Duke e përkujtuar Ali Sutajn në përvjetorin e vdekjes

07 prill 2021 | 15:26

Shkruan: Arif Molliqi, Hamburg

 

Sa vjen dhe kalon koha, fjala e tij e pafund nuk harrohet.

Vallë, a tregojnë të gjallët nëse gënjen për një çast koha?!

Skicat, kujtimet, mbresat, shkrimet medituese të Ali Sutajt nuk të lejojnë të harrosh. Ato janë kohë, mos të themi kronika të historisë sonë, të shkrimit gazetaresk, të letrave tona. Ato janë brenga të kësaj historie sepse, koha me të cilën jetoj, me të cilën punoj, u kacafyt me të, mbeti kronikë e shkruar e fillimeve të gazetarisë, e fillimeve të publicistikës sonë si diçka e veçantë. E veçanta ishte këmbëngulja e penës së tij për të gjetur gjithmonë diçka të re në stilin e të shkruarit, në stilin e të menduarit. Sidoqoftë, e veçanta e Ali Sutajt nuk ka mbetur vetëm në stilin e të shkruarit. Ishte i veçantë edhe më gjeneratat e reja që bënin hapat e parë në të shkruarit gazetaresk. Dhe…

Diçka e veçantë ka mbetur edhe në kujtesën e moshatarëve të tij të shkrimit. Të bisedës… të ndejave, aty ku e kaloj jetën si gazetar, publicist, redaktor…

E veçantë ishte edhe kthimi i tij të shtunave në fshatin e lindjes. Atëherë kur mblidheshim rreth tij e fillonim bisedën për çdo gjë të re në kryeqytet, në Prishtinë, biseda këto pa hala në dhe nën gjuhë. Për dallim prej të fshatit, ndryshe e kujtojnë shokët e tij të punës, të jetës në “Rilindje”, ndryshe e kujtojnë sot llukjanët.

Ndryshe do ta kujtonin ata “heronjtë e Kajamit!”

Ndryshe do ta kujtonin Tajar Hatipi, Esat Mekuli, Anton Pashku, Ali Jasiqi…

Pse jo, kanë shkëmbyer shumë biseda.

Mirëpo, llukjanët e kujtojnë ashtu duke bërë llafe gju me gju. Kur kthehej nga kryeqyteti, e këtë e bënte të shtunave në mbrëmje, e ne llukjanët e prisnim, sepse ia dinim stacionin e fundit. Zbriste aty tek “Udha e Bjeshkës”, para se të hynte në qytezë. Dëshironte ta kalonte rrugën në këmbë. Dëshironte të çmallej me kalldrëmin e përbaltur që gjithmonë e çonte në rini…

Kur i afrohej fshatit ndalej. Vinte dorën mbi ballin e rrudhosur, sikur e lëvizte plisin pakëz, shikonte herë Gjeravicën e herë fshatin. Bisedonte me ta sikur t’i kishte në shuplakë të dorës.

Çmallej me bahçet në fshatin e lindjes.

Çmallej me dy liqenet e Gjeravicës.

Meditonte diçka për kohën e kaluar atje diku te Verrishta, atje te Verri Binjak. Ishte fjalëpakë. I kursente fjalët si në shkrime.

“Po shkruan shumë rrallë” – thoshin ata që u pëlqente meditimi i tij.

Vërtet shkruante pak, por bukur. I prekte çështjet me themel. I zbërthente mendimet mirë. Edhe pleqve të fshatit u pëlqenin “rrotullat” e Aliut. “Kur e flet burri fjalën, të tjerët duhet menduar mirë çfarë ka dashur të thotë” thoshin herë pas here pleqtë e fshatit.

Një natë erdhi nga kryeqyteti në fshat. Kthimin e kishte bërë padiktueshëm. S’dinim pse veproi kështu, por hyri tinëzisht në fshat. Ashtu nëpër errësirë, kishte shëtitur në çdo rrugicë, në çdo lendinë. E kishte vizituar edhe Verrishtën.

Në mëngjes fytyra e tij dha shenja mërzie. Diçka nuk i kishte pëlqyer atë natë. Pyeti: “Pse nuk janë kullat e Llukës të vjetra me shekuj?! Pse nuk është vënë shenja përkujtimore te Verrat e Llukës?! Pse vendin historik e kanë bërë treg bagëtish?!”

U përpoqëm t’ia shpjegojmë të gjitha:

Enti Krahinor për Monumente Historike i Kosovës nuk tregoi interesim, edhe pse ne e bëmë kërkesën! As Kuvendi Komunal i Deçanit s’donte të dëgjonte për këtë dhe me polici e caktoi këtë vend për treg bagëtish.

Aliu ndezi një cigare. Nuk foli. Si gjithnjë, i kursente fjalët. Në Kuvendin Komunal na priten keq (isha me të). Bile edhe u tallën: “Ç’të duhen Verrat sot?” – i thanë.

Me autobusin e parë, Aliu shkoi në Prishtinë.

Të nesërmen shkuan edhe dyzet burra nga Lluka. Kishin shkuar të ankoheshin në organet me të larta… Tek “effa”(!). Ishin ankuar edhe në Institutin e Historisë, edhe në Entin Krahinor për Ruajtjen e Monumenteve Historike… U ankuam… po ku nuk u ankuam!

Por, asgjë!

Aliu përsëri i mërzitur. Meditoj dhe shkroi një skicë diçka si ato para shumë vitesh. Si ajo skica “Turpi nën borë” ose “Gëzuar se mbrëmë vdiq një idiot…”

Ishte i guximshëm në zanatin e vet. Ju kujtohet, nëse e keni lexuar librin e tij “Mbresat”. Ai i pari shkroi edhe për Fishtën, por kurrë nuk lavdërohej për punën e madhe. As nuk thurte tregime vetëlavdëruese, se ishte i pari në nismat e daljes së kësaj apo asaj reviste. Kur dëgjonte ata që thoshin se Ali Sutaj është babai i revistave shqipe në Kosovë, qeshej.

Satirizonte.

“Po nëna, kush qenka?!” pyeste, dhe vazhdonte shpjegimin e tij modest: “Unë vetëm kam përkrahur nismën e studentëve për ‘Botën e re’. Kam përkrah daljen e ‘Thumbit’, ‘Kosovares’, ‘Shkëndisë’ dhe të gazetave tona të tjera. Lehtë është t’i përkrahësh kur punën e bëjnë të tjerët…”

Aliu e përdorte një thënie të moçme;

“Mocaniku-mocanikut, shoku-shokut nuk duhet t’i lavdërohet, sepse ata ia njohin njëri-tjetrit të mirat dhe të këqijat. Puna flet për virtytin dhe ndërgjegjen e njerëzve…”

Borxh ia kemi ta përkujtojmë Aliun: me emërtimin e një rruge, të një shkolle, të një institucioni kulturor me emrin e tij.

Dhe borxhi duhet larë, sado vonë, por pa u koritur.

 

(Më 7 prill është përvjetori i vdekjes i doajenit të gazetarisë së Kosovës, Ali Sutaj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Formimi i Policisë së Kosovës Shkruan: Arben Dashevci Më 6…