
Duart që bien erë dhé
ISMAIL SYLA
(Imer Deliut, nga Abria e Epërme, Drenicë, që më 26 shtator 1998, forcat serbe ia vranë në mënyrë mizore dhjetë anëtarë të familjes së ngushtë)
PROLOG
1.
Zabeli i Rrajëve, tokë ranore
me drurë rrënjëzbuluar nga uji
provoi shijen e gjakut
atë shtator shiu.
E dhembjen e ndien
Trupat
Zoti
Imer Deliu.
2.
Imer Deliut
jeta i vuri barrë
t’i kërkojë të gjallët
t’i numërojë të vrarët:
nënën,
vëllanë,
gruan,
djalin,
vajzat…
Nënës Hamide
ia mbajti dorën e ngrirë përpjetë
derisa zemra e gjeti një ritëm,
që s’kishte më lidhje me jetë.
Kur ia mbylli sytë
Nuk pat më tokë nën këmbë.
(Ah moj Nënë, Nënë moj
në aroma e në hije, të kërkoj…)
Ademin,
vëllanë e gjeti shtrirë si dheu
që nuk e mbrojti dot prej egërsisë.
Në sytë e tij që rrinin të hapur,
i pa flakët në strehët e shtëpisë.
(Ti, vëllai im, që të mësova të ecësh
si të mësohem të qëndroj pa ty.)
Jetonin,
djalin e tij, të ri si mëngjesi,
gëzimin e parë,
as në ëndërr të keqe
nuk e shihte të vrarë.
(Të mbaja për dore kur ishe i vogël
po si të jetoj kur nuk të mbajta mbrëmë)
Lumnijen,
gruan që nuk përqafon më.
Trupi që i mblidhte të gjithë rreth vetes,
tash u bë heshtje, kraharor i shpuar.
(Nuk ka më ku t’i shtrëngojë fëmijët
dhe as krahë për t’i mbuluar.)
Mendehijen,
çupën që nuk pati kohë të mësojë
se çka është furia e urrejtjes
që me thikë ia pret fijet jetës,
me lehtësi siç thërret një rosë.
(Ata, nuk i ndali as gjumi,
as lodrat, as fustani i saj rozë.)
Diturinë,
vajzën e vogël
e gjeti gjallë…
me frymëmarrje
(M’u duk se Zoti po kërkonte falje)
… por u shym dhe kjo dritë në ardhje.
Donjetën,
që emrin e kishte poezi:
e bukur,
e re,
e pafajshme…
e vrarë.
(Fundi yt ishte krim.
U bëre vajzë – dëshmi.
Nga dëshmi, – varr.)
Gentianën,
që mbante një libër në dorë
e plumbi ia rrëzoi ëndrrën e fillimit
(Çka do të thotë nesër drita e agimit.)
Havën,
emtën që iku pa lënë fjalë,
pa i lënë shenjë pasardhësit.
(Kështu thonë shuhen të pastrit.)
Valmirin,
nipin rëndë të armatosur
me biberon në gojë
s’e lanë të bëhet fëmijë
as për qarje, as për lojë.
(Dhe kjo natë e vjeshtës
për ty seç vajtoi)
Luljetën,
me dy jetë,
një nuse shtatzënë…
(Njëra jetë e ndalur, tjetra nuk pá nënë.)
Aliun,
kushëririn
e gjeti përmbys në tokë,
me thikën në gjoks brenda.
(Me gjakun që i thoshte botës:
Po, dhe unë pata ëndrra.)
Pajazitin,
kushëririn tjetër
me frymë të ndalur
mes britmave e varrëve
(Nuk e vranë vetëm atë,
ia vranë dhe shpirtin e të parëve.)
Zahiden,
me një emër të thjeshtë,
therë e vrarë e grirë
emër gruaje, vragë.
(Në mur kujtese
e mbetur si plagë)
Mihanën,
e shkrirë me tokën…
(Plagët më të rënda se kokën.)
Fazliun,
plak jetik me shall dhe sy të qetë
të rrëzuar si trung i thatë lisi.
Pa faj, pa mëkat, veç një plak plisi.
(Me ty ra një ledh…
ra një mur që na mbronte
nga çmenduria e kësaj bote.)
3.
Imer Deliu, me duart e tij
varrosi dhjetë copa zemre
edhe po aq trupa të tjerë…
Në shpellën e gjirit të tij
dhembjet planetare
e gjetën një humnerë.
Fjalët e humbura atë natë
iu bën gurë për mur kujtese
që koha dot të mos e rrënojë.
Dhe çdo emër që pëshpërit
me zë të lartë e thotë me vete
si për Zotin që atë natë mungoi.
Që atë natë e padukshme
Këmisha e dhembjes në trup seç i rri
(E bardha e festave varur si flamur në zi)
Duart e tij të lara me lot e me gjak
me aromë pune e erë djerse deri dje
Nuk ka ujë që i shpërlanë…
Kanë prekur shumë dhé.
EPILOG
Në Zabelin e Rrajëve
ku u mbuluan të vrarët
bari s’ka guxim të rritet.
Zabeli nuk e mbin të egrën
toka ka frikë ta mbulojë
dhimbjen me të gjelbrën.