zhvillua në Rrezallë të Re, ish-Ludoviq, më 25.11.1997, ku policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen “Binakaj” të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha. Më 26 nëntor forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftë­tarë. Forcat serbe në këtë pritë u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi fushëbetejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe godasin me armë shkollën e fshatit Llaushë, ku plagoset për vdekjeje mësuesi Halit Geci[16], ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër Shaban Rreci nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet, po ashtu, fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Beogradi propagandonte se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhe nga ato islamike.

Më 28.11.1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëma­rrësve në varrim për UÇK-në konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe Dukagjin. UÇK-ja kishte marrë miratimin popullor dhe ishte faktorizuar plotësisht, në të drejtën legjitime. Kishte filluar të derdhej gjaku për çlirim. Prandaj janë domethënëse fjalët e Sami Frashërit: “Kush nuk derdh një pikë gjak për tokën e vet, kush nuk jep asnjë qindarkë, ai s’ka të drejtë të varroset në të”.[17] Në Drenicë, Kulla e Jasharëve në Prekaz ishte evidentuar nga shërbimi sekret serb si pikë rreziku, prandaj edhe sulmi mbi Jasharët, të njësive policore serbe, filloi gjatë natës, më 22 janar 1998, që ishte edhe rrethimi i dytë i Kullës së Jasharëve në Prekaz. Forcat serbe goditën në drejtim të kullës, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën, dhe nipat e tij, Fitimin e Besimin, iu kundërpërgjigjën. Nga Llausha arrin me shpejtësi në Prekaz komandant Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe luftëtarë të tjerë. Pati të plagosur dhe policë serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit. Burra e gra të Jasharëve mbrojtën nderin e kullës dhe nderin e atdheut. Alternativa e luftës e komandant Adem Jasharit ishte bërë alternativa e UÇK-së dhe e Kosovës. Nuk kishte alternativë tjetër për drejtuesit strate­gjik të UÇK-së përveç luftës së armatosur. Rrethimi i tretë i kullës së Jasha­rëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, nxori fytyrën e vërtetë të një rrëgjimi gjakatar sikurse ishte regjimi serb. Rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skenderaj, më 3 dhe 4 mars, ishin dislokuar forca të shumta të artilerisë së rëndë. Po ashtu, policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë.

Në orën 5.30 minuta të datës 5 mars 1998 artileria serbe nga Fabrika e Municionit fillon gjuajtjet në drejtim të kullës së Shaban Jasharit dhe të të gjithë Jasharëve. Lufta dhe qëndresa titanike e kryetrimave në Prekaz kishte dhënë kushtrimin në të gjitha trojet e Shqipërisë. Anteu i lirisë, Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit:“Nuk do të dorëzohemi për së gjalli! Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!”[18]

Pas tri ditë luftimesh ishte realizuar qëllimi i keq i ushtrisë dhe policisë vrastare të Serbisë dhe, meqë ishte mbajtur betimi, kishte rënë në fushën e nderit Adem Jashari me familje.

Lajmi për rënien e Adem Jasharit, të 20 pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit dhe 39 të tjerëve nga familja e gjerë Jasharaj, si dhe të atyre që kishin qëlluar në Prekaz gjatë atyre ditëve, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari dhe përtej tyre, si dhe ishte reflektuar me një dhembje të pakrahasueshme për të gjithë ata. Dhembja, por edhe krenaria për Prekazin, kishte ngritur në këmbë të gjitha forcat liridashëse anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në mërgatë. Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit, Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë impulse vendimtare luftës për liri. Me emrin e Adem Jasharit dhe me moton mobi­lizuese: “Prite, prite Adem Jasharin!”, luftuan deri në fund, luftëtarët dhe luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me emrin e Adem Jasharit, gjatë kohës së luftës, është emërtuar Brigada 111 e UÇK-së. Më 28 nëntor 1998 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Adem Jasharin e shpall komandant legjendar të UÇK-së, ndërkohë që sot Garda e Kosovës mban emrin “Adem Jasharit”, por nderimet për këtë figurë madhështore të shqiptarëve do të vijojnë.[19]

Edh pas kësaj rënieje lufta në vend që të shuhej ishte ndezur edhe më shumë dhe kishte përfshirë gjithë Kosovën. Gjatë kohës sa kishte zgjatur ajo u dëbuan rreth 1 000 000 njerëz të larguar nga shtëpitë e tyre, u vranë rreth 15 mijë prej tyre, nga të cilët 2400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë të paarmatosur, janë zhdukur rreth 5 000 banorë të Kosovës. Nga marsi 1998 deri më qershor 1999 njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1 100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Nga ana tjetër lufta e Kosovës, veprimtaria e UÇK-së, por dhe sidomos e NATO-s, nuk ngeli jashtë vëmendjes së opinionit dhe kritikave të shteteve të mëdha si Kina dhe, faktikisht, kritikët e luftërave nuk kanë munguar kurrë për kon­fliktet e përgjakshme sikurse për luftërat e nxehta klasike dhe për luftën e ftohtë gjithmonë në situatë kërcënuese.

Edhe ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, thoshte: “Është me të vërtetë tragjike që diplomacia dështoi, por ka kohë kur përdorimi i forcës është i nevojshëm për ta ndjekur paqen”.[20] Ndërkohë që kryeministri kinez Jiang Zemin, pas bombardimit të ambasadës kineze në Beograd, tha se “ShBA-ja po përdorte superioritetin ekonomik dhe ushtarak për ta rritur progresivisht influencën në vende të tjera”. Liderët kinezë e quajtën fushatën e NATO-s një “precedent i agresionit lakuriq, një formë e re e kolonializmit, një luftë agresive e pabazë në moral dhe ligj”, si dhe u kualifikua si një “komplot i ShBA-së, me qëllimin për ta shkatërruar Jugosllavinë, që të zgjerohej në lindje dhe ta kontrollojë të gjithë Evropën”[21] që, në fakt, qëllimi i ishte i qartë dhe krejt tjetër. Qëllimi kryesor i NATO-s ishte ruajtja e lirisë dhe sigurisë të vendeve anëtare të saj përmes mjeteve politike dhe ushtarake. Në aspektin politik NATO promovon vlerat demokratike dhe inkurajon konsultime dhe bashkëpunim në lidhje me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, për ta shtuar besimin dhe në një kontekst më afatgjatë, për ta parandaluar konfliktin. Ndërsa në aspektin ushtarak, NATO është e angazhuar për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Nëse përpjekjet diplomatike dësh­tojnë, ajo ka kapacitete ushtarake të nevojshme për të ndërmarrë operacione për administrimin e krizave. Ato kryhen duke u bazuar në artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit, traktati themelues i NATO-s, ose bazuar në një mandat të OKB-së, e vetme ose në bashkëpunim me vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare. Por, në anën tjetër, edhe mbështetësit e Luftës së Kosovës ishin më të shumtë sesa kritikuesit e saj. Qartësisht do të flasë historiografia edhe në të ardhmen, sepse për ndërhyrjen për Kosovën janë miliarda faqe dokumentacion vetëm në arkivat amerikane.[22] Por duhet nënvizuar se ish-ushtria e Jugosllavisë ishte dorëzuar dhe kapitulluar si dhe bashkë me të dhe Millosheviqi si rezultat i dy presioneve nga toka dhe nga ajri. UÇK-ja u mbështet nga NATO nga 24 marsi 1999, pra një vit e 24 ditë pasi ushtria jugosllave kishte nisur sulmin frontal ndaj kosova­rëve.[23]

Data 12.06.1999 për shqiptarët e Kosovës është dita simbolike e lirisë sepse zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe forcat serbe u larguan përfundimisht nga toka që kishin pushtuar. Sekretari i përgjith­shëm i NATO-s, Havjer Solana, më 10.06.1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezo­lutën 1244, sipas së cilës, në Kosovë u dërguan 37200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete, që drejtoheshin nga zonat e përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman e italian. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të OKB-së, i cili do ta administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Drejtuesit e UÇK-së, me kërkesën e ndërkombëtarëve, e shndërruan forcën ushtarake që drejtonin në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës, pra TMK-ja duke zbatuar gjithë detyrimet si forcë paqësore. Kjo i hapi rrugën që Kosova ta shpallte pavarësinë nën bekimin e fuqive të mëdha të udhëhequra nga ShBA-ja më 17 shkurt 2008. Jo më kot maksima popullore shqiptare “e drejta zhytet, por nuk mbytet”, u provua se është e vërtetë.

  1. Drejtimi strategjik i luftës çlirimtare të Kosovës

Sikurse çdo luftë, edhe lufta çlirimtare e Kosovës ka pasur drejtuesit e saj, organizatorët, forcën mbështetëse dhe forcën luftarake të drejtpërdrejtë në front. Drejtuesit strategjikë të luftës kishin synime të mëdha dhe të qarta. Drejtimi strategjik i luftës e realizoi misionin duke i kthyer shqiptarët ashtu sikurse janë në të vërtetë aktorë e faktorë rajonalë, të barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit. Ata shpallën vetëm një alternativë të vetme: “lirinë e Kosovës” dhe i qëndruan besnik deri në fund.

Drejtuesit e formacioneve politike dhe ushtarake të UÇK-së nuk u përga­titën në akademitë ushtarake dhe as nuk kishin “diplomë lufte”, por ata ia dolën që trashëgiminë luftarake të shqiptarëve ta vinin në interes të çli­rimit. Në luftë mësuan taktikat dhe artin operativ, përpunuan strategjinë e fitores, zhvilluan operacione luftarake të përgjakshme në të gjithë hapësi­rën e Kosovës, hodhën hapa të ngritjes, të zhvillimit dhe të konsolidimit të Ushtrisë Çlirimtare. Strukturat e drejtimit strategjik ia dolën të ishin të besueshëm në popull, por edhe te miqtë ndërkombëtarë. Ata ishin zot në të gjithë territorin e Kosovës.[24] Në luftë e sipër hartuan dosjet e operacioneve me plane, ide të veprimit, qëllime e synime të qarta, përgatitje të urdhrave luftarake, vendimmarrje dhe zhvillim konkret të operacioneve që, përgji­thësisht, ishin rezultativë.

