
Drenica vazhdon kontratat me katër futbollistë
FC Drenica ka konfirmuar zyrtarisht vazhdimin e kontratave me disa nga futbollistët kyç të skuadrës. Klubi nga Skenderaj ka bërë të ditur se katër lojtarë do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit edhe në sezonin e ri. Fjala është për Genc Hamitin, Kreshnik Ukën, Igball Jasharin dhe Andi Veliqin. Ky është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të ekipit, ndërsa klubi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për edicionin e ri në Superligë.
“Vazhdojmë rrugëtimin aty ku zemra rreh më fort – në Skenderaj, për Drenicën dhe për tifozët tanë”, thuhet në njoftimin e klubit, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së fortë mes lojtarëve, qytetit dhe tifozërisë së zjarrtë.
FC Drenica ka paralajmëruar gjithashtu se në ditët në vijim do të publikojë emrat e tjerë të futbollistëve që kanë rinovuar, si dhe transferimet e reja që do t’i bashkohen ekipit për të forcuar radhët e kuqe e zi. “Ky është vetëm fillimi…”, thuhet në njoftimin e klubit të rikthyer në Superligë.