DUBRAVA

22 maj 2025 | 18:45

Nga: Isuf Sherifi

(Të pushkatuarve në Masakrën e Dubravës më 22 maj 1999, ndaj të cilëve shteti serb kreu krimin e gjenocidit. Në këtë përvjetor, po i shkocis vetëm disa vargje nga libri im në dorëshkrim, me po të njëjtin titull)

*
Mbi fije të barit, zemrat ngelën pezull
Dita s`u kthye më, mbeti pa sy
Dekada zie mbanë për ata që u vranë.

*
Ata që u vranë, thërrasin në heshtje
Hijet e tyre janë më të gjalla se ne
Në çdo hap tonin hapat e tyre.

*
Fjala u vra nga plumbat
Gjaku shpoi tokë e gurë
Drita nga temerri u fsheh aty diku.

*
Drejtësia vuri duar mbi veshë e sy
Mes apatisë dhe heshtjes sonë
Vrasësi si gjarpër gjeti strehë.

*
Ju nuk jeni vdekje pa emra
Jeni shenja të gjalla të kuqe
Në fytyrat tona me teke dhe huqe.

*
Plumbat binin rrebesh
Në tokë askush nuk lutej më
Engjëjt kishin ikur në qiell.

*
Mungesa e tyre është plagë e hapur
Gjak mbi frymë që nuk thahet kurrë
Britma që ranë pas trupave të shuara.

*
Janë plagë e hapur e jona:
Qielli i njeh nga fryma
Toka i njeh nga hapat.

*
Dubrava na tregon se si njeriu
Mund të vdes dy herë:
Kur vritet dhe harrohet
Dhe kur vrasësit nuk dënohen.

maj, 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hanife Salihu Sot, kur përkujtojmë përvjetorin e masakrës makabre…