
Drita: Historia u shkrua me shkronja të arta
Kampionia e Kosovës, Drita e ka shkruar historinë mbrëmë duke u bërë skuadra e parë kosovare që kalon në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Gjilanasit fituan me rezultat 3-2 në udhëtim tek Differdange, ndërsa lojën e parë e kishin fituar 1-0 në shtëpi javën e kaluar, në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Klubi gjilanas që e preu biletën për rrethin e dytë, përmes një postimi në rrjetet sociale, konsideroi se u shkrua historia me shkronja të arta, ndërsa falënderoi edhe tifozët për mbështetjen.
“Në një mbrëmje të paharrueshme në Differdange, kur historia u shkrua me shkronja të arta, nuk ishin vetëm 11 lojtarë në fushë – ishit edhe JU, tifozët tanë të zjarrtë, që udhëtuat nga çdo cep i Evropës për të qenë pranë nesh! Entuziazmi dhe dashuria që sollët në stadium na dhanë forcën për ta bërë realitet këtë ëndërr – kalimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve! Faleminderit për çdo kilometër të përshkuar, për çdo britmë për Dritën, për çdo emocion të ndarë me ne. Ky sukses është edhe i juaji! FORCA Drita – për qytetin, për klubin, për Kosovën!”, thuhet në postimin e Dritës.
/Epoka e re/