Drejtori i CIA-s viziton Venezuelën
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, John Ratcliffe, ka vizituar Venezuelën dhe është takuar në Karakas me presidenten e përkohshme të vendit, Delcy Rodríguez.
Vizita e shefit të CIA-s është realizuar me udhëzim të drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar një zyrtar amerikan.
Takimi, i cili ka zgjatur rreth dy orë, kishte për qëllim ndërtimin e besimit dhe rivendosjen e kanaleve të komunikimit pas arrestimit të ish-presidentit Nicolás Maduro, rreth dy javë më parë.
Ratcliffe dhe Rodríguez kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, si dhe për qëndrimin e administratës së re venezuelase se vendi nuk mund të jetë më në të ardhmen një strehë e sigurt për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara.
Takimi është zhvilluar në të njëjtën ditë kur Rodríguez mbajti fjalimin e saj të parë drejtuar kombit që nga marrja e detyrës si presidente e përkohshme. Ajo foli për reforma në industrinë e naftës, me synimin për të lejuar më shumë investime të huaja një qasje kjo që shënon largim nga politikat e ndjekura nga Maduro.
Po atë ditë, presidenti Trump në Uashington priti lideren e opozitës venezuelase dhe laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, María Corina Machado.
Presidenti amerikan ka deklaruar se kompanitë amerikane të naftës do të zhvendosen në Venezuelë dhe se nga këto investime do të përfitojnë si populli venezuelas, ashtu edhe ai amerikan.
Trump u ka bërë thirrje kompanive të naftës të investojnë të paktën 100 miliardë dollarë në Venezuelë.
Megjithatë, drejtori i një kompanie të madhe energjetike deklaroi javën e kaluar se Venezuela aktualisht mbetet një vend me rrezik të lartë për investime, duke e cilësuar atë si “të painvestueshëm” në kushtet aktuale.



