Duhet reformë serioze në sistemin e drejtësisë penale

05 mars 07:59

Njohësi i çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë, Behar Selimi, ka bërë me dije se Kosovës i duhet një reformë serioze në sistemin e drejtësisë penale për ta forcuar sundimin e ligjit.

Ai ka deklaruar se kjo reformë duhet t’i japë përgjigje se si duhet të mbrohet sistemi i drejtësisë nga ndërhyrjet politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka thënë se reforma duhet të japë mundësi që, krahas forcimit të rolit të organeve të ndjekjes, të forcohet edhe llogaridhënia e tyre.

“Kërkohet një reformë serioze e sistemit të drejtësisë penale, e cila duhet të japë përgjigje në pyetjen: Si të mbrohet sistemi i drejtësisë nga ndërhyrjet politike?, por edhe si të mbahen përgjegjës dhe llogaridhënës për mungesën e rezultateve nëpunësit e këtij sistemi. Pra, reforma duhet të japë mundësi që, krahas forcimit të rolit të organeve të ndjekjes, të forcohet edhe llogaridhënia e tyre përballë organeve të zgjedhura të popullit. Reformë në të cilën polici, prokurori, gjykatësi i guximshëm do të shpërbleheshin, kurse të kundërtit e tyre do të ndëshkoheshin”, ka thënë Selimi.

Ai ka shprehur optimizëm se këto masa do t’i mundësonin Kosovës të shënojë rezultate pozitive në fushën e sundimit të ligjit.

Madje, sipas Selimit, nëse ka vullnet dhe guxim politik, rezultate në këtë fushë mund të arrihen edhe brenda këtij mandati qeverisës.

“Dorën në zemër, vendi ynë nuk e ka të lehtë të përkushtohet në agjendë, meqë jo rrallë agjendat ndikohen nga zhvillimet jashtë vullnetit tonë. Fatkeqësisht, në vitet e fundit, me fajin tonë, e kemi lodhur veten shumë kotë dhe me prioritete fiktive, të cilat janë bërë top tema në agjendën tonë, pa qenë të tilla. Sidoqoftë, nëse e gjithë klasa politike parlamentareembështeturedhe nga shoqëria civile dhe mediet, ka vullnet dhe guxim politik, rezultatet e para mund t’i shohim brenda këtij mandati qeverisës”, është shprehur ai.

Selimi ka treguar se mungesa e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit ka efekte në të gjitha fushat e tjera. Sipas tij, kjo ka ndikim shumë në madh në sigurinë publike dhe atë kombëtare.

“Ndikimi është substancial, madje edhe në sigurinë kombëtare. Nëse ka shkelës ligji që nuk druajnë nga shkelja e ligjit, sido-mos nëse ata janë të veshur me pushtet, askush s’është i sigurt dhe askush s’duhet të jetë i qetë. Nëse krimineli vazhdon ‘profesionin’ e tij i papenguar, atëherë të gjitha profesionet e tjera janë në rrezik t’i përshtaten këtij ‘profesioni’ dhe shoqëria të kriminalizohet me shumicë”, është shprehur Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 20-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar…