Drita vazhdon serinë e fitoreve, Llapi fiton dramën ndaj Drenicës

26 tetor 2025 | 15:56

Xhiroja e dhjetë e AlbiMall Superligës së Kosovës solli të dielën dy ndeshje tejet interesante. Kampionia në fuqi, Drita, ka vazhduar serinë pozitive në kampionat. Pas barazimit të vlefshëm ndaj Omonias në Ligën e Konferencës, skuadra gjilanase triumfoi 3:1 ndaj Ferizajt, duke e regjistruar fitoren e katërt radhazi në AlbiMall Superligë.

Kjo përballje u karakterizua nga dy autogola në pjesën e parë, fillimisht Ardit Iljazi në minutën e 17-të shënoi në portën e vet për t’i dhënë epërsinë Dritës, ndërsa më pas Egzon Bejtullai barazoi shifrat me një autogol në minutën e 39-të.

Në pjesën e dytë, Bejtullai e përmirësoi gabimin, duke realizuar në portën e duhur për 2:1 në minutën e 52-të, kurse braziliani Mike Arthur vulosi fitoren e gjilanasve, në minutën e 82-të.

Pas kësaj fitoreje, Drita renditet në vendin e tretë me 17 pikë, dy më pak se Ballkani, ndërsa Prishtina vazhdon të kryesojë me 25 pikë. Ferizaj, ndërkohë, mbetet në pozitën e parafundit me 10 pikë.

Në një tjetër ndeshje emocionuese të kësaj jave, Llapi ka arritur fitore dramatike ndaj Drenicës, me rezultat 4:3, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Llapi e nisi ndeshjen fuqishëm me golin e Ilir Blakqorit (4’), por Drenica reagoi përmes Kreshnik Ukës (5’). Llapi riktheu epërsinë përmes Alex Gnapit (20’), por shifrat i barazoi Jeton Krasniqi (43’). Drenica e nisi më mirë pjesën e dytë dhe kaloi në epërsi me golin e dytë të Kreshnik Ukës. Skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli pati mundësi të çojë shifrat në 4:2 në minutën e 68-të, por gjuajtjen e Igball Jasharit nga penalltia e priti Marijan Çoriq. E kjo pritje ndikoi në moralin e skuadrës së drejtuar nga Tahir Batatina, e cila më pas arriti të shënojë edhe dy gola. Fillimisht Edon Zeiqi shënoi për 3:3 në minutën e 77-të, ndërsa golin e fitores për llapjanët e realizoi Muhamet Hyseni, në minutën e 88-të.

Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në vendin e pestë me 13 pikë, sa ka edhe Malisheva, ndërsa Drenica zbret në vendin e shtatë me 11 pikë, aq sa ka edhe Gjilani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 27 gusht të këtij viti, Liburn Aliu njoftoi papritur…