Drejtuesit strategjikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndan vendin në zona operative për ta manovruar dhe sinkronizuar bashkëveprimin e betejave në planin strategjik dhe në detajime të operacioneve, ndërkohë që edhe vetë strukturat e NATO-s e ndan Kosovën në pesë zona të veprimit pas marrëveshjes së Kumanovës.

Bazuar në planet strategjike të drejtuesve të UÇK-së u mundësua që me luftë të zhbëhej kufiri artificial ndërmjet shqiptarëve, kufiri Shqipëri-Kosovë, pas më shumë se tetë dekadash. UÇK-ja mundësoi krijimin e korri­doreve të lira luftarake, për lëvizje e furnizim lirshëm si dhe të bëhej bartja dhe koordinimi i zjarrit/artilerisë dhe arsenalit ushtarak në zonat e tjera të luftës, në veçanti në zonën e tretë operative të Dukagjinit. Drejtuesit stra­tegjikë të UÇK-së ishin përgjegjësit e mobilizimit gjithëkombëtar, duke përcaktuar qartësisht objektivat e synimet, me staf komandues e struktura ushtarake, duke përgatitur mirë fazat përgatitore, kohën e fillimeve të ope­racioneve në shkallë të gjerë, ritmet e betejës, zotërimin e pozicioneve dominuese, përmasat, ndërveprimin luftarak, mbështetjen në aspektin logji­stik, ruajtjen e forcave dhe të armatimit e municionit, kujdesin për t’i respek­tuar ligjet e luftës, shtrirjen gjeografike të luftës së UÇK-së, edhe pse jo çdo gjë shkonte përherë sipas parashikimeve që është më se e natyrshme. Duke analizuar operacionet e betejat e UÇK-së, ruajtjen e ritmit të betejave në tërësi, strukturat luftarake shqiptare i përmbushën pritshmëritë për luftime nga guerilet deri te shkalla operacionale e frontale, duke unifikuar dhe sin­kronizuar veprimet, duke tentuar të sfidonin edhe me operacione komple­kse luftarake që vërtetonin atë që organizimi strukturor luftarak brenda UÇK-së ishte në përputhje me kushtet konkrete të Kosovës.

Drejtuesit e nivelit strategjik me luftën e UÇK-së kishin si qëllim çlirimin e Kosovës. Ky synim, nga të gjithë shqiptarët, konceptohej si luftë për çlirim, por edhe për bashkim kombëtar, për shkallmim të kufirit shqiptaro-shqiptar. Në kalendarin e veprimeve luftarake drejtuesit më të lartë të nivelit strategjik të ShP-së dhe zonave operative realizuan dhjetëra beteja të suksesshme,  ndërkohë që betejat e UÇK-së jetësuan eposin e kreshnikëve dhe sollën në vëmendje mbarëkombëtare lirinë e shqiptarëve të Kosovës në shtetin e vet të pavarur. Kjo ishte pjesa kockore e interesit kombëtar të shqiptarëve, një synim dhe objektiv strategjik i përmbushur tashmë.

Por cilat janë betejat që spikatën në luftën e Kosovës?

Çdo përballje luftarake nga nivelet e ulëta taktike deri në nivelet operative e strategjike meriton vëmendje e studim të detajuar si pjesë e historisë së shqiptarëve të shkruar me gjak në vitin 1998 dhe veçanërisht kur UÇK-ja dhe NATO-ja hapën shtigjet e lirisë së Shqipërisë matanë lumit Drin. Le të sjellim në vëmendje disa nga betejat në luftën e Kosovës:

Beteja e Glloxhanit ishte një rezistencë e suksesshme e UÇK-së më 24.03.1998. Forcat Jugosllave rrethuan fshatin Glloxhan dhe sulmuan luftëtarët e UÇK-së. Por, pavarësisht fuqisë më të madhe të zjarrit, forcat jugosllave dështuan në shkatërrimin e njësisë së UÇK-së i cili ishte objek­tivi i tyre edhe pse pati të vrarë dhe shumë të plagosur nga UÇK-ja. Beteja e Rahovecit ka qenë një ndër betejat më të mëdha të UÇK-së e zhvilluar prej 17.07.1998 deri më 24.07.1998, që ishte sulm i koordinuar i njësiteve të UÇK-së të Anadrinit e Llapushës, i mbështetur nga luftëtarë të Drenicës e të Dukagjinit e që kishte bërë të dëboheshin me humbje forcat serbe nga Rahaveci dhe qyteti të çlirohej nga forcat e UÇK-së, të cilave u printe komandanti Agim Çela, dëshmor i kombit. Në përballje me serbët, në fushën e betejës ranë: Sadik Shala, Liman Gega, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari. Përreth rajonit të Rahavecit kanë rënë dhe: Hamdi Berisha, Gani Paçarizi, Afrim Krasniqi, Agim Kelmendi, Skënder Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi nga Shkodra, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habib Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhyliqi. Beteja e Rahavecit pati jehonë të madhe në mobilizimin e radhëve të UÇK-së pavarësisht prej pasojave dhe masakrave që kreu regjimi serb kundër popullatës civile shqiptare.

Beteja e UÇK-së në Shishman të Bokës, e datës 29.03.1999, ishte beteja ku ranë 14 dëshmorë dhe u varrosën në një arkivol të përbashkët. Beteja e Koshares zgjati nga 09.04.1999 deri më 10.06.1999, ditë kur edhe u nën­shkrua Marrëveshja e Kumanovës për përfundimin e luftës në Kosovë. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 09.04.1999 shënoi fitore morale për UÇK-në, por me shumë humbje, i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Beteja shembi murin gati 100-vjeçar midis Kosovës e Shqipërisë si dhe ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e historisë kombëtare. Në betejë u vranë 114 shqiptarë dhe 170 u plagosën si dhe tre vullnetarë të huaj një nga Italia, një nga Franca dhe një nga Maroku; nga pala serbe mbetën të vrarë 108 veta si dhe pati 250 të plagosur.

Por cilat janë objektivat e luftës së Kosovës që rrodhën nga vendimi politik për të shkuar në luftë luftëtarët e UÇK-së, por dhe nga domosdoshmëria e kohës për të shkuar në beteja të përgjakshme kundër forcave serbe në Kosovë?

Si çdo luftë edhe lufta e Kosovës ka ligjësitë e veta, ndërkohë që teoria moderne ushtarake e ndan luftën në tre nivele ose objektiva madhorë të saj: niveli strategjik i luftës, niveli operacional dhe niveli taktik i luftës, në krye të të cilave është strategjia që zgjodhën, udhëhoqën e drejtuan Shtabi i Përgjithshëm dhe strukturat vartëse të zonave operative deri te nivelet taktike më të vogla të luftës. Edhe pse duhet pranuar që jo vetëm për UÇK-në, por për çdo ushtri që shkon në luftë ligjësitë e përballjes luftarake janë të pandryshueshme. Format e metodat janë sa të larmishme aq dhe dina­mike, të cilat u provuan praktikisht në fushëbeteja në Kosovë. Niveli stra­tegjik i luftës lidhej me objektivat e përcaktuara qartë për mbështetjen e politikave kombëtare dhe rezultatet ishin të pritshme: çlirimi i Kosovës nga pushtimi 80-vjeçar. Me nivelin strategjik lidhet koncepti strategjik, planet për përgatitjen e instrumenteve kombëtare të pushtetit për luftë, udhë­zimet praktike për përgatitjen e trupave të UÇK-së për arritjen e objektivit strategjik. Drejtuesit e UÇK-së në planin politik si dhe në planin ushtarak i kushtuan rëndësi nivelit operacional të përdorimit të forcave ushtarake në teatrin luftarak të të gjithë Kosovës, për krijimin e avantazheve ndaj armikut, në mënyrë që të arrihet synimi strategjik nëpërmjet projektimit, organizimit dhe zhvillimit të operacioneve kryesore me shtrirje gjeografike dhe e mbështetur fuqishëm në popullin e Kosovës. Niveli taktik për UÇK-në dhe drejtuesit e saj ishte konceptuar drejt sipas kuptimit tradicional, ku manovrimi i forcave dhe beteja në terren në kontakt direkt me armikun rezultoi e suksesshme. Nëse i referohemi nivelit strategjik, teoricieni i “artit të luftës”, Karl Fon Klauzeviç, përcakton objektivat e “shkatërrimit të plotë ose të pjesshëm të forcave të armikut, pushtimin e plotë ose të pjesshëm (në këtë rast kapjen e tokës së pushtuar), si dhe thyerjen e vullnetit të tij për të luftuar”.[25]

Lufta e UÇK-së kishte pajisje e armatim të tillë si thika, revole, automa­tikë, pushkë, lloje automatike, mitraloza, snajperë, mitralozë deri në 12.7 m/m, granata dore, mortaja, granatahedhës 56 e 69, armë artilerie të kalibrit: 60, 82, 107, 120, 160 dhe obuzi 122 m/m, armë kundërajrore, top kundërajror 20 mm dhe TK 14.5 m/m dhe municione të mjaftueshme, topa zmbrapsje 75 mm etj. Drejtuesit e UÇK-së bënë një ndërgjegjësim mbarëkombëtar, nga ta gjitha trojet etnike, por dhe luftëtarë të huaj, nga Evropa, Amerika, Kanadaja e Australia. Pjesëmarrja e luftëtarëve të huaj nga Franca, Anglia, Gjermania, Turqia, Algjeria etj., po ashtu e shndërruan luftën në Kosovë në rrafshin ushtarak në shkallë të gjerë, por edhe e ndër­kombëtarizuan atë. Është fakt se në luftën e Kosovës u derdh gjaku për liri dhe dëshmorët e saj ngelën përjetësisht në piedestalin më të lartë të nderit dhe krenarisë së kombit shqiptar. Të gjithë këto sakrifica të drejtuesve të luftës dhe luftëtarëve të UÇK-së mundësuan dhe kurorëzuan ngritjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Lufta e Kosovës ishte një konflikt që kërkonte që Ballkanit t’i hiqet mbi­emri “Fuçi baroti” të cilin e kishte fituar në fillim të shekullit XX, atëherë kur nga këtej u largua Perandoria Osmane, por që barra e madhe e përgje­gjësisë në tokë ishte e drejtuesve të UÇK-së dhe e luftëtarëve të saj. Është fakt se edhe drejtuesit më të lartë të Ushtrisë çlirimtare kishin shpresë te zhvillimet e vrullshme ndërkombëtare. Nga fillimi i prillit 1999 konflikti ishte shumë larg zgjidhjes dhe vendet e NATO-s filluan të mendonin ser­iozisht për operacione tokësore në Kosovë. Kështu, sipas të dhënave të kohës, kryeministri Britanik Toni Blair ishte avokat i fortë për sulm me trupa tokë­sore dhe i bënte presion ShBA-së që ta pranonte edhe pse “qëndrimi i ashpër i Blerit shkaktoi alarm në Uashington pasi forcat amerikane duhej të ishin me të larta në numër në çdo mësymje”. Për këtë arsye presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, autorizoi një operacion të zbulimit për ta destabilizuar e dobësuar qeverinë jugosllave edhe pse NATO e dinte mirë se në terren të shpërndarë në çdo qelizë të hapësirës së Kosovës ishte UÇK-ja me drejtu­esit dhe luftëtarët tashmë plotësisht të angazhuar. Negociatorët finlandezë dhe rusë nisën ta kontaktojnë Millosheviqin që ai të tërhiqej dhe të binin në marrëveshje. Edhe pse vijonte që NATO të godiste objektiva nga ajri dhe UÇK-ja nga toka, Tony Blair urdhëroi 50 000 ushtarë britanikë të bëheshin gati për mësymje tokësore. Millosheviqi, nga ana tjetër, e pa veten të vetmuar pa mbështetjen e Rusisë dhe se ajo nuk mund të ndërhynte dot, duke e mbështetur vetëm me deklarata dhe retorikë të fortë anti-NATO. Në këto kushte udhëheqja jugosllave e vendosur me shpatulla për muri pranoi një prani ushtarake në Kosovë të drejtuar nga OKB-ja, por me pjesëmarrjen edhe të trupave të NATO-s. Forcat speciale norvegjeze bashkë­punuan me UÇK-në për mbledhjen e informacioneve të inteligjencës, duke u përgatitur për hyrjen në Kosovë më 12.06.1999, që ngelet një ditë historike për popullin shqiptar të Kosovës. Në këtë ditë Millosheviqi pranoi kushtet dhe misioni i drejtuar nga NATO, “Kosovo Force” (KFOR) filloi të futej në Kosovë. KFOR-i ishte përgatitur të kryente operacione luftarake, edhe pse misioni i tij mbeti vetëm paqeruajtja. KFOR-i ishte i bazuar nën Shtabin e Trupave të Reagimit të Shpejtë të Aleatëve të komanduara nga gjenerali britanik Mike Jackson. Britanikët kishin një brigadë të blinduar dhe BrV parashutiste, një brigadë franceze, një brigadë gjermane, të cilat hynë nga perëndimi, ndërkohë të gjitha forcat e tjera avancuan nga jugu, me një bri­gadë italiane si dhe një brigadë amerikane. Trupat e para të NATO-s që u futën në Prishtinë më 12.06.1999 ishin forcat speciale norvegjeze e forcat speciale ajrore britanike, edhe pse trupat ruse ishin të pranishme më parë në Aeroportin e Prishtinës. Forcat fillestare të ShBA-së e vendosën zonën e veprimit përreth qyteteve të Ferizajt e më vonë në Kampin “Bondsteel”[26] dhe në Gjilan në Kampin “Monteith”. Ushtarët e ShBA-së dhe të NATO-s u pritën dhe u përshëndetën nga shqiptarët me brohoritje dhe lule gjatë kohës që KFOR-i kalonte nëpër fshatra. Ndërkohë UÇK-ja në këtë periudhë nuk i kishte ulur armët, por u bë siguruese e rrugëkalimeve të trupave të KFOR-it.

Ushtarët norvegjezë ishin të parët që ranë në kontakt me trupat ruse në aeroport, që rezultoi një situatë e tendosur dhe sfiduese për KFOR-in. Rusët prisnin të kishin një sektor të pavarur në Kosovë, por misioni filloi nën komandën e NATO-s dhe kjo ishte e papritur për rusët. Pa komuni­kuar dhe pa koordinuar me NATO-n, paqeruajtësit rusë hynë në Kosovë nga Bosnjë-Hercegovina duke e pushtuar Aeroportin e Prishtinës para ardhjes së forcave të NATO-s. Ky ishte edhe incidenti i aeroportit, ndër­kohë që komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Clark, synonte ta bllo­konte pistën e aeroportit me mjete të NATO-s, për t’i parandaluar përfor­cimet ruse, por u refuzua nga komandanti i KFOR-it,gjenerali Mike Jackson. Një dekadë pas përfundimit të luftës së Kosovës, në një intervistë James Blunt përshkroi se si njësisë së tij i ishte dhënë detyra për sigurimin e Prishtinës gjatë avancimit të forcës paqeruajtëse prej tridhjetëmijë tru­pash dhe se si ushtria ruse ishte futur dhe kishte marrë kontrollin e aero­portit të Prishtinës para se njësia e tij të arrinte. Blunt e vlerësoi si një incident i dhunshëm ndërkombëtar, por ishte një përballje pa armë me rusët, dhe komandanti suprem i NATO-s, Clark, dha urdhra paraprake për t’i mposhtur rusët. Fakt ishte se pati një tërheqje nga Blunt, urdhri u tërhoq nga gjenerali Jackson, me shprehjen tashmë të famshme: “Nuk do t’i bëj ushtarët e mi përgjegjës për nisjen e Luftës së Tretë Botërore”. Pas vendo­sjes së strukturave të KFOR-it, drejtuesit e UÇK-së dhe luftëtarët e saj u kthyen në shtëpi, në bashkëpunim me aleatët perëndimore filluan jetën në Kosovën e lirë, por edhe ndërrimin e emrit nga UÇK në TMK.[27] Ishte koha kur elita drejtuese e UÇK-së dhe forcat perëndimore të përbashkoheshin dhe ta gjenin rrugën e vijimësisë sepse liria dhe vlerat në Kosovë u përba­shkuan në vlerën kombëtare dhe ndërkombëtare, ku perëndimorët në ajër dhe UÇK-ja në tokë realizuan objektivin strategjik të çlirimit të një populli të tërë të shtypur në zemër të Evropës.[28] Koha provoi drejtësinë e një lufte e bashkëpunimi të vërtetë, sepse lufta për çlirimin e Kosovës martire ishte një kombinim i shkëlqyer NATO-UÇK. UÇK-ja në terren u bë udhërrë­fyese e avionëve bombardues të NATO-s, që të goditeshin saktësisht obje­ktivat e saj. Stanley Sloan, studiues i marrëdhënieve euroatlantike, thoshte: “…UÇK-ja ishte forca kryesore luftarake e shqiptarëve të Kosovës…me rol vendimtar.. NATO kishte një komponentë të forcës tokësore në stra­tegjinë e saj”. Prandaj dhe historiani Pettifer shkruan: “UÇK-ja ishte gjithçka që NATO kishte”. Por NATO ka kontribute të shumta përtej luftës, sepse liria e shqiptarëve të Kosovës ngeli obligim që duhej mbrojtur dhe duhej zhvilluar deri në ngritjen e shtetit dhe mbështetjen ndërkombëtare për ta konsoliduar atë. Amerikanët mbështesin aleatët strategjikë besnikë në Ballkan, ndërkohë që evropianët nuk bënin ndonjë gjë të madhe vetëm sa u “kthenin borxhin shqiptarëve”, borxhin që prej Berlinit, Londrës, Ver­sajës etj. Koha vërtetoi se aleatët strategjikë të shqiptarëve dinë ta respek­tojnë të drejtën dhe mikun, edhe si një ndër kombet më proamerikanë, prandaj amerikanët e kanë Kosovën në objektivat strategjikë të së ardhmes. Kështu kampi ushtarak “Bondstill” në Kosovë, afër Ferizajt, kamp për të cilin vetë amerikanët i kanë dhënë dimensionin e duhur përtejballkanik me batutën simpatike: “Cilat objekte të Tokës mund të shihen nga Hëna? -Muri i madh Kinez dhe kampi ‘Bondstill’ në Kosovë”.

  1. Drejtuesit e luftës së UÇK-së, të burgosur 

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe komandantët e Zonave Operative janë “të ftuarit” e Gjykatës Speciale në Hagë. Por a mund të burgosen historia, historia e një populli të tërë që ka një histori shekullore vuajtjesh, dhune, persekutimi dhe gjenocidi. Që nga momenti i krijimit, Gjykata Speciale e Kosovës[29] ka shpeshtuar ftesat për ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vorbullën e dënimit të drejtësisë së një lufte e solli fundi i vitit 2016, me krijimin e së ashtuquajturës “Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar” për t’i gjykuar kosovarët për “kryerjen e kri­meve të luftës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë”. Të kamufluarit dhe të përkëdhelurit e evropianëve, serbët gjetën mekanizma për të depërtuar te “task forca e BE-së” e ngritur më 2011, që “gjeti” ose më saktë fabrikoi prova se anëtarët e UÇK-së kryen krime pas përfundimit të luftës. Më parë, Gjykata Penale Ndërkombëtare e Kombeve të Bashku­ara për ish-Jugosllavinë gjykoi disa anëtarë të UÇK-së. Një histori që kishte qëllim zhbërjen e luftës së drejtë të drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së. Në kuadër të hetimit të krimeve të supozuara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së, Dhomat e Specializuara i kanë targetuar “peshqit e mëdhenj” të cilët kanë pasur përgjegjësi të lartë në hierarkinë ushtarake. Zyra e Pro­kurorit tё Specializuar tё Kosovës ka ftuar për intervistim pjesën më të madhe të strukturës së lartë komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“Ustallarët e politikës dhe diplomacisë” e kanë mirëmenduar që askush të mos i shpëtojë fokusit të “drejtësisë” ndërkombëtare për intervistim, qoftë në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëve. Për intervistim në Hagë janë ftuar si të dyshuar ose si dëshmitarë, pothuaj të gjithë ish-koman­dantët e zonave që i ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nëpër rajonet e ndryshme të vendit. I pari prej tyre ishte ish-komandanti i Zonës Opera­tive të Llapit, Rrustem Mustafa, që është intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale; ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku; ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja; komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të vendit (19.07.2019); shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla dhe anëtarëte këtij shtabi: Kadri Veseli, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi, Lahi Ibrahimaj, Bislim Zyrapi; drejtues i Drejto­risë së Operacioneve në ShP të UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili ka qenë në këtë detyrë më 1998. Janë thirrur, gjithashtu, luftëtarë drejtues të nivelit më të ulët se komandantë brigadash, deri në luftëtarë të thjeshtë. Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së thotë se numri i luftëtarëve të thirrur për intervistë është rreth 200.[30] Arrestimet shkuan në nivelet më të larta të shte­tit të Kosovës: Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës u arrestua në qershor 2020, me akuzën e krimeve kundër qytetarëve të pafajshëm; bashkë me Hashim Thaçin edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Sali Mustafa, por edhe ata që ranë dëshmorë nuk do t’i shpëtonin ndëshkimit po të ishin gjallë,[31] sikurse ishte dhe Tahir Sinani, ish-komandant i Zonës së Dytë Operative “Pashtriku” dhe mjaft figura të tjera që i bëjnë nder luftës çlirimtare të Kosovës. Ky është “gjyqi i historisë”, gjyqi i fitimtarëve që u ngritën në luftë për të drejtën e popullit të tyre të shtypur një shekull dhe besohet se e vërteta e UÇK-së do të dalë në dritë dhe do të provohet edhe gjatë procesit gjyqësor në Hagë, që do të jetë një gjyq në pafundësi i mbu­shur me procedura të shqyrtimit të çdo letre e “fakti” të humbësve serbë. Dhe e gjithë kjo për “barazitizëm” ndërmjet agresorit serb dhe viktimës që ishte një popull i tërë i dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre.

Aktakuzat e Gjykatës Speciale janë të dëmshme për Kosovën, për luftën e saj për liri dhe pavarësi, edhe pse liria dhe UÇK-ja kanë një emër. Drejtuesit e asaj ushtrie sot janë në Hagë si pjesë e kësaj ushtrie, të një populli që po luftonte për të drejtat e veta dhe të vërtetën historike të Kosovës. Pas fitores askush nuk besonte se disa nga drejtuesit strategjikë të Luftës çlirimtare të Kosovës do të gjykoheshin në Hagë me dhjetëra aktakuza ndërkohë që ishin që të gjithë misionarë lirie dhe trupa e forcës tokësore të NATO-s.[32]

E vërteta historike mbetet ajo që ka qenë dhe krejtësisht e pandryshu­eshme, prandaj edhe lufta për liri, të drejtën dhe mbijetesa ndaj shtypjes e represionit, nuk ka dhe nuk mund të ketë aktakuzë apo akuzë që të mund ta ndryshojë këtë. Lufta çlirimtare është në fokus të goditjeve, edhe pse lufta e drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së është luftë e shenjtë, është themeli i pavarësisë së Kosovës. Emri i drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së shkëlqeu në kohën kur Kosova ishte e shkaktuar nga okupatori serb. Lufta kishte prijësit e vet që, pa dallim, u rreshtuam pas komandantit legjen­dar Adem Jasharit, duke personifikuar një histori unike në botë, kur me tërë Jasharët, në kullë, lufton deri në vdekje, me tri gjenerata të familjes. Pas rënies heroike të Adem Jasharit, drejtimin e luftës sonë çlirimtare e mori Drejtoria Politike dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Me Hashim Thaçin dhe drejtuesit e tjerë të UÇK-së që gjenden në Hagë, nëse do të qe gjallë, do të ishte padyshim edhe vetë legjenda e kësaj lufte Adem Jashari. Prijësit që dolën në skenën e historisë janë emra të merituar që me shumë përpjekjeje dhe me ndihmën e NATO-s, i dhanë lirinë dhe pavarësinë Kosovës. Gjyqi i ndërkombëtarëve në Hagë është goditja e armiqve shekullorë kundër shtetit, kombit e lirisë, të drejtës kombëtare, vlerave, çlirimtarëve, atdhetarëve që kontribuuan për çlirimin dhe shtetin e Kosovës. Drejtuesit e UÇK-së dje në luftë shkuan përtej fjalëve sepse e provuan veten me vepra. Kur nisi aktiviteti për çlirim, numëroheshin me gishta, për të marrë përkrahje fillimisht nga populli i tyre e pastaj dhe nga bota demokratike. Por e drejta zhytet, por nuk mbytet dhe mungesa e drej­tuesve të UÇK-së që janë në Hagë nuk ia ul vlerat misionit fisnik të UÇK-së.[33] Epoka e çlirimtarëve nuk mund të burgoset dhe as të shuhet, sepse luftëtarët e UÇK-së të burgosur pa faj ishin në të drejtën e lirisë të ligjshme për mbrojtjen e popullit, shtëpisë, kombit shqiptar. UÇK-ja është mbrojtësja e së vërtetës. Arrestimi i herëpashershëm i luftëtarëve, sikurse ishte edhe ai i vitit 25.09.2021, kur u arrestuan kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj, sollën indinjatë jo vetëm në Prishtinë,[34] por dhe në Tiranë dhe kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Tingëllon për këdo qesha­rake akuzat ndaj drejtuesve më të lartë të UÇK-së: “akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit!”, ndërkohë që qëllimi për të cilën u krijua ajo ushtri dhe, në fakt, kreu misionin para shqiptarëve ishte tejet i qartë, “ushtri çlirimtare për lirinë e shqiptarëve të Kosovës”. 

  1. Përfundime mbi drejtimin strategjik të luftës së UÇK-së në Kosovë 
  1. Drejtimi strategjik i UÇK-së ishte struktura politiko-ushtarake që orga­nizoi dhe realizoi me sukses një mision me rëndësi historike kombëtare, ku filozofia e një populli të tërë ishte liria, ndërsa mjeti i realizimit të lirisë së shqiptarëve matanë Drinit ishte UÇK-ja.
  2. UÇK-ja ishte dhe mbeti forca e vetme ushtarako-politike themelore brenda Kosovës që shkallmoi statusquonë në Kosovën e pushtuar, “as luftë dhe as paqe”, të vendosur dhe përkrahur nga shumë shtete të rajonit. Lidershipi i saj krijoi ambient bashkëpunues dhe mbështetës me ndërkom­bëtarët.
  3. Drejtuesit e UÇK-së e gjetën të gatshëm patriotizmin, përvojën dhe traditën luftarake nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, trashëgiminë e burrave të mëdhenj luftëtarë si Isa Buletini, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Dedë Gjo Luli, Azem Galica, Idriz Seferi, Mehmet Pashë Dëralla, Hasan Prishtina, Elez Isufi, e qindra mijëra të tjerë. Shqiptarët nuk kanë nevojë të marrin “hua” heronj e luftëtarë, mite e përvoja luftimesh sepse gjatë shekujve i kishin me bollëk, prijësit, heronjtë, luftëtarët e lirisë, të cilët i kanë lënë trashëgim “formulën” e lirisë dhe çlirimit.
  4. Kancelaritë e Perëndimit dhe shtetet e rajonit u detyruan ta merrnin seriozisht gjendjen e krijuar në Kosovë dhe të dëgjohej zëri i saj që, në fakt, ishte zëri i drejtuesve strategjikë të UÇK-së që përfaqësonin interesat e vër­teta të shqiptarëve të shtypur. Ka qenë një elite intelektuale e vendosur që fliste me gjuhën e popullit dhe për popullin. Megjithëse sikurse thotë John Pilger, “për gjashtë vjet deri më 1998, UÇK-ja është trajtuar nga ShBA-ja si grup terrorist, por ishin amerikanët që gjatë ndërhyrjes në fushatën ajrore e përdorën UÇK-në si aleate e ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s”.
  5. E ardhmja e Kosovës erdhi në agjendën e Fuqive të Mëdha si nevojë e shtruar për zgjidhje, ndërkohë që UÇK-ja ishte argumentuese dhe bindëse për shtetet e mëdha si dhe diktoi metodën e bindjes që të hiqej dorë nga ideja se “Kosova është problem ballkanik dhe mund të zgjidhet në kuadrin e shteteve të rajonit”.
  6. Lidershipi i UÇK-së gjeti zgjidhje të tilla se, atje ku nuk dëgjohej zëri i zgjidhjes diplomatike, të dëgjohej krisma e armëve sepse në Kosovë nuk bëhej fjalë “për të drejtat e njeriut”. Në Kosovë kundërshtohej me armë një regjim gjakatar, që shtypte egër shqiptarët, në kërthizë të Evropës.
  7. Lidershipi strategjik i UÇK-së bindi ndërkombëtarët dhe shtetet ballka­nike se ishte nevojë urgjente aktivizimi i diplomacisë amerikane e evro­piane si faktori kyç i zgjidhjes, pa seriozitetin e të cilëve bomba e kurdisur e quajtur “Kosovë”, tashmë e aktivizuar do ta shkatërronte Ballkanin dhe prishte raportin e forcave në Ballkan dhe më gjerë. Fatmirësisht pati vesh që dëgjuan zërin e shqiptarëve të Kosovës.
  8. UÇK-ja shtroi si detyrë për zgjidhje të pazgjidhshmen, të paarritshmen,bindjen e faktorit ndërkombëtar, se “pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk ka qetësi të rajonin ballkanik”, duke sjellë në vëmendje të politikës dhe diplomacisë botërore të vërtetën për Kosovën. Kjo do të çonte në vendo­sjen në veprim të strukturës politiko-ushtarake të NATO-s, me një ndër aksionet ndërhyrëse më spektakolare të të gjithë ekzistencës së saj.
  9. Në dimensionin ushtarak UÇK-ja realizoi misionin ushtarak në të tri shkallët e komandimit-drejtimit, në planin taktik, operacional dhe veçanërisht në planin strategjik. U provua në praktikë se metodat e kërkimit të të drej­tave “përmes paqes”, “vullnetit të mirë” ishin të dështuara përballë serbëve dhe metoda më efektive e udhëhequr nga drejtuesit politiko-ushtarakë të UÇK-së ishte vetëm kryengritja e armatosur.
  10. Në planin strategjik, lidershipi i krahut të armatosur, UÇK-ja, zhvilloi një luftë të armatosur të kombinuar nga lufta guerile deri në atë frontale duke shfrytëzuar operacione luftarake duke mbajtur pandërprerë tempin dhe kohezionin e luftës, në unison me forcat ushtarake të NATO-s, që mbështetën trupat e UÇK-së në terren dhe popullin e Kosovës.
  11. UÇK-ja nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë poli­tike realizoi qëllimin strategjik të një force tokësore në shërbim të NATO-s, për dobësimin e forcave ushtarake të Serbisë e deri në detyrimin e maki­nerisë ushtarake serbe t’i pranojë kushtet e Marrëveshjes së Kumanovës për tërheqje të plotë dhe përfundimtare nga Kosova.
  12. Në planin operacional UÇK-ja tregoi veten si një forcë ushtarake e re dhe e aftë, që t’i planifikonte dhe t’i zhvillonte llojet kryesore të operacio­neve të nivelit operacional si: operacione sulmuese, mbrojtëse dhe opera­cione të pengimit. Aftësia e saj spikati në operacione në front, në prapavijë të forcave të armikut, operacione speciale, operacione tërheqëse, të siguri­mit fizik, xheniere si dhe operacione humanitare.
  13. Drejtuesit e UÇK-së me operativitet u shndërruan në aktorë dhe fak­torë që drejtuan rritjen nga njësitet e vogla guerile të niveleve grupesh e skuadrash, organizuan formacione të rregullta të këmbësorisë së lehtë të nivelit manovrues e operacional si brigada të lehta të këmbësorisë, 7 zona operative që për nga niveli barazohen me nivelet brigadë-divizion të kom­pletuara me pajisje e armatim të mjaftueshëm, që ishin në gjendje të zhvi­llonin operacione luftarake të nivelit taktik e operacional. Lufta e UÇK-së dhe strukturave të drejtimit të tyre strategjik, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit 1998 dhe 1999, bëri efektiv trajnimin e njësive speciale, vëzhguese, zbulimi, njësi për luftim në kushte të veçanta etj.
  14. UÇK-ja mundësoi ta fuste nën kontrollin e saj zona të gjera të Kosovës qendrore dhe perëndimore, ia kishte bërë të pasigurta armikut rrugët krye­sore të cilat lidhin qytetet kryesore të Kosovës, kishte mundësuar kapjen e hapësirave të rëndësishme dhe objekteve strategjike si kuota të rëndësi­shme, kryqëzime rrugësh, objekte dominuese nga mund të sulmonin e kun­dër­sulmonin ose që mund t’ua hiqnin mundësinë pushtuesve serbë të shfry­tëzonin rajone, objekte ose linja të caktuara për qëllime ushtarake.
  15. UÇK-ja përmes rrugëve të komunikimit strategjik pavarësisht terrenit tepër të thyer arriti të sigurojë mbështetje e furnizime me armë nga Shqi­përia. Ishte krijuar baza logjistike përgjatë gjithë brezit kufitar brenda terri­torit të shtetit shqiptar dhe nëpër vendbanime në prapavijën e armikut përgjatë linjave të furnizimit me armë.
  16. Arritje të rëndësishme lidershipi ushtarak i UÇK-së siguroi që në fillimet e veta, ku në planin taktik, baza të rëndësishme në Kosovë ishin: Drenica, Llapusha, Dukagjini, Llapi etj., ku lufta zhvillohej në mënyrë frontale.
  17. Njësitë taktike të UÇK-së si skuadrat, togat, kompanitë e batalionet e Kosovës ishin të armatosura lehtë me aftësi mjaft efektive në përqendrim, depërtim, duke ia bërë tokën nën këmbë pushtuesit gjithmonë të pasigurt, prej goditjeve në njësi të vogla taktike, por tepër dinamike dhe rezultative. Njësitë taktike të UÇK-së, veçanërisht në dy fazat më 1999, i shkaktuan armikut pasiguri të madhe pasi në çdo hap i priste goditja dhe shkatërrimi, edhe pse strukturat armike në aspektin operacional dhe taktik të ofensivave armike ishin të kompletuara me kapacitete luftarake shumëfish më të mëdha. E, megjithatë, fitorja nuk qëndron te numrat as te raporti i forcave. Historia e artit ushtarak botëror dhe shqiptar nga antikiteti në luftërat moderne ka provuar se: “Forca morale qëndron si njëshi ndaj treshit në përballje lufta­rake”.
  18. Në planin historik UÇK-ja si organizim politiko-ushtarak me rol vendimtar në çlirimin e Kosovës shkroi një faqe të re për historinë e trevës Dardane, por edhe për mbarë shqiptarinë, pavarësisht se mbi tokën shqip­tare u vërsulën edhe mercenarë, që historia nuk mund e nuk duhet t’i harrojë.[35] Por vlerësimi politik i situatës si dhe vlerësimi i kapaciteteve operacionale të burimeve të brendshme të Kosovës rezultoi i suksesshëm.
  19. Sakrifica për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesi sllav bëri që forcat e afta për luftë t’i referoheshin traditës së lashtë të luftëtarëve shqip­tarë dhe mënyrave tradicionale të luftimit të zbatuar nga strategët popullorë shqiptarë në kryengritjet popullore gjatë historisë, sikurse ishte bllokimi i Grykës së Carralevës dhe Qafës së Duhles, sikurse e kishte bërë më 1910 strategu popullor Isa Boletini. Përvoja e përhapjes së vijave të frontit për­afërsisht nëpër territore të Llapushës e Drenicës si në kryengritjet e vitit 1919 nga Azem Bejta e Sadik Rama, por kjo e vërtetuar edhe në dekadat e mëvonshme. Të vendosur për shpirtin vetëmohues flasin epopeja e betejës së Prekazit e komandantit Adem Jashari e familjes së tij; Beteja e Gllo­gjanit, trimëritë e komandant Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit me të shoqen Xhevë, Mujë Krasniqit, Ismet Jasharit – Kumanovës etj.
  20. Lufta e NATO-s ishte fat për kosovarët, fat që rridhte nga vuajtja e tyre që u bë çështje planetare e mediatike, çështje e kuptimit të ekzistencës së paktit të NATO-s, çështje e fitores së qytetërimit ndaj barbarisë, ndër­kohë që “lufta moderne e Kosovës u fitua pa përdorur trupat tokësore dhe helikopterët Apache, me zero humbje në radhët e NATO-s”[36], ku meritë kanë drejtuesit e ushtarët e UÇK-së.
  21. Lufta e UÇK-së dhe drejtuesve të saj është me rëndësi vendimtare e historike sepse do të mbetet pikë referimi në kohën e shkëmbimit të shekullit dhe mijëvjeçarit si kujtesë për brezat e ardhshëm. Ende pa përfunduar mirë lufta e Kosovës, UÇK-ja u kthye në një referim thelbësor për luftëtarët e Kosovës lindore dhe Iliridës të cilët me luftë dhe vetëm me luftë të arma­tosur, ndryshuan gjendjen e popullsisë shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe në Kosovën lindore.
  22. UÇK-ja krijoi një vlerë të madhe përmes gjakut të derdhur dhe mundit të bijve dhe bijave si pjesë e krenarisë sonë kombëtare. UÇK-ja mori beki­min mbarëpopullor në Kosovë dhe e justifikoi besimin e popullit. Arkitek­tura e sigurisë rajonale ballkanike nuk mund të realizohet sot dhe në të ardhmen pa aktorin dhe faktorin e shtetit të Kosovës.

Elementë thelbësorë të luftës së drejtë të UÇK-së në Kosovë:

  • Lufta e drejtë dhe legjitimiteti i luftës është i justifikuar në aspektin e parashikuar nga e drejta ndërkombëtare, që në rastin konkret shtypja barbare e një etnie tjetër në truallin amtar është luftë plotësisht për të drejta të legjitimuara. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përbën asnjë lloj krimi dhe nuk mbart asnjë element të terrorizmit.
  • Objektiv i qartë i UÇK-së është vetëm objektivi i mbrojtjes nga shtypja, dhuna, persekutimi e gjenocidi gati njëshekullor serb, ndër­kohë që për lidershipin strategjik të Kosovës hakmarrja ndaj civilëve nuk ishte asnjëherë objektiv i saj, sepse UÇK-ja dhe drejtuesit e saj kishin dhënë rekomandime plotësisht të drejta për të goditur vetëm strukturat “nën armë” të forcave pushtuese.
  • Objektivat e UÇK-së ishin plotësisht të përputhshme me objektivat e NATO-s, për t’i përzënë strukturat militare pushtuese serbe nga Kosova, një objektiv i gjithëpranuar ndërkombëtarisht.
  • Kapacitetet ushtarake që prodhoi Kosova gjatë përballjes me forcat serbe ishin kapacitete plotësisht të justifikuara dhe në mbrojtje të popullatës së saj. Asnjëherë nuk u krijua një forcë ushtarake për qëllime të tjera që do të dëmtonin shtetin apo civilët serbë.
  • Ndërhyrja brutale e strukturave militare e policore serbe pro­vuan përpara gjithë opinionit botëror qëllimin e tyre për të shfarosur me zjarr e hekur çdo shqiptar të Kosovës dhe përzënien totalisht të popu­llsisë shqiptare (sikurse ndodhi në të vërtetë).
  • Paslufta e UÇK-së solli problem emergjent përgatitjen e kon­tingjenteve të arsimuar për sigurinë e shtetit më të ri të botës, duke bërë edhe përgatitjen e nëntogerëve të parë të Kosovës në Akademinë Ushta­rake “Skënderbej” në Tiranë.[37]
  • Kosovën e solli në këto ditë lirie fuqia e saj e popullit të papër­kulur, që nuk iu shterën kurrë fuqitë, që nxorën UÇK-në-forcën më vitale të ndërrimit të shekujve dhe mijëvjeçarit, që veproi në tokë, por që pati fatin e rrethanave historike të veprimit energjik të NATO-s nga ajri.
  • Shqipëria e këtej Drinit është vend anëtar i NATO-s dhe “de fakto” Kosova e matanë lumit Drin konsiderohet pjesë e saj për shkak të misionit që kryen NATO në këtë shtet. Kufiri shqiptaro-shqiptar në këtë situatë të sigurisë së brishtë botërore duhet rekomanduar që të shkallmohet dhe përgatitja me karakter ushtarak e logjistik për sigurinë e kombit shqiptar janë prioritet, për ta mbrojtur kombin nga goditjet e paparashikuara. Shqiptarët nuk duhet të presin konkluzione historio­grafike derisa historianët të mbledhin fakte shumëvjeçare dhe nga shumë burime, që ta shkruajnë historinë që ndodh sot. Lidershipi shqiptar rekomandohet të jetë jo vetëm vigjilent, por edhe parashikues për çështjet e sigurisë së kombit. Para tre dekadash deviza e përditshmërisë shqip­tare ishte “Përgatitemi për luftë”, por nuk ishin të rrallë ata që gjykonin me mençurinë e popullit dhe nën zë thoshin: “Përgatitemi për luftë, por zoti mos e pruftë”. E trajtojmë në këtë sesion shkencor këtë çështje sepse “bota ndodhet para faktit të një përplasje rajonale apo globale”.[38]  Lidershipi politik dhe gjeneralizmi ushtarak në të dy shtetet shqiptare të Ballkanit duhet të gjenden praktikisht të përgatitur, për ta prodhuar vetë sigurinë e brendshme dhe të jashtme, edhe me sakrifica ekonomike me qëllim që të mos ngremë në çdo kohë UÇK.
  • Mbështetjen që dhanë ShBA-ja, Evropa e NATO-ja për Koso­vën dhe udhëheqësit e UÇK-së, duhet vlerësuar dhe shprehur mirë­njohje gjithmonë për miradministrimin e shtetit sipas parimeve demo­kratike. Udhëheqësit politikë shqiptarë në “Shqipërinë Londineze” dhe në Shqipërinë e përtej Drinit e kanë detyrim kombëtar unifikimin e faktorit politik, në negociata, përfshirje të elitës intelektuale, akade­mikëve shqiptarë në gjithë hapësirën shqiptare dhe përtej saj. Nuk është vonë të mësojnë nga gabimet e së kaluarës, në funksion të së ardhmes, në rrafshin politik, ekonomik, kulturor, ushtarak të fushës së sigurisë si dhe për çdo qelizë të veprimtarisë, ku të dominojë interesi kombëtar dhe marrëdhëniet e barabarta me fqinjët.
  1. Kronologji të luftës në Kosovë

08.05.1989. President i Presidencës së Serbisë bëhet Sllobodan Millosheviq, që u konfirmua më 06.12.1989, i quajtur ndryshe edhe “kasapi” i Ballkanit. Epoka e tij solli vetëm luftëra dhe hodhi vellon e zisë për ballkanasit.

22.01.1990. Zhvillohet Kongresi 14 i LKJ-së, që ndryshoi pozitën e partisë si partia e vetme në ish-Jugosllavi.

Janar 1990. Qeveria Jugosllave njoftoi se do ta vazhdonte me krijimin e sistemit shumëpartiak.

26.06.1990. Autoritetet serbe pezulluan Kuvendin Krahinor të Kosovës për shkak të disa rrethanave speciale.

01.07.1990. Serbia aprovoi amendamentet kushtetuese me referendum.

02.07.1990. Kuvendi Krahinor i Kosovës shpall pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur brenda Jugosllavisë, votojnë 114 vota për pavarësinë e Kosovës nga 180 që ishte anëtarësia shqiptare e këtij Kuvendi Krahinor.

05.07.1990. Kuvendi serb shpërbeu Kuvendin e Kosovës për Deklaratën e shpallur më 02.07.1990. Serbia, gjithashtu, shpërbeu Këshillin Ekzekutiv dhe mori kontrollin e plotë të drejtpërdrejtë të Kosovës. Serbia mori mena­xhimin e medias kryesore shqiptare në Kosovë dhe i ndaloi të gjitha tran­smetimet në gjuhën shqipe.

17.7.1990. LKS e kombinuar me Aleancën Socialiste të Popullit Punëtor të Serbisë krijuan PSS dhe Millosheviqi u bë kryetari i parë.

08.08.1990. Shumë amendamente të Kushtetutës së Republikës Socia­liste Federale të Jugosllavisë (RSFJ) u adaptuan dhe u krijua sistemi shumë­partiak në ish-Jugosllavi.

03.09.1990. Shqiptarët e Kosovës mbajtën një grevë të përgjithshme 24-orëshe, duke paralizuar totalisht të gjithë Kosovën.

07.09.1990. U shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Millosheviqi u përgjigj: urdhëroi arrestimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës i cili e kishte shkatërruar atë.

28.09.1990. U shpall Kushtetuta e re kontroverse serbe. Zgjedhje të reja shumëpartiake u mbajtën në Serbi më 9 dhe 26.12.1990 ku, si rezultat i tyre, Millosheviqi u shpall president i Serbisë.

05.08.1991. Kuvendi i Serbisë mbylli Ndërmarrjen Botuese Grafike “Rilindja” të Kosovës në bazë të Ligjit të Informimit Publik të 29 marsit 1991.

09/1991. Shqiptarët e Kosovës mbajtën një referendum unanim për pavarësi.

24.05.1992. Shqiptarët e Kosovës mbajtën zgjedhjet për Kuvendin dhe president të Republikës së Kosovës.

26.02.1993. Raportuesi special i OKB-së, Tadeusz Mazowiecki, raportoi se “policia serbe ka intensifikuar shtypjen e popullsisë shqiptare që prej 1990, duke i privuar të drejtat e tyre bazë, duke shkatërruar sistemin arsi­mor dhe largimet politike nga puna të punonjësve publikë shqiptarë”.

22.04.1996. U ndërmorën katër sulme ndaj personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës. Sulmet u morën përsipër nga një organizatë e panjo­hur në atë kohë e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK). Natyra e UÇK-së mbetej e panjohur nga ndërkombëtarët. Mbështetja e parë finan­ciare e materiale për UÇK-në ishte nga diaspora.

  1. Millosheviqi u ngrit në Presidencën e Republikës Federative Jugo­sllave të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, që prej krijimit në prill 1992, por vazhdoi edhe më tej shtypja dhe represioni për shqiptarët, prandaj kishte vetëm një rrugëdalje, vetëm rezistenca e armatosur do ta ndryshonte situa­tën e rënduar.

03.04.1997. Hapja e depove ushtarake në Shqipëri ose i ashtuquajturi “skandal piramidal”, për shkak të falimentimit të piramidave dhe humbjes së parave, çuan në revolta të fuqishme popullore, u grabitën armët nga depot ushtarake, një pjesë e të cilave përfundoi edhe në Kosovë. Anarkia e piramidave la mbrapa mijëra të vdekur.

03.1997. Qeveria e Shqipërisë u rrëzua si pasojë e armatosjes së popull­sisë dhe hapjes së rezervave të armatimeve të Ushtrisë shqiptare, ku një pjesë e rezervave përfunduan në duar të bandat kriminale, ndërsa një pjesë shkoi për armatosjen e UÇK-së.

25.11.1997. Përleshja e parë frontale midis shqiptarëve dhe serbëve u zhvillua në Rrezallë të Re, ish-Ludoviq, pas një disfate të policisë serbe që kishte pësuar në Lagjen “Binakaj” të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha.

28.11.1997. U zhvillua varrimi i mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, i vrarë nga serbët një ditë më parë. Me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike.

28.02.1998. Ndodh sulmi jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës dhe kjo konsiderohet dita kur nisi lufta e Kosovës që, në fakt, ishte një konflikt i armatosur i popullsisë shqiptare të ish-Krahinës së Kosovës në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë, luftë që u zhvillua ndërmjet UÇK-së dhe ushtrisë jugosllave.

05.03.1998. Ploja në Prekaz, e cila shkaktoi irritim të thellë në kryeqytetet perëndimore dhe Madeleine Albright, sekretarja e jashtme amerikane, thoshte se “kjo krizë nuk është një çështje e brendshme e RFJ-së”.

5,6,7.03.1998. Në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes “Jashari”, u shkrua epopeja e Drenicës, ku ranë heroikisht Jasharët dhe familjet përreth tyre në krye me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

24.03.1998. Forcat Jugosllave rrethuan fshatin e Glloxhanit dhe sulmuan luftëtarët e UÇK-së. Pavarësisht prej fuqisë më të madhe të zjarrit, forcat jugosllave dështuan në shkatërrimin e njësisë së UÇK-së, i cili ishte objek­tiv i tyre. Megjithëse kishte disa të vdekur dhe shumë të plagosur nga UÇK-ja, beteja e Glloxhanit ishte një rezistencë e suksesshme.

31.05.1998. Ushtria Jugosllave dhe policia serbe filluan operacionin për spastrimin e kufirit të kontrolluar nga UÇK-ja. Përgjigjja e NATO-s ndaj kësaj ofensive ishte operacioni i mesit të qershorit, i quajtur Operation Determined Falcon (Operacioni Fajkoi i Vendosur), një parakalim ajror mbi kufijtë jugosllavë.

24.06.1998. Në Junik të Kosovës, përfaqësuesit e UÇK-së, në krye me Hajdin Abazin, zhvilluan takimin me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.

29.06.1998. Në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montanas zhvillohet takimi i përfaqësuesve të UÇK-së në krye me Bardhyl Mahmutin, me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.

09.07.1998. Presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, deklaroi “emergjencën kombëtare” (gjendje e jashtëzakonshme) për shkak të “kërcënimit të paza­kontë dhe të jashtëzakonshëm të sigurisë kombëtare dhe politikave ndër­kombëtare të Shteteve të Bashkuara” imponuar nga Jugosllavia dhe Serbia me luftën e Kosovës.

01.09.1998. Në rrethinat e Prizrenit u rrit aktiviteti ushtarak i ushtrisë serbe. Në Pejë një ofensivë serbe rrezikoi një karvan njerëzish të dëbuar, veprimi u dënua nga oficerët ndërkombëtarë.

23.09.1998. Kapitulli VII i kartës së OKB-së Këshilli i Sigurimit pranon rezolutën nr. 1199.

24.09.1998. Këshilli i Atlantikut Verior (NAC) i NATO-s lëshoi një “paralajmërim aktivizimi” (Actwarn), duke e çuar NATO-n në një nivel më të lartë gatishmërie ushtarake si për një mundësi të limituar ajrore ashtu edhe për një fushatë ajrore me faza në Kosovë.

13.10.1998. Këshilli i Atlantikut të Veriut lëshoi urdhrat e aktivizimit (ACTORD) për ekzekutimin e sulmeve të limituara ajrore, po ashtu edhe fushatë ajrore me faza në Jugosllavi e cila do të fillonte përafërsisht për 96 orë.

15.10.1998. U firmos Marrëveshja e Misionit të Verifikimit në Kosovë (KVM) i NATO-s për armëpushim; afati i fundit për tërheqjen u zgjat për 27 tetor 1998. Tërheqja serbe filloi në ose rreth 25.10.1998 dhe Operacioni “Syri i shqiponjës” (Eagle Eye) filloi më 30.10.1998 dhe monitoruesit e paqes, të paarmatosur nga OSBE-ja (të njohur zyrtarisht si verifikues), u futën në Kosovë. Pamjaftueshmëria e tyre ishte e dukshme që në fillim. Ata u quaj­tën me nofkën “clockwork oranges” (me kuptimin në zhargon anglisht si diçka e pavend dhe e panevojshme) si referencë për makinat me ngjyrë portokalli që përdornin.

12.1998. Armëpushimi u prish dhe luftimet filluan sërish. Gjatë luftimeve u vra Zvonko Bojanić, kryebashkiaku serb i Fushë-Kosovës, ndërsa auto­ritetet serbe nisën ofensivën ndaj luftëtarëve të UÇK-së, që tashmë ishte kthyer në një ushtri në rritje që ofronte siguri.

Janar-mars 1999. Përballja luftarake solli pasiguri në zonat urbane, duke përfshirë bombardime dhe vrasje, të tilla vijuan edhe gjatë bisedimeve në Rambuje të Francës në shkurt, ndërkohë që Marrëveshja e Verifikimit në Kosovë u zgjidh në mars. Vrasjet në rrugë u rritën shumë dhe kishte edhe përplasje ushtarake në Vushtrri si zonë e paprekur deri tani në luftime në Kaçanik, gjithashtu, në fillim të marsit.

15.01.1999. Masakra e Reçakut, ku 45 shqiptarë u rrethuan, u drejtuan drejt një kodre dhe u masakruan, ndërkohë që trupat u zbuluan nga moni­toruesit e OSBE-së, duke përfshirë edhe kryetarin e Misionit, William Walker dhe të dërguarin e huaj të shtypit ndërkombëtar. Serbia e mohoi masakrën edhe pse Reçaku ishte kulmimi i sulmeve dhe reprezaljes për­gjatë gjithë dimrit 1998-1999. Masakra u ndëshkua nga vendet perëndi­more, Këshilli i Sigurimit të OKB-së si dhe u bë bazë për aktakuzën për krime lufte ndaj Millosheviqit dhe zyrtarëve të tij më të lartë. Kjo masakër ishte një pikë kthese e luftës. NATO vendosi se konflikti mund të zgjidhej vetëm duke vendosur një mision paqeruajtës ushtarak nën komandën e NATO-s. Prishtina u bë subjekt i përleshjeve me armë dhe dëbimit të popullsisë sipas raporteve të OSBE-së.

30.01.1999. NATO lëshoi një deklaratë ku Këshilli i Atlantikut të Veriut kishte pranuar që “sekretari i përgjithshëm i NATO-s mund të autorizojë sulme ajrore kundër shënjestrave në territorin e RFJ-së” në mënyrë që të arrihej një marrëveshje politike”. Ndërkohë që ky ishte më shumë një kër­cënim për qeverinë e Millosheviqit dhe sprovë për faktorin politik shqiptar.

30.01.1999. Grupi i Kontaktit[39] lëshoi një set “principesh të panego­ciueshme” e cila krijoi paketë të njohur si “Status Quo Plus”, efektivisht rikthimin e autonomisë së Kosovës si para vitit 1990 brenda Serbisë, plus futjen e demokracisë dhe vëzhgim nga organizatat ndërkombëtare. Kërko­hej një konferencë paqeje që të mbahej në shkurt 1999 në kështjellën Chateau de Rambouillet, jashtë Parisit në Francë.

06.02.1999. Filluan bisedimet e Rambujesë me sekretarin e NATO-s Juvier Solana[40], i cili negocionte me të dyja palët, bisedime që ishin plani­fikuar të përfundonin më 19.02.1999. Një rol të madh në këto bisedime luajti sekretarja e shtetit amerikan Madeleine Albright.[41]

23.02.1999. Në fazën e parë negociatat ishin të suksesshme, në veçanti një deklaratë nga bashkëkryetari i Grupit të Kontaktit: “Kanë arritur një konsensus për një autonomi për Kosovën, përfshirë mekanizma për zgjedhje të lira, të ndershme për institucione demokratike.

18.03.1999. Delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë, ndërkohë që delegacioni jugosllav dhe rus nuk pranuan. Marrëveshja parashikonte administrimin e Kosovës nga NATO si një provincë autonome brenda Jugosllavisë, një forcë prej mbi 30 000 trupash të NATO-s për mbajtjen e rregullit në Kosovë; të drejtën e kalimit të papenguar të trupave të NATO-s në territorin jugosllav, përfshirë Kosovën. Do të lejohej një prani e vazhdueshme e ushtrisë jugo­sllave me 1500 trupa për vëzhgimin e kufirit, të mbështetura nga 1 000 trupa për qëllime komande dhe mbështetje, po ashtu edhe një numër i vogël policie kufitare, 2500 njerëz nga Ministria e Brendshme për qëllime sigurie të përgjithshme dhe 3 000 policë lokalë.

23.03.1999. Kuvendi serb pranoi principin e autonomisë për Kosovën dhe pjesën joushtarake të marrëveshjes, duke refuzuar praninë e trupave të NATO-s në Kosovë.

23.03.1999. Në orën 22:30 UTC+1 Richard Holbrooke u rikthye në Bruksel dhe njoftoi: “Bisedimet e paqes dështuan dhe i dorëzoi çështjen formalisht NATO-s për veprime ushtarake”. Disa orë para lajmërimit, Jugosllavia lajmëroi në televizionin kombëtar se ka deklaruar gjendjen e emergjencës për një kërcënim të afërt lufte dhe filloi një mobilizim të madh trupash e resursesh.

23.03.1999. Në orën 23:17, sekretari i përgjithshëm Javjer Solana lajmë­roi se kishte urdhëruar komandantin suprem aleat të Evropës (SACEUR), gjeneralin e Ushtrisë amerikane, Wesley Clark, që t’i “nisë operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë”.

24.03.1999. Në orën 20:00 NATO nisi fushatën bombarduese ndaj ish-Jugosllavisë, që zgjati nga 24 marsi deri më 11.06.1999, duke përfshirë mbi 1000 avionë që vepronin kryesisht nga bazat në Itali dhe në aeroplan-mbajtëset të stacionuara në Detin Adriatik. Në mbi dhjetë javët e konfli­ktit, avionët e NATO-s fluturuan mbi 38 000 misione ajrore luftimi.

24.03.1999. UÇK-ja u mbështet nga NATO, një vit e 24 ditë pasi ushtria jugosllave kishte nisur sulmin frontal ndaj shqiptarëve të Kosovës. Stati­stikat flasin për dëbimin e 848 000 shqiptarëve nga Kosova, vrasjen e rreth 15 000 personave, nga të cilët rreth 2400 luftëtarë të UÇK-së, 1 008 ushtarë dhe policë serbë, si dhe shumë civilë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur mbi 5 000 njerëz. Fati i shumicës është ende i pazbardhur.

Fillimqershor 1999. Hollbrook u takua me luftëtarët e UÇK-së. Publikimi i këtyre imazheve fotografike i dërgoi një sinjal UÇK-së, mbështetësve dhe simpatizantëve, dhe vëzhguesve në veçanti, se ShBA-ja do të mbështesë vendosmërisht UÇK-në dhe popullsinë shqiptare në Kosovë.

03.06.1999. Millosheviqi u detyrua t’i pranojë kushtet e një plani ndër­kombëtar paqeje për t’i ndaluar luftimet, ku në kuvendin kombëtar po pranoheshin propozimet pavarësisht prej debateve të ashpra e përleshjeve me grushte në disa raste.

10.06.1999. Komiteti i Atlantikut Verior ratifikoi marrëveshjen dhe pezulloi operacionet ajrore, duke i hapur rrugë paqes së mbikëqyrur.

10.06.1999. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havjer Solana, nënshkroi urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës, në Kosovë u dërguan 37200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Misioni ishte i ndarë në pesë zona përgjegjësie, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman, italian.

11.06.1999. Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 09.06.1999 nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneral Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte e gjenocid. Marrëveshja hyri në fuqi më 11.06.1999, duke i dhënë fund dhunës serbe në Kosovë si parakusht për ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi objektivat ushtarake serbe. Serbia detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat e saj ushtarake e policore nga Kosova dhe të krijohej zonë sigurie ajrore 25 km përtej kufirit të Kosovës. Ish-ushtria e Jugosllavisë ishte dorëzuar dhe kishte kapitulluar, bashkë me të dhe krimineli serb S. Millosheviq.

12.06.1999. Në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të OKB-së, i cili do ta administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Drejtuesit e UÇK-së, me kërkesën e ndërkombëtarëve, e shndërruan UÇK-në në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës duke zbatuar të gjitha detyrimet si forcë paqësore.

01.10.1999. 150 parashutistë të ShBA-së u parashutuan në Ferizaj si pjesë e Operation Rapid Guardian/Operacioni “Gardiani i Shpejtë”. Qëllimi i misionit ishte kryesisht për ta paralajmëruar Sllobodan Millosheviqin për aftësinë e shpejtë të veprimit dhe kapaciteteve të NATO-s në Kosovë, ku një ushtar amerikan humbi jetën gjatë uljes pasi nuk u hap parashuta.

17.02.2008. Kosova shpalli pavarësinë nën mbështetjen e Fuqive të Mëdha të udhëhequra nga ShBA-ja.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

[1] Sesioni shkencor, i planifikuar të mbahej me datën 25.11. 2020, me rastin e 22-vjetorit të daljes së UÇK-së në skenën publike, për shkak të pandemisë, u mbajt më 07.03.2022, me temë “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”.

[2] Rexhep Qosja, Historia dhe politika,Toena, Tiranë, 1998, f. 84.

[3] Po aty f. 88.

[4] Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë, 1978, dok. 154, f. 239.

[5] Rexhep Qosja, Historia dhe politika,Toena, Tiranë, 1998, f. 111-112.

[6] Antanta, për t’i kënaqur lakmitë e Italisë në Britani, më 26.4.1915 u mbajt “Traktati i fshehtë i Londrës”, nënshkruar nga Britania, Franca e Rusia nga njëra anë dhe Italia nga ana tjetër. Sipas Historia e popullit shqiptar, Vëllimi III, Toena, Tiranë, 2007, f. 79.

[7]Historia e popullit shqiptar, Vëllimi III, Toena, Tiranë, 2007, f. 483-487.

[8] Më 1980 llogaritej se një në pesë serb kishte rrogë shtetërore, ndërsa vetëm një në njëmbëdhjetë shqiptar merrte rrogë shtetërore. Rekrutimi masiv i shqiptarëve në Lidhjen Komuniste bëhej për privilegje, pozita partiake, por dhe për imponim, presion dhe indoktrinim, për strategjinë “përçaj dhe sundo” nga shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave, i dominuar nga Serbia (UDB-a), sipas Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Tiranë, 2001, f. 340.

[9] Referimi është nga Blerim Shala në pasthënien e librit Rrëfimi për luftën dhe lirinë (1999), Bardh Hamzaj, 1999, f. 179.

[10] Iljaz Rexha, Beteja e Kosovës në kronika, burime osmane të shekujve XV-XVI, Gjurmime Albanologjike 19, Prishtinë, 1989, f. 19-33; Aşık Paşazade,Osmanlı Oğullarının Tarihiö ıstanbulö 2003, f. 209-212; Halil Inalcik, Fatih Devri uzerinde Tetkikler ve Vesikalar I, Ankara 1987, f.109.

[11] Sipas të dhënave të ciceronit të kompleksit memorial, Rifat Bejta, dhe bazuar në broshurën e Dibran Fyllit, Prekazi brezni trimash, ai është gjallë, Prishtinë, 2012, f. 3.

[12] Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë ndërmjet NATOS-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 09.06.1999 nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneral Nebjosha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte e gjenocid. Marrëveshja hyri në fuqi më 11.06.1999, duke i dhënë fund dhunës serbe në Kosovë si parakusht për ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi objektivat ushtrisë serbe. Serbia dety­rohej t’i tërhiqte të gjitha forcat e saj ushtarake dhe policore nga Kosova dhe të krijohej zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës.

[13] Doktrina serbe për asgjësimin dhe dëbimin e elementit shqiptar nga trojet etnike të tyre daton që nga lashtësia, që nga momenti i infiltrimit të popullit sllav në këto anë në shek. XII, duke masakruar popullatën shqiptare, duke e detyruar të largohet nga trojet e veta, për t’u mos u kthyer kurrë më atje. Kjo ide më vonë filloi të institucionalizohet në qarqet serbe. Aplikimin institucional të kësaj doktrine (platforma naçertanje)e kanë drejtuar Millosh Obrenoviqi, Ilija Garashani, Vasa Çubrilloviqi, Ivo Andriqi.

[14] Emblemat e para të UÇK-së ishin shtypur në një fabrikë tekstili në Zvicër, nga aktivistë që përgatitën emblemën e UÇK-së. Merita i përket Adnan Asllanit, që edhe i dërgoi ato në Kosovë. Stema e UÇK-së, që u përgatit në Zvicër, ishte bartur dhe nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe të gjithë luftëtarët në uniformë.

[15] https://www.radiokosovaelire.com/

[16] Halit Geci, lindur më 16.11.1945 në Llaushë, Skenderaj, u vra më 26.11.1997. Ai ishte mësues shqiptar. Derisa zhvillohej beteja midis UÇK-së dhe forcave serbe, këto forca gjuajtën drejt shkollës dhe plumbat e kapën Halit Gecin, që ndërroi jetë nga plagët në Qendrën Spitalore në Prishtinë. Në varrim morën pjesë mbi 10000 veta, por u bë edhe dalja publike e UÇK-së. Rexhep Selimi në varrimin e mësuesit ligjëroi hapur për veprimtarinë e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

[17] Emin Kabashi, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në ShBA, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020, f. 5.

[18] Në Prekaz po bëhej historia. Kështjella e Jasharëve po bëhej muranë e lirisë. Nezir Myrtaj, 05.03.1999, Radio Kosova e Lirë.

[19] Për Adem Jasharin janë shkruar libra, drama, broshura, jetëshkrime nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj; janë shkruar qindra shkrime të autorëve të ndryshëm në shtypin ditor dhe në atë periodik; janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Tiranë, në Gjirokastër etj. Është realizuar kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz; është përjetësuar emri në institucione të shumta edukative, arsimore e shkencore kudo në trojet shqiptare. Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës, francezi Bernard Kushner, shprehej: “Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari të Prekazit”.

[20] “NATO air strikes-the world reacts”, BBC News, 25.03.1999.

[21] Brian Frederking The United States and the Security Council: Collective Security Since the Cold War, Routledge, 2007, f. 148.

[22] Sipas prezantimit në konferencën shkencore të dr. A. Hitoaliaj, Dokumentet amerikane për Luftën në Kosovë, prezantim në Institutin Albanologjik të Kosovës, datë 07.03.2022: Dokumentacioni amerikan arkivor 14 miliardëfaqe të Arkivit Kombëtar të ShBA-së, zëra në fonde arkivore: 240 zëra të deklasifikuara vetëm në periudhën dyvjeçare 1998-2000”.

[23] Statistikat flasin për dëbimin e 848000 shqiptarëve nga Kosova, për vrasjen e 15000 personave, nga të cilët 2400 luftëtarë të UÇK-së, 1008 ushtarë dhe policë serbë dhe civilë të thjeshtë, u zhdukën mbi 5000 njerëz. Fati i shumicës është ende i pazbardhur.

[24] Zaho Golemi, Marrëveshje apo armiqësi,gazeta Telegraf, 26.02.2016, f. 16.

[25]Karl Fon Klauzeviç, Arti i luftës në tre vëllime, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë, 1994.

[26] Kampi Bondsteel ka një shtrirje rreth 955 hektarësh, i vendosur në Kosovën qendrore, ku stërviten rreth 1000 trupa ushtarake të NATO-s, si pjesë e një force paqeruajtëse afatgjatë në Kosovë, kryesuar nga ShBA-ja.

[27] Zaho Golemi, UÇK-ja, arkitekte e fitores së luftës së Kosovës nën mbështetjen e forcave ajrore të NATO-s, Tiranë, 2008.

[28] Zaho Golemi, Marrëveshje apo armiqësi, gazeta Telegraf, 26.02.2016, f. 16.

[29] Gjykata Speciale ishte themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 03.08.2015, ndërsa emri i saktë i kësaj gjykate është Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs.

[30]Portali Sinjali, Komandantët e Zonës Operative të UÇK-së të cilët nuk janë ftuar ende nga Specialja, Prishtinë, 11.11.2019.

[31] Tahir Sinani nga Tropoja, që ka rënë dëshmor, ishte komandant i Zonës së Dytë Operative “Pashtriku”, e qindra të tjerë që gjakun e derdhën për Kosovën e lirë.

[32] Në Hagë janë çuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi etj., që akuzohen për krime lufte dhe rëndojnë mbi ta 10 akuza: për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prillit 1998 deri në gusht 1999.

[33] Po aty f. 2.

[34] Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

[35] Në vitin 1999 dhe 2001 mercenarë rusë dhe ukrainas u vërsulën mbi popullsinë shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni për ta shtypur luftën çlirimtare të shqiptarëve si dhe armatimet moderne e helikopterët e blinduar ukrainas i dhanë ndihmë ushtrisë maqedonase për t’u përdorur në vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm dhe për ta shtypur me gjak luftën çlirimtare të tij. Për këtë arsye historia është shkenca e së kaluarës të njerëzimit si dhe mësuesja e njerëzimit. (sh.a).

[36] Genneral Wesley K. Clarc, Waging Modern War: Bosnia, Kosovo, and the Future of Combat, New York, NY, 2001.

[37] Studentët e parë të shtetit të Kosovës që u përgatitën në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë ishin Faruk Geci, Kushtrim Zymberaj, Fidan Selimi, Alban Çeku, Arfet Limaj, Petrit Ajeti, Granit Hasani, Shpëtim Selmanaj, Betim Krasniqi me pseudonim në luftë “Bardhi”, që ishte dhe vëllai i heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Filluan shkollën në shtator 2001 dhe u diplomuan në Komandën e Kurseve të AU “Skenderbej” në janar 2003.

[38] Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë është lajmi kryesor në mediet ndërkombëtare, luftë që nisi më 05.00 të datës 24.2.2022, kur Putini nuk pyeti për diplomaci, por dërgoi formacionet e aviacionit, tankeve, raketave dhe forcën tokësore drejt Ukrainës. Lufta është pësim, por dhe mësim edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe sidomos shtetet e kërcënuara drejtpërdrejt. Kjo luftë ta kujton “luftën rrufe” të Adolf Hitlerit, rrufetë e së cilës i pritën edhevetë ukrainasit, ndërkohë sot presin rrufetë nga “të vetët” nga Moska që dikur i mbrojtën krahët nga sulmet hitleriane. (Shënimi im, Tiranë, 24.02.2022).

[39] Grupi i Kontaktit përbëhej nga ShBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia.

[40] Francisco Javier Solana Madariaga, lindur më 14.7.1942, në Madrid, Spanjë, politikan spanjoll dhe sekretar i përgjithshëm, i nënti i NATO-s, më pas zyrtar i nivelit të lartë të BE-së.

[41] Madeleine Jana Korbel Albright, e lindur me emrin Marie Jana Korbelová më 15 maj 1937, në Pragë. Më 1948 shkoi në ShBA, më 1957 u bë qytetare amerikane; politikane dhe diplomate amerikane që shërbeu si sekretarja e 64-t e ShBA-së nga 1997-2001 nën presidentin Bill Clinton.Ajo ishte sekretarja e parë femër e shtetit në historinë e ShBA-së dhe gruaja e hekurt që u bë mentore e lirisë së Kosovës. U shua më 23.03.2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ka thënë se opozita